Lamtumirë Ardian Klosi! Miq e kolegë homazhe për publicistin

Nga Dorjan
Shkruar ne 28 Pri 2012 ora 1:37pm

TIRANË – Miq, kolegë, të afërm e familjarë i jane drejtuar Biblotekës Kombëtare në kryeqytet për të përshëndetur për herë të fundit, Ardian Klosin.

Homazhet në nderim të publicistit Ardian Klosi nisën rreth orës 12:00 dhe do mbyllen ne oren 14:00.

Personalitete te ndryshme te artit, kultures, politikes e shoqerise kane ngushelluar bashkeshorten dhe 2 vajzat e Klosit ne homazhet ne nderim te publicistit.

Homazhe pranë arkivolit të të ndjerit kreu dhe Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i shoqëruar nga disa deputetë socialistë.
Rama pasi përfundoi homazhet në Biblotekën Kombëtare shkruan në rrjetin social Twitter
“Ardian Klosi,vdiq për të mos vdekur kurrë. Njerëz të letrave e njerëz të zakonshëm po i japin lamtumirën Danit në Bibliotekën Kombëtare ku miku i tij Aurel Plasari organizoi homazhet. Dani do të dalë nga biblioteka për të shkuar në shtëpine e fundme në varrezat e Sharrës, ashtu sic vendosi vetë”.

Paskal Milo, politikan, kreu i PDS theksoi se Klosi është një nga korifejtë e botës së intelektualëve dhe do kujtohet përherë si i tillë.
“Nganjëherë nga kjo botë kështu si pa e kuptuar lindin mjaft njerëz që nuk i manifestojnë vlerat e tyre të vërteta sepse janë shumë thjeshtë, janë njerëz që mbi të gjitha tregojnë me anonimalitetin e tyre, gjithë botën e tyre të brendshme intelektuale që kanë. Dhe Ardiani kishte një botë shpirtërore të pasur dhe nuk lodhej të manifestonte ato vlera.
Të vjen keq për cdo humbje njerëzore, por kur humbin vlera të tilla të rralla, është e vështirë ta pranosh. Dani do kujtohet si një nga korifejtë e intelektualizmit shqiptar, kështu do kujtohet përherë”

I pranishëm në homazhe, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama e konsideroi humbjen e Klosit si humbje të një njeriu me dimensione të mëdha.
“Është një humbje e rëndë dhe e pazëvendësueshme për familjen dhe tërë opinionin. Humbja e një njeriu me dimensione të spikatura. Nderim dhe mirënjohje për gjithshka që ka bërë , sidomos në letrat shqipe. Të gjithë kemi se cfarë të gjejmë si referencë të vlerave në gjithë veprimtarinë e Klosit, për ta ruajtur si shembullin e qytetarit të vendit.”

Ndërsa për bashkëpunëtorin e tij Remzi Lani, Klosi ishte një përkthyes i jashtëzakonshëm, publicist , një mendje e lirë dhe e hapur.

Në orën 14:00, trupi i pajetë i Klosit do të niset drejt varrezave të Sharrës, aty ku do të prehet përjetësisht.

Publicisti Ardian Klosi u vetëvar rreth orës 21:00 të së enjtes në banesën e tij në afërsi të Liqenit Artificial, në një ambient të përshtatur si depo. Sipas policisë nga hetimet e para rezulton se 55-vjeçari kishte disa kohë që vuante nga gjendja depresive, si dhe kishte tentuar disa herë të vetëvritej.

Pak kohë më parë, Klosi u shtrua në spital pasi kishte pirë një sasi të madhe ilaçesh, por për fat ndihma e shpejtë mjekësore e shpëtoi nga vdekja. Mbrëmjen e së enjtes sapo është gjendur i vetëm në shtëpi, ka ndërmarrë aktin tragjik të vetësakrifikimit.