Ndërtohet urë, nis betonizimi i kalasë së Lezhës

Nga Dorjan
Shkruar ne 06 Maj 2012 ora 2:38pm

LEZHE-Kur ka kaluar më shumë se një vit nga koha kur “Gazeta Shqiptare” dha e para alarmin që i kanosej kalasë së Lezhës, kjo e fundit tashmë është përballur me rrezikun: betonizimi i saj ka filluar. Falë projektit ‘rivitalizues’, miratuar nga Instituti i Monumenteve dhe Ministria e Kulturës, mbi muret helenistike të një prej objekteve më të rëndësishme të trashëgimisë sonë është ndërtuar një urë betoni! “Arna” që i është vënë monumentit disa shekullor stonon aq shumë me kalanë e ‘Skënderbeut’ sa sytë e pamësuar me këtë gjetje ‘alla shqiptarçe’, habiten deri në tmerrim. E si të mos mjaftonte kjo, parkimi për makinat që marrin tatëpjetën gjer në kodër, na është vendosur jo më shumë se mbi varret mesjetare, që përpos kësaj janë ende në fazë gërmimi. 
Kjo bëmë u vu re dje, kur një grup gazetarësh nga Tirana të ftuar nga Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë e së bashku me anëtarë të tij si Artan Lame, Artan Shkreli, Auron Tare, Lorenc Bejko e Pëllumb Xhufi, morën udhën drejt kalasë, me qëllim realizimin e një vizite sensibilizuese kundër asaj që u quajt motelizim i kësaj trashëgimie. Kjo, sepse projekti parashikon ndërtimin e një moteli, një fushe tenisi, një bari e restoranti (ndokush ironizon edhe një pishine) – të gjitha këto m’u në mes të mureve helenistike. Helbete, kjo bëhet për të mirën e vetë monumentit, se shteti paskësh menduar që me përfitimet prej vizitave të miletit, do mblidhen pare për ta mirëmbajtur…(në mbettë gjë me vlerë për t’u mirëmbajtur). Në këtë kuadër, Pëllumb Xhufi përdor një ironi të hollë, pothuaj sarkazëm, kur flet për të ardhmen e monumentit me realizimin e projektit. Tek transformimi i kalasë së Lezhës, por edhe e të tjerave që do të jepen me koncesion, Xhufi parasheh atë që mos e dhëntë Zoti të ndodhë: ato do të kthehen në mejhane, ku shkojnë sarhoshë për të ngrënë e për të pirë, e ku njerëzit që iu intereson monumenti shkojnë gjithnjë e më rrallë. Mendoni pak, një kala më e ‘vjetër se vetë Krishti’ të kthehet në pijetore… Le të rrahim gjoksin ne sa të duam se jemi ilirë e se kemi histori, kur në mes të dëshmisë së historisë ngremë një motel. Pas vizitës sensibilizuese, “Gazeta Shqiptare” mori opinionet e anëtarëve të Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, mbi atë çka panë aty, e mbi atë çka parashohin me realizimin e projektit rivitalizues.