LEZHË, 40-VJEÇARI GJENDET I VRARË DITËN E PASHKËVE

Nga Dorjan
Shkruar ne 09 Pri 2012 ora 2:42pm

Policia dyshon se babai i dy fëmijëve u vetëvra.

Martin Përgjoni kishte një plagë plumbi në fyt.

Gjendet i vrarë të dielën e Pashkëve babai i dy fëmijëve. Martin Përgjoni, 40 vjeç, nga Barbulloja e Re në Lezhë, është qëlluar me një armë zjarri automatike të shtunën. Përgjoni është gjetur i pajetë në rrethana ende të paqarta, ndonëse paraprakisht Policia e Lezhës dyshon se bëhet fjalë për vetëvrasje nga ana e 40-vjeçarit. Mësohet se Përgjoni të shtunën kishte nxjerrë bagëtitë në kullotë, ashtu si dhe çdo ditë tjetër në zonën e Kënetës, jo shumë larg shtëpisë së tij. Por nuk është kthyer më në banesë te familja e tij. Mungesa e kryefamiljarit ka shqetësuar familjarët. Ata e kanë kërkuar gjatë natës, por për shkak të errësirës nuk kanë arritur të zbulojnë gjurmë të 40-vjeçarit. Vetëm mëngjesin e djeshëm, kur besimtarët katolikë kishin ditën e shënuar të Pashkëve, familja Përgjoni ka mësuar dhe faktin tragjik të babait të dy fëmijëve. Sipas Policisë, ka qenë bashkëshortja e tij, e cila mëngjesin e djeshëm ka gjetur trupin e pajetë të të shoqit në zonën ku ai kulloste bagëtinë. Një plumb i vetëm i kishte marrë jetën 40-vjeçarit. Menjëherë është lajmëruar Policia e Lezhës për ngjarjen, e cila ka shkuar në vend bashkë me një grup hetimor për të zbardhur rrethanat e vdekjes së Martin Përgjonit. Në duart e viktimës është gjendur edhe një armë zjarri automatik,  model 56, duke bërë që blutë të dyshojnë për një vetëvrasje të mundshme. Ekspertë të Policisë Kriminale kanë bërë të ditur se viktima është qëlluar vetëm nga një plumb i vetëm në pjesën e fytit, gjë që i ka sjellë vdekjen e menjëhershme. Policia tha dje se prania e armës dhe pozicioni që është mbajtur gjatë qitjes të çon drejt pistës së vetëvrasjes. Kjo pritet që të saktësohet, pas ekzaminimeve nga ekspertët mbi gjurmët e lëna në vendngjarje. Në lidhje me aktin e vetëvrasjes, as familjarët e viktimës nuk kanë ditur të japin një motiv të saktë që mund ta ketë shtyrë kryefamiljarin t’i japë fund jetës. Mendohet se kushtet e vështira ekonomike të përbëjnë shkakun e vetëflijimit nga ana e 40-vjeçarit. Sipas Policisë, ngjarja është regjistruar mbrëmjen e së shtunës, e cila përkonte me natën e Pashkëve.