Ligji që i lë banorët në zonat e arit të zi pa shtëpi e tokë

Nga Dorjan
Shkruar ne 21 Mar 2012 ora 9:44pm

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7746, datë 28.7.1993, “Për hidrokarburet (kërkim dhe prodhim)”, vjen pas kalimit në Kuvend pak muaj më parë, vetëm me votat e maxhorancës të ligjit “Për përcaktimin e formës dhe strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë “Albpetrol” sh.a, Patos”, i cili, përpos debateve në nivelet politike e kuvendore shkaktoi edhe një sensibilitet të madh në gjithë shoqërinë shqiptare. Dhe kjo për shkak të rëndësisë së madhe që ka ky sektor në ekonominë e vendit nga njëra anë dhe ngutjes së qeverisë aktuale për të shitur edhe thërrimet e fundit që kanë mbetur nga një pasuri e pallogaritshme kombëtare, ndoshta më e rëndësishmja dhe më me peshë  ndër sektorët ekonomiko-strategjikë të vendit.

Ne akoma edhe sot vazhdojmë të mos kemi asnjë lloj transparence për hapat që po ndërmerren, si dhe mungesë të plotë të analizave dhe vlerësimeve për privatizimet e kryera më parë, në sektorin e hidrokarbureve apo edhe në sektorët e tjerë, të cilat dukshëm nuk kanë rezultuar efektivë ekonomikisht dhe me probleme të mëdha në realizimin e detyrimeve të tyre kontraktore, dëmtimin e mjedisit, rëndimin e gjendjes ekonomiko-sociale të të punësuarve etj.

Ajo që është e kuptueshme dhe e dukshme nga gjithë ky nxitim i qeverisë për të shitur çdo gjë që ka mbetur nga pasuritë kombëtare dhe sektorët shtetërorë të ekonomisë në kushtet e një krize të gjithanshme që ka mbërthyer vendin është arka e boshatisur e shtetit, borxhi i frikshëm që kërcënon të ardhmen e çdo shqiptari, rrënimi i ekonomisë së vendit për shkak edhe të korrupsionit që po e çon drejt shuarjes me ritme alarmante shoqërinë shqiptare.

Diskutimet që bëhen dhe pikëpyetjet që kanë lindur në lidhje me ekzistencën ose jo të një programi strategjik për ruajtjen, shfrytëzimin dhe zhvillimin e rezervave të naftës në vendin tonë, efektivitetin ekonomik të këtij privatizimi, politikat fiskale ndaj sektorit të naftës dhe zbatimi real i tyre në praktikë, etj., i shtohen edhe ato që kanë të bëjnë më fatin e punonjësve që punojnë në këtë sektor dhe që e kanë burimin e vetëm të jetesës për të mbajtur familjet e tyre, ruajtja dhe rigjenerimi i mjedisit në zonat e degraduara naftëmbajtëse, si dhe marrëdhëniet e reja që lindin midis kompanisë fituese dhe banorëve të zonës në lidhje me pronën ku janë hapur puset e shfrytëzimit dhe objektet e tjera të ndërmarrjes naftënxjerrëse.

Në të dy projektligjet e fundit që i janë paraqitur Kuvendit nga qeveria problemeve të tilla të rëndësishme sociale nuk u jepet një zgjidhje e qartë dhe bindëse.

Duke u nisur nga kjo e fundit dhe duke u fokusuar kryesisht në zonat naftëmbajtëse të rrethit të Vlorës, në komunën e Vllahinës, e cila përfshin edhe zonën e Gorishtit ka filluar prej kohësh konflikti midis pronarëve të tokës dhe kompanisë që ka privatizuar një pjesë të Albpetrolit 2 vjet më parë. Në fshatin Mërtiraj, për shembull, Albpetroli sot ka të okupuar 1060 ha tokë në përdorim, nga të cilat 431 ha janë tokë bujqësore dhe që shtrihen nga Koculi (një zonë tjetër naftëmbajtëse) e deri në rrjedhjen e lumit të Vjosës që e ndan rrethin e Vlorës me atë të Fierit. 200 familje fshatare kërkojnë pronat e tyre, një pjesë e të cilave i kanë të vërtetuara dokumentet e tyre edhe me atë të vendimeve gjyqësore. Por, ato kanë hasur në pengesa nga firma private që ka blerë një copë të Albpetrolit, duke u sjellë me këto prona si të ishin zot të tyre. Por, probleme të tilla me pronën ka në të gjitha zonën naftëmbajtëse dhe nuk është aspak i qartë statusi i këtyre kompanive në raport me tokat dhe pronat ku do të ushtrojnë veprimtarinë e tyre për nxjerrjen e naftës, në puset ekzistuese dhe në ato që do të lindë kërkesa për t’u hapur të reja.

Tek e fundit edhe kjo duket se është pjesë e problemit më të pazgjidhur në Shqipëri gjatë këtyre dy dekadave: problemit të kthimit të tokës dhe pronës te i zoti ose kompensimin e saj. E paqartë dhe aspak transparente është edhe çështje që ka të bëjë me fatin e punonjësve të kësaj kompanie për pjesën që ka mbetur pa u privatizuar, por edhe për atë pjesë që është privatizuar më parë. Sot Albpetroli ka rreth 4000 punonjës dhe është pranuar se me procesin e privatizimit të plotë rreth 2500 prej tyre do të shkurtohen e do të hidhen në rrugë. Mendoni fatin dhe pasojat sociale për 2500 familje që e kanë lidhur jetën e tyre prej vitesh me veprimtarinë e kësaj ndërmarrjeje.

