Liqeni i Pogradecit, trashëgimi botërore e UNESCO

Nga Dorjan
Shkruar ne 28 Mar 2012 ora 4:56pm

TIRANE - Liqeni i Pogradecit do të shpallet Pasuri Botërore e mbrojtur nga UNESCO. Burime zyrtare bëjnë të ditur mbi axhendën e delegacionit që mbërrin pas tri ditësh në Pogradec.

Ata do të merren me përgatitjen e dokumentacionit dhe kriteret për aplikimin e pjesës së Liqenit të Ohrit, që i takon Shqipërisë, për t’u bërë pjesë e projektit të UNESCO-s, ashtu si dhe pjesën tjetër të liqenit që i takon Maqedonisë, të cilën e ka shpallur që në vitin 1982 si trashëgimi botërore që ruhet nga UNESCO. Kjo e fundit i ka kërkuar që në vitin 1982 palës shqiptare që ta fusë dhe pjesën shqiptare në trashëgimi botërore, por udhëheqja e atëhershme komuniste nuk pranoi. 

Kështu, delegacionit të UNESCO-s në vitin 1982 i ngeli projekti në dorë, madje ishte planifikuar që përveç liqenit UNESCO të merrte në mbrojtje edhe parkun e Drilonit dhe burimet e Drinit. U deshën plot 30 vjet që UNESCO të vijë përsëri në Pogradec dhe të miratojë dhe pjesën shqiptare të liqenit “Trashëgimi botërore që ruhet prej saj”.

Ing. Dashamir Kurti, që merret me monitorimin e ujërave të liqenit në laboratorin në Pogradec thotë , se është një ngjarje e madhe, që kjo ide e kamotshme të bëhet realitet. “Është shumë e rëndësishme që ajo që propozohet nga UNESCO, që të bëhet zgjerimi dhe mbrojtja e tërësishme e Liqenit të Ohrit, jo vetëm në pjesën maqedonase por edhe në atë shqiptare, është mirëpritur nga pala shqiptare dhe na obligon që të ndërmarrim të gjitha aktivitetet e duhura për të garantuar mbrojtje maksimale të Liqenit të Ohrit, si trashëgimi natyrore dhe kulturore me vlera të mëdha”, – shprehet ai.

Ata angazhohen për rregullimin e sistemit të kolektorit përgjatë gjithë vijës liqenore në të dyja anët e kufirit, bashkë me shfrytëzimin turistik të liqenit, që sjell edhe leverdi materiale, por do të mbrohet nga dëmtimet dhe deformimet pranë lokaleve që kanë betonuar bregun, duke i bllokuar liqenit jashtëqitjen e tij. Vetëm pjesa shqiptare ka nga fshati Lin deri në Tushemisht 4,8 km breg të betonuar.