Lezhë, dhunohet kreu i PS-së së Zejmenit

Nga Dorjan
Shkruar ne 24 Mar 2012 ora 2:30pm

LEZHE – Dhunohet pranë shtëpisë së tij kreu i PS-së së komunës Zejmen, Gjergj Malshi. Ndonëse ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, vetëm dje është denoncuar publikisht ky rast, pas reagimit të kreut socialit të Lezhës. Agustin Marku deklaroi dje në një konferencë për shtyp mosreagimin, sipas tij, të policisë për të ndaluar autorët e dhunimit. Marku u shpreh se ngjarja e ndodhur ditë më parë nuk ishte bërë mediatike për t’i dhënë mundësinë organeve kompetente të përmbushin detyrimet e tyre, ndërsa kanë akuzuar qeverisjen e keqe demokratike për krijimin e situatave të tilla në vend. Ndërkohë, Policia e Lezhës ka reaguar, duke thënë se për ngjarjen kanë nisur hetimet, duke theksuar se vazhdojnë verifikimet për të, në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit. Ngjarja mësohet se ka ndodhur rreth orës 08:20 të së dielës, pak metra larg shtëpisë së Malshit, në lagjen “Besëlidhja”. Vetë Malshi ka denoncuar dy persona, sipas tij të punësuar në firmën e pastrimit së qytetit të Lezhës.