Lidhja është Gjallë!

Nga adnan
Shkruar ne 08 Jun 2011 ora 4:48pm

(Në vigjilje të kremtimit të 133 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit)

Edhe pse në vazhdim do ta trajtoj një temë që ndërlidhet me të kaluarën tonë të lavdishme kombëtarë, me këtë rast, nuk e kam ndërmend që konkretisht të merrem me prezantimin e saj nga një këndvështrim historik, sepse, jam më se i bindur se shumice prej nesh e kanë në dijeni rëndësinë e 10 Qershorit, kësaj date emblematike nga historia e jonë e lavdishme gjithëkombëtare, kur po këtë ditë të vitit 1878, burrat e dheut nga të gjitha viset e pushtuara shqiptare, të mbledhur në qytetin e lashtë dhe të bukur të Prizrenit, i thanë jo pushtimit shumëvjeçar otoman, jo copëtimit të trojeve natyrore shqiptare, jo pazareve djallëzore të bushtrës plakë Evropë me tokat shqiptare… E, mbi të gjitha, pa marrë parasysh rrjedhojën e ngjarjeve të atyre viteve, neve pasardhës na lan një rrugë, një si Program Nacional, të cilin patjetër duhet ta vazhdojmë deri në përmbushjen e plotë të saj.
Kjo datë e madhe e kujtesës tonë kombëtare (10 Qershor 1878), edhe pse në fakt, krahas 28 Nëntorit, duhet të kremtohet si një festë e madhe për të gjithë shqiptarët kudo që janë, ajo sot nga institucionet e Kosovës së “pavarur” dhe “sovrane”, përveç se nuk është paraparë as me ligj si festë zyrtare, ende hezitohet të shënohet me dinjitet të merituar. Kur e them këtë, mendoj më tepër në nivel nacional, sepse, sipas disa narracioneve, KK i Prizrenit, kushtuar këtij jubileu, edhe këtë vit sa për sy e faqe, zyrtarisht do të organizoj një Akademi solemne, detyrimisht me drekën e pasur festive për gjithë të ftuarit; një koncert në mbrëmje nga një shoqëri amatore vendore, dhe i gjithë qyteti do të stoliset me flamuj “kaltëroshe” shtetërore të shoqëruara edhe me ato “të miqve tanë ndërkombëtar”: Bashkësisë Evropiane, SHBA-ve, Anglisë, Turqisë, Gjermanisë… Në këtë laramani flamujsh, aty-këtu do të ketë edhe disa sosh kombëtar?!!

“O tempora, o mores”. Sipas mendësisë së politikanëve tanë komunal (pa përjashtuar edhe ata qendror), në një festë të kulluar nacionale, qyteti i Prizrenit më shumë na duka të dominohet i stolisur nga flamujt e shteteve të huaja se sa ato kombëtare shqiptare?!

A ka ndonjë shembull të këtillë në botë?! Populli i një shteti me mbi 92% shqiptar, kremton një festë kombëtare, e qytetet e saja stolisen të dominuar nga flamujt e shteteve te huaja?! Dhe …jo vetëm se janë të huaj, por edhe tejet të disfavorshme për atë histori.

Pa dyshim se kjo do të kishte mbetej kështu, sikur të mos na ishte lëvizja VETËVENDOSJE! e cila, më se 3 vite rresht (vjet këtë festë e shënoi me protestë të madhe popullore kundër Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për heqjen e logos së LSHP nga emblemën e qytetit) organizon një manifestim madhështor.
Falë kësaj lëvizjeje, atë ditë Prizreni “kaltërosh” shpejtë do të shndërrohet në një qyet “kuqëlosh”. Atë ditë ky qytet i bukur do ta merr pamjen e ngjyrës së gjakut. Të asaj ngjyre që realisht i ka hije të dominoj në këtë festë. Mira balona të kuqe me shqiponjën e zezë dykrenore do ta stolisnin hapësirat më të vizituara të qendrës së Prizrenit; CD –et e shpërndara me muzikë shqipe do të jehojnë kudo nëpër lokalet publike; në çdo skutë do të shihen mijëra flamuj të vegjël të shpërndarë kombëtar nga ta, duke u bërë stoli më e preferuar në duart e kalimtarëve, e veçanërisht fëmijëve, ardhmërisë së këtij qyteti. Po ashtu këtë vit, mu në brendinë e oborrit të kësaj ndërtese madhështore muze, do të mbahet edhe një debat tematik-shkencor rreth rëndësisë së LSHP.
Prizreni atë ditë vërtet do të frymoj SHQIP! Atë ditë nga aty dhe çdo skutë e këtij qyteti muze, miqve dhe armiqve tanë, demokratëve dhe pseudo demokratëve, hipokritëve dhe labialëve, analistëve dhe banalistëve modernist, shpikësve të kombit kosovar, politikanëve të paskrupullt mediokër vendor dhe atyre tinëzarë ndërkombëtar… do t’ju dërgohet një porosi e thjeshtë por tejet domethënëse: “LIDHJA ËSHTË ENDE GJALLË”!