Në propozimin e qeverisë është hedhur versioni për pagesën e tyre për një vit, por nuk thuhet asgjë se çdo të bëhet me këta punonjës deri në përfundimin e procesit të privatizimit dhe të sigurohen të ardhurat nga ky proces. Nga ana tjetër po veprohet me dy standarde me punonjësit që shkurtohen tani nga Albpetroli me rastin e privatizimit të plotë të ndërmarrjes dhe me punonjësit që po shkurtohen nga firmat private që kanë blerë asetet nga po kjo ndërmarrje vetëm pak kohë më parë. Ndërkohë që për të gjithë punonjësit në territorin e Republikës së Shqipërisë veprojnë të njëjtat ligje dhe i njëjti Kod Pune. Më konkretisht, përsëri nga zona naftëmbajtëse e rrethit të Vlorës: Është e njohur protesta dhe greva e urisë e naftëtarëve të Gorishtit, të cilët një vit nga privatizimi i një pjesë të Albpetrolit u shkurtuan 110 vetë nga puna, u hodhën në rrugë dhe nuk u paguhen as të drejtat financiare sipas Kodit të Punës. Kështu ka ndodhur edhe me 120 punonjësit e këtij sektori që u pushuan nga puna në vitin 2008, por edhe me ata 126 punonjës që u hodhën në rrugë në vitin 2010.

Në ligjin që po diskutojmë sot Këshilli i Ministrave, me vendimin nr. 106, datë 01.02.2012 ka vendosur mënyrën e trajtimit të punonjësve që do të ngelen pa punë nga procesi i ristrukturimit të shoqërisë ALBPETROL sh.a, Patos. Në nenin 1 të këtij vendimi thuhet: “Të gjithë punonjësit e shoqërisë ALBPETROL sh.a, që dalin pa punë, si pasojë e ristrukturimit, gjatë periudhës nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi deri në çastin e privatizimit të shoqërisë, përveç trajtimeve që parashikohen nga Kodi i Punës, përfitojnë për një periudhë 1-vjeçare, pagesë sipas pagës bruto të vitit të fundit”. Pra, punonjësit fitojnë një vit pagë pune deri në një vit shpërblim dhe vjetërsi në punë. E gjithë kjo vlerë do t’u njihet atyre edhe për efekt të pensionit dhe të sigurimeve shoqërore. Pra, brenda janë edhe sigurimet shoqërore.

Por i njëjti standard nuk po zbatohet edhe për naftëtarët e Gorishtit, të cilët vetëm një vit e gjysmë më parë ishin punonjës të Albpetrolit, kanë akoma në fuqi kontratën kolektive të lidhur me drejtorinë e kësaj kompanie dhe po lozet me ta si me top ping-pongu midis firmës private dhe shtetit, duke u mohuar atyre atë që u jep ligji dhe siç shprehet edhe Këshilli i Ministrave në VKM-në që cituam më sipër.

Në rastin e privatizimit të një kompanie me aksione shtetërore, siç është “Albpetroli” i lihet firmën tenderuese, që në rastin e pushimit nga puna të punonjësve të kësaj kompanie t’u sigurohet atyre paga për një vit dhe sigurimet e tjera. Ndërsa në rastin e punonjësve të të njëjtit sektor të nxjerrjes së naftës që punojnë në një firmë private shteti hiqet dorëjashtë nga detyrimet dhe përgjegjësia për pagimin e këtyre punonjësve të hedhur në rrugë padrejtësisht. Duket si një lëvizje djallëzore e qëllimshme periudha tranzitore prej një viti e gjysmë e kalimit të punonjësve nga kompania shtetërore në atë private, për të mos u paguar atyre dëmshpërblimin prej të paktën rrogën e një viti sa të sistemohen në një punë tjetër.

Dhe së fundi shqetësimi ynë lidhet me degradimin total të mjedisit ku nxirret nafta dhe mungesën e plotë të masave për gjenerimin dhe rikuperimin e mjedisit të shfrytëzuar, një çështje e anashkaluar totalisht në këto projektligje. Nga praktikat e deri tanishme duket e vështirë për t’u besuar se dëmtimet e rënda të mjedisit dhe katastrofat ekologjike që ka shkaktuar kjo ndërmarrje në dhjetëra vjet do t’i marrë përsipër për t’i rikuperuar kompania blerëse. Këtë askush nuk e beson, ndërkohë që ky është një problem për të gjitha zonat naftëmbajtëse pa përjashtim. Në komunën e Vllahinës është braktisur një fshat i tërë, Mërtiraj, për shkak të ndotjeve nga gazi e nafta dhe terreni është kthyer në një zonë të vdekur, në një shkretëtirë të vërtetë, edhe pse ndodhet në një prej zonave më të bukura të pellgut të Vjosës në rrjedhën e poshtme të saj. Banorët janë revoltuar dhe ankohen se kompania shfrytëzuese nuk ka kursyer as varret e të parëve të tyre për të hapur shtigje kalimi të pajisjeve apo për t’i kthyer në fusha për ngritjen e sondave të shpimit.

Dhe në mbyllje të këtij diskutimi, veç problemeve të tjera, çfarë përfituan banorët e këtyre zonave që fati i caktoi që ta ndërtonin jetën e tyre mbi arin e zi? Humbën punën dhe u hodhën në rrugë pa u dhënë as shpërblimin e një jete që kontribuuan në këtë sektor; kaluan një jetë të vështirë në mjedis të ndotur e ajër të helmuar, të rrezikuar shpesh edhe me jetën e tyre; dhe më në fund kërcënohen që t’i përzënë edhe nga shtëpitë e tyre, t’u marrin tokën dhe pronën, jetën dhe vetë ekzistencën.