Liami-Arbrit: Të kam përdorur si zhivë termometri

Nga Dinejda
Shkruar ne 18 Maj 2012 ora 12:03pm

Dy djemtë, që javët e fundit nuk kanë pasur raporte të mira, përfshihen në një debat të ashpër. Liami i thotë Arbrit se ai është si zhivë termometri, se të tjerët e kanë përdorur në shtëpi e që e kanë quajtur kopje të tij. Arbri i përgjigjet se Liami shet edhe fytyrën për lekët, ndërsa ai po luan pastër.

Liami-Arbrit: Je zhivë termometri

Gjatë kohës që banorët luajnë, Liami komenton Arbrin që humbet lojën përpara Ermalit dhe Erionit dhe në një moment Arbri i thotë që të mos sillet në atë mënyrë, sepse po mundohet që të ulë Arbrin në sytë e publikut. Kjo ka mjaftuar që midis tyre të lindë një debat, pasi Liami kur shkojnë në dhomën e gjumit vazhdon të ironizojë Arbrin në lidhje me lojën dhe marrëdhënien e tij kohët e fundit me Ermalin dhe Erionin. Fillimisht dy djemtë flasin me ironi e nënkuptime, por batutat që thonë janë mjaft ofenduese dhe situata sa vjen e rëndohet duke u shndërruar në një debat të ashpër. Liami shtrihet për gjumë dhe në këtë moment Arbri i thotë si me shaka: “Çohu se nuk ke ardhur këtu me pushime”. Kjo bën që Liami të acarohet dhe i thotë “ik luaj tenis dhe mos bëj pit-stop tek unë”. Më pas ai shton: “për mua je zhivë termometri kur dua të ul e kur dua të ngre”. Arbri nga ana tjetër i thotë se nuk e ka parë asnjëherë që të përballet me Liamin dhe shprehet “ti ke fillu me u mbyt, por s’të lë unë, duhet të ma dish për nder”. Arbri i thotë Liamit se që nga dita që ka hyrë në shtëpi e ka përkrahur e shprehet “gjithmonë të kam dhënë krah, s’ta kam lëshuar dorën”. Liami i thotë Arbrit se fakti që banorët e kanë quajtur si kopje e Liamit do të thotë se ai e ka ngritur Arbrin.

Arbër-Liamit: Ti e shet fytyrën për lekë, unë luftoj pastër me shpirt për ato lekë

Arbri del nga dhoma e rrëfimit dhe Liami fillon përsëri debatin që këtë herë kalon në një zënkë të fortë. Liami ironizon përsëri Arbrin duke i thënë: “hajde këtu të t’i vë në dukje se si të kanë shfrytëzuar e të kanë injoruar këtu brenda”. Arbri fillimisht flet me ton të qetë dhe më pas debati i tyre merr “zjarr”, pasi Liami i thotë “po të vë në dukje burrërinë, të shoh si një njeri që s’ke burrëri, s’ke karakter”. Liami fillon që t’i kujtojë Arbrit debatet që ka pasur me banorët e tjerë dhe i thotë se ai edhe pasi është ofenduar nga të tjerët, përsëri ka folur e qeshur me ta dhe sipas tij, kjo gjë e bën atë pa karakter. Liami largohet dhe Arbri i thotë: “Hajde këtu ta tregoj unë karakterin, mos kthe kurrizin, i pafytyrë”. Këtu fillojnë ofendimet njëra pas tjetrës.

Liami i thotë Arbrit: “Ke lënë nam për veten tënde” e Arbri i përgjigjet: “Ti ke bërë lojë të pistë, kapesh me vogëlsira, me gjëra naive, unë kapem me ty, sepse këtu brenda e kam për detyrë, pasi kam pranuar të jem në këtë lojë, jashtë nuk të njoh” e më pas vazhdon “ti je i pafytyrë, unë kam ardhur në këtë lojë që të dal me shpirt të pastër”. Liami fillon që të bëjë lëvizje prej rreperi duke u munduar që të acarojë edhe më shumë Arbrin dhe të dy vazhdojnë ofendimet. Arbri thotë se i jep të drejtë shprehjes së Ermalit “Liami s’ka vlera dhe do të më vinte keq po të fitonte lojën”. Liami i përgjigjet “ja ku jam, pa vlera”. “Ti je naiv, një 32-vjeçar që kapesh me vogëlsira”, i thotë Arbri dhe Liami i thotë “të gjithë të kanë thënë je si Liami”. Françeska ndërhyn për të qetësuar situatën.

Arbër-Liam ironizojnë njëri-tjetrin; Liami “Nga vjen ti?”-Arbri “Nga Këlni”

Liami fillon të shpjegojë prejardhjen e disa sendeve, ndërsa arbër e korrigjon.
Më pas dy djemtë kapen me ironi për të folurën e tyre, pasi Liami e vendos theksin e fjalës “qiri në “i-në” e dytë, ndërsa Arbri në zanoren e parë. Të dy kundërshtojnë njëri-tjetrin duke këmbëngulur se kanë të drejtë secili në të vetën. Liami i thotë Arbrit “nga vjen ti?” e më pas shton “nuk do të mësoj tani edhe gjuhë shqipe”. Arbër i përgjigjet “Unë vij nga Këlni” dhe në këtë mënyrë ironizon Liamin.

Më pas ata vazhdojnë gjatë kohës që Liami shpjegon një qiri dhe thotë “kjo këtu është një dërrasë, që ti e ke mangut” e më pas shton “ndërsa kjo është gropa e qiriut që është djegur”. Arbër vazhdon ironinë dhe i thotë Liamit “a ua bën gropë njerëzve ti shpesh?”.

Liami thotë “Egjypt”, ndërsa Arbër i thotë se thuhet “Egjipt” dhe më pas shton “më fal ke mbaru shkollë ti?”.  Liami i përgjigjet “jo kam mbetur në klasë” e arbër ia kthen aty për aty “duket”. Arbër tallet me shpjegimet e Liamit dhe ky i fundit i thotë në një moment “o tru parafinë”, ndërsa Arbër qesh.

Më pas Liami ngacmon Arbrin me shprehjet që kanë thënë banorët e tjerë për të si ajo që tha Ermali “të shkul dhëmbët”. Më pas Liami pyet edhe banorët e tjerë për fjalën “qiriun” e kështu banorët diskutojnë për trajtën e shquar të kësaj fjale dhe ndahen në mendime të ndryshme. E kështu ata diskutojnë për dialektet dhe gjuhën e folur.