Një kujtesë ogurzi nga dita e shpalljes së pavarësisë

Sikurse në shumë qytete tjera, më 17 shkurt 2008, me rastin e euforisë së kremtimit të deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, këtë ditë edhe Prizreni e shënoj në mënyrën e vetë festive. Në mes të shumë aktiviteteve ceremoniale që atëbotë ishin në agjendën e kremtimit, përshtypje të madhe na kishte lënë një atraksion i organizuar me këtë rast nga ana e veteranëve të UÇK-së së Prizrenit. Një flamur kombëtar i gjatë disa kilometra u nisë prej varrezës së dëshmorëve (Landovica e Prizrenit), dhe i bartur nga duart e mijëra të rinjve, defiloi deri në qendrën e qytetit. Caku i fundit i kësaj marshute atraktive ishte kompleksi memorial i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Aty, flamuri gjigant kombëtar u palos dhe iu dorëzua Muzeut të Lidhjes Shqiptare, kurse, më pas, në oborrin e saj, triumfalisht u ngrit flamuri i ri “kaltërosh” i shtetit të posashpallur të Kosovës.
Asgjë e jashtëzakonshme me këtë performacë simbolike në shikim të parë!?
Por, çdo qytetari të rastit i cili në atë moment ka qëlluar vrojtues apo pjesëmarrës i kësaj ngjarje, ka mjaftuar vetëm ta ngrehi kokën lart dhe atu përballë, nga dritarja e hapur e ndërtesës muze të Lidhjes, ta vërej hartën e madhe murale në të cilën ishin të vizatuar kufijtë e trojeve etnike shqiptare, që ishte edhe synim bazë i mbajtjes së kësaj Lidhje historike të popullit tonë: çlirimi nga robëria shekullore otomane dhe ruajtja e pacenueshmërisë së tërësisë territoriale etnike gjithëshqiptare.

Aty për aty, fillova të kujtohem në vete: “Dikur, mu para 130 viteve, në oborrin e po kësaj hapësire, nga të gjitha trojeve etnike shqiptare, ishin mbledhur në këtë kuvend burrat trima të dheut, për t’i treguar botës se deri ku janë kufijtë historik të trojeve shqiptare dhe ato gjithmonë do të mbrohen me gjak.
Çfarë koincidencë paradoksale e rastit?! Kuptohet e paqëllimshme. Në 17 Shkurtin e vitit 2008, mu në oborrin e kësaj Lidhjeje, flamuri gjigant kombëtar me hapësirën e kuqe si gjaku dhe shkabën e zezë dykrenore, dorëzohet në muze, dhe në vend të saj, ngrihet një flamur tjetër që ka hapësirë të katërt si qielli dhe disa yje të bardha që shndrisin në pikë të ditës. Ndjeva se diçka u shkëput nga tërësia! Simbolikisht mu dok se aty gjaku u bë ujë; pavetëdijshëm copëtimi dhe ndarja u legalizuan nga vetë ne; para meje sikur u ndryshua me dhunë harta e cila në atë moment ndau përgjysmë edhe murrin e ndërtesës muze ku qe vizatuar përballë.
Merrni me mend! Aty, më 17 Shkurtit 2008, nga ne pasardhësit e atyre burrave me nam të 10 Qershorit 1878, po kremtohet copëtimi. Një ngjarje në dukje pavarësi, e në thelb shkëputje e motivuar ndryshe, pasojat e së cilës do t’ia ndjejmë tek dikur më vonë.
Jo! Jo! Me këtë shembull, aspak nuk e kam qëllim ta stigmatizoj këtë ide të padjallëzuar dhe qëllimmirë të organizatorëve të kësaj performance tejet atraktive, por, kjo koincidencë intuitivisht më bëri që në at moment të ndjej një frikë të bazuar për të ardhmen e trungut tonë të përbashkët kombëtar. Një frikë që ne sot më 10 Qershor të këtij viti, fuqishëm do t’i themi jo!

Lidhja është gjallë…!