LIDHJET E VATIKANIT ME MAFIAN ITALIANE?

Nga Dorjan
Shkruar ne 02 Maj 2012 ora 3:45pm

Mediat italiane kanë ngritur akuza të rënda ndaj Vatikanit, ku tregohet për lidhjet e tij me mafien vendase.
Një burim nga Shteti i Papës vërtetoi për agjencinë e lajmeve ANSA se Vatikani 22 vjet më parë ra dakord për të varrosur mafiozin famëkeq Enrico de Pedis, në Bazilikën e Shën Apolinarit, pranë papëve dhe kardinalëve  në këmbim të kompensimit prej një miliardë liretave, ose 660 mijë dollarëve.

Mediat shkruajnë sipas burimeve prifti kryesor i Romës, Kardinali Ugo Poletti, në fillim hezitoi të varroste në Vatikan kreun e mafies italiane, por kur u përballë me shumat e mëdha që në fronin e tij i kishte vendosur e veja e de Pdisit, në fund e dha bekimin!

Vatikani nuk i ka komentuar zyrtarisht akuzat, por në ndërkohë ka vendosur që t’i lëvizë eshtrat e udhëheqësit të vdekur të bandës famëkeqe të Romës, “Magliana”.
Më tej në artikull shkruhet se presioni publik nisi të grumbullohet në fillim të këtij muaji, kur prokurori Giancarlo Capaldi tha se zyrtarët e lartë të Vatikanit kanë pranuar lidhjet e bandës Magliana me Selinë e Shenjtë, përfshirë edhe rrëmbimin dhe vrasjen e 15-vjeçares Emanuela Orlandi.

Emanuela ishte vajza e një zyrtari të Vatikanit, e cila u zhduk më 1983, ndërsa krimi lidhej pikërisht me bandën Magliana.
“Ka njerëz në Vatikan, që janë ende gjallë e që e dinë të vërtetën”, tha Capaldi.

Shumë mendojnë se babai e Emanuelas kishte prova që e lidhin Bankën e Vatikanit me krimin e organizuar, prandaj ajo është rrëmbyer për ta heshtur atë. Kjo teori gjithashtu sugjeron se ishte pikërisht de Pedis, i cili u vra më 1990, ai që organizoi rrëmbimin e saj, shkruan The Independent.

Në dy dekadat e fundit spekulohet se mbetjet e saj janë varrosur në Bazilikë, pranë trupit të de Pedisit. Vëllai i saj Pietro është një nga ata që kërkon që ky varr të hapet. Vatikani, i cili kohët e fundit përballet me akuzat për lidhjet me mafinë, i mohon akuzat dhe paralajmëron se hetuesit munden t’i rihapin varret – për të hequr kështu të gjitha dyshimet.

“Mendoj se asgjë nuk është fshehur dhe se nuk do të zbulohet asnjë sekret i Vatikanit”, ka thënë zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, Federico Lombardini.
Trupi i de Pedisit ndoshta do të zhvendoset në lokacion më pak “të njohur”, por edhe nëse në varr nuk gjendet trupi i vajzës, do të vazhdojë misteri që e lidh zhdukjen e saj me Vatikanin.

Teoritë janë të shumta. Një nga më interesantet është ai që thotë se anëtarët e Maglianos e kanë rrëmbyer vajzën me urdhër të ekstremistëve turq, për ta përdorur atë si “investim” për lirimin e Mehmet Ali Agces, i cili më 1981 kishte tentuar ta vriste Papa Gjon Palin e Dytë.

Teoritë e tjera në këtë rast e fusin Paul Marcinkusin, ish kreun e poshtëruar të Bankës së Vatikanit, i cili më 1982 ishte i kyçur në bankrotimin e bankës më të madhe italiane, Banco Ambrosiano. Menjëherë pas kësaj, presidenti i bankës, Roberto Calvi, i njohur si “bankieri i Zotit”, u gjet i varur në një urë në Londër. Ndërsa, kurrë nuk është bërë e qartë nëse ajo ishte vrasje apo vetëvrasje.

Ky ndoshta është edhe një mister i Vatikanit që do të mbetet pa u zbuluar!