Kur vepra artistike s’ka lidhje me Ismail Qemalin

Nga Dorjan
Shkruar ne 25 Maj 2012 ora 3:23pm

TIRANE - Nuk dua të jem i ripërsëri tur gjatë artikulimit të fjalëve kur flitet për Ismail Qemalin, rolin e tij në Shpalljen e Pavarësisë dhe për sfondin historik e rrethanat në të cilat u krye ky akt.
Ismail Qemalin, Paskali e konfiguron në suazat e konturimit, të portretizimit të diplomatit që u rropat ndërmjet Perandorisë Otomane në ikje dhe konferencave që zhvilloheshin në kryeqendrat e perëndimit. Në këto sallone, vendosej vula përfundimtare e shteteve që performoheshin. 
Padyshim, këto shtete të vogla ishin në varësi të interesave të Fuqive të Mëdha, të cilat kishin marrë atributet e ndarjes së kufijve, e sidomos Ballkani mbeti një plaçkë e majme për ndarje.
Mos të harrojmë se është koha kur çdo popull, shtet e kombformues vraponte të rikonfirmonte identitetin dhe kufijtë e vet në këtë kaos shpërbërjeje, të lënë pas nga Perandoria Otomane, ashtu sikur uji largohet mbi sipërfaqet e përmbytura dhe fshin kufijtë ndërmjet fqinjëve.
Për Shqipërinë e 1912-ës, atributet e një diplomati që njihej nga Fuqitë e Mëdha, me gjithë prapaskenat politike e diplomatike të kohës, Ismail Qemali ishte figura ku përmblidheshin tiparet e cilësitë e njeriut të besuar si burrë shteti, për bisedime dhe vendime rrjedhëse me peshë në historinë shqiptare për kohën.
Figura e Ismail Qemalit është figura e një burri të mençur, të urtë, të ditur, të shëtitur nëpër botën e qytetëruar, me influencë përfaqësuese të zgjedhur si nga populli shqiptar, tashmë me tre fe të definuara, po ashtu të porositur nga xhonturqit e rinj, por edhe të pranuar nga Fuqitë e Mëdha, si partner bisedimesh në këto kohë të vështira.
Pas një nate të gjatë 500-vjeçare otomane nga pushtimi turk, padyshim Ismail Qemali ishte figura e dytë, më emblematike për nga rëndësia, që historia i atribuoi atij me shpalljen e Pavarësisë pas Skënderbeut.
Një aspekt tjetër domethënës në favor të kësaj figure, ishte dhe prejardhja e tij fisnike, fituar në Perandorinë Osmane nëpërmjet titujve.
Plaku i Vlorës, – siç quhej ndryshe,- me të gjitha virtytet fisnike e karakteristikën e thinjave që mbulonin flokët dhe mjekrën e tij, në plotësinë e bardhësisë e pastërtisë si dëbora, e rrumbullakësinë e përqendrimit të rëndësisë që kishte për historinë e kombit shqiptar në këtë moment final.
Ishte fytyra e këtij plaku, që do të mishëronte ngritjen e Flamurit të Pavarësisë në emër të të gjithë burrave e trimave shqiptarë që luftuan për liri e pavarësi, është fytyra e intelektualeve, e poetëve të mëdhenj rilindas, e klerikëve dhe diplomatëve që punuan për shekuj për këtë ditë të lumnueme.
Ismail Qemali, pra përmblidhte shumatoren rezultante të shumë shekujve dhe kënaqte maksimalisht përfaqësimin dinjitoz për kohën që ishte në qarkullim.
Për të gjitha këto arsye, Paskali, si çdo figurë tjetër patriotike dhe historike, e trajtoi në atë mënyrë të përqendrimit maksimal të vetëpërmbajtjes dhe detyrimit kombëtar, ndaj brezave të mëparshëm dhe atyre që do të vinin më pas.
Duke parë peshën dhe rëndësinë e aktit të Shpalljes së Pavarësisë, të bie në sy ngrysja e vetullave e theksimi i rrudhave në ballin e tij, ku mund të interpretohen simbolikisht kohët e vështira që kishin kaluar dhe puna e madhe shtetformuese, organizuese që e priste. Paskali pothuajse të gjitha portretet e patriotëve i ngarkon me një barrë psikologjikisht hijerëndë, si shprehje tipike e burrave shqiptarë të rëndësishëm në historinë e saj.
Tek këta burra që farkëtuan lirinë e gatuan Pavarësinë me përkushtim e seriozitet, Paskali pashmangësisht këmbëngul në zbërthime të studiuara mirë, derdh në bronz mendimin e tyre dhe bëhet pjesë e tyre.
