Libra të rinj në Tiranë

Nga Dorjan
Shkruar ne 12 Maj 2012 ora 7:54pm

Tiranë -Libra të rinj të autorëve shqiptarë e të huaj janë botuar këtë javë duke ju shtuar stendave të librarive në kryeqytet. 

“Duaj atë me të cilin je” nga Emily Giffin. Në qendër të librit është Elen dhe Endi Graham që kanë një martesë të përkryer, por një pasdite fatale Elen ndesh Leon. Njeriun që nxori në dritë më të keqen tek ajo, ai që e pati braktisur një dekadë më parë. Ajo që Elen mëson është thuajse magjike: ndonjëherë mund të duhet të bësh gjithçka që të jesh me njeriun që dashuron. Romani është botuar nga OMSCA-1.

“Medaljet shqiptare (1914-1944)” vëllimi l dhe “Medaljet shqiptare (1945-2002)”  vëllimi ll nga Artan Lame. Botimi i koleksionit të medaljeve, urdhrave, titujve të nderit që shteti shqiptar ka krijuar dhe akorduar prej vitit 1914 deri në vitin 2002, merr vlerë të veçantë në 100-vjetorin e pavarësisë. Botues është shtëpia botuese “Toena”.

“Kosova si çështje europiane”  nga gazetarja e Deutsche Welles Mimoza Cika-Kelmendi.

Bëhet fjalë për një studim monografik që u kushtohet tërësisht raporteve të shtetit të ri të Kosovës dhe aspiratës së popullit kosovar për të qenë pjesë e Europës së bashkuar. Libri është botuar nga “Naimi”.