Një aftësi fort e vështirë krijuese, është të lidhësh mendimin e kohës me krijuesin, rolin e veprës me forcën e shprehjes, artistikisht një stekë e lartë arritjeje. Për mua, çdo herë Paskali godet objektivin e tij artistik, krijon figura e personazhe dinjitoze, identifikuese e karakteristike të stilit të tij, ku pa asnjë mëdyshje duket qartë dora e tij, fryma e tij patriotike në këtë rast.
Kam pasur rastin të shoh nga afër shumë portrete e buste të kohës, por veprat e Paskalit dallohen për origjinalitetin shqiptar dhe e kupton lehtazi dallimin me portretet e shumta të marra në analizë vrojtuese. Ky qëmtim, në fund të fundit, prapë është dhe mbetet produkt shqiptar i Paskalit.
E kur vepra është e ekspozuar në territorin shqiptar, në një muzeum shqiptar, aq më fort bashkëngjitet artisti krijues dhe figura historike me veprën e krijuar prej tij, me atë çka quhet: Kjo është një vepër shqiptare e shekullit të 20-të, e padyshim, kjo vepër është e Paskalit.
Forca domethënëse dalluese në një seri përqasjesh të portreteve të tij, e sidomos të figurës së Ismail Qemalit që nga busti, 70 cm, portreti në disa prerje në përmasa: të vogël 18 cm, të mesme 35 cm lartësi e medaljon diametër 23 cm dhe kulmon me Shtatoren në Muzeun Historik Kombëtar.
Prapë dua të ndalem tek kjo vepër kulminante në pavijonin e Pavarësisë të Muzeut Historik Kombëtar, e vendosur në funksion të centrimit që duhej të përmblidhte kjo figurë emblematike.
Patjetër Paskali edhe një herë tregon aftësinë e tij dominuese jo vetëm në gdhendjen e kësaj figure, por dhe vendosjen në sallën qendrore të Muzeut, duke vulosur përfundimisht artistin, veprën dhe patriotin në histori, me hijeshinë dhe shkëlqimin që i takon.
Po të shohim me kujdes kokën-bust, Paskali me zgjuarsi dhe fanatizëm ruan ngjashmërinë e pandryshueshmërisë së mjekrës, mustaqeve, ballit me rrudha, buzët e përmbledhura, shikimi fokusuar drejt përpara, vendosmëria e drejtpeshuar në harmoni me frakun modern, që i jep ngjyra pro-evropiane, civilizues, aty ku shqiptari do ta kishte vendin e munguar për 500 vjet.
Ismail Qemali tashmë shtetar, në këtë pavijon vjen si kërkesë imediatë e ngritjes në piedestalin e historisë, e rikrijimit të promemories së shqiptarëve në shenjë respekti, përuljeje për atë që ne kemi dhe në atë që jemi sot. Paskali edhe një herë vendos veton e tij krijuese, madhështinë e krijimit të tij, duke derdhur në bronz ato figura madhështore që mbeten si pishtarë të historisë, diturisë, mençurisë, diplomacisë, pavarësisë, si kolona të panteonit të krejt skulpturës, ku u ngrit skulptura shqiptare dhe krejt Muzeu Historik Kombëtar.
Pa këto skulptura-shtatore, ajo e Skënderbeut në sallën e Mesjetës dhe ajo e Ismail Qemalit në Pavijonin e Pavarësisë, s’do të kishim një Muze Historik Kombëtar të ngritur mbi baza shkencore e bashkëkohore dhe as memorie muzeale. Paskali ka meritën e tij të padiskutueshme në ngritjen e kësaj shtëpie të këtij arti muzeal, historik, kombëtar.
Falë Paskalit të madh, brezat do të kalojnë para këtyre dy kolonave të fuqishme dhe figurave madhore në historinë e Shqipërisë, në respekt të historisë dhe artistit që i krijoi këto vepra.
Të nderuar zotërinj!
Mos i mbyllni sytë përballë kryeveprave, se populli i ka sytë në ballë dhe e dallon veprën nga plagjiatura, vlerën nga antivlera, pavarësisht se sot ai nuk e ka në dorë përzgjedhjen që të tjerët dhunshëm ia imponojnë, duke u nisur nga interesa të ngushta e meskine, që të vendosen vepra artistike që s’kanë asnjë lidhje as me Ismail Qemalin, as me historinë, e as me krijimin artistik.