Liri Belishova: Pengu që kam për time bijë Drita Çomon.

Nga Dinejda
Shkruar ne 21 Maj 2012 ora 3:48pm

TIRANE-Liri Belishova prej kohësh është shkëputur nga jeta publike. Mosha dhe shëndeti duket se e kanë larguar prej botës, e megjithatë shpesh ka arsye të forta për të cilat ajo rikthehet. Për një nënë, fëmija është më shumë se një arsye e fortë. Botimi në italisht i librit të së bijës, ditarit të Drita Çomos ia çon zemrën peshë. Ndonëse e di që libri është botuar, lajmin që ai po vlerësohet e mëson prej nesh. Ngazëllehet edhe më shumë kur i dëftojmë se e kanë konsideruar me Anna Franku-n. Na thotë se të vdekurit jetojnë për sa kohë kujtohen prej të gjallëve dhe se kjo është një lloj jete e dytë e së bijës, të qenit mes nesh me ditarin e me poezitë. Të shkruara në një kohë të mjegullt, kur e ëma nuk qe pranë saj, e kur ankthi ia agonte ditët e ia ngryste netët, “kujtimet-ditar” të Drita Çomos kanë tjetër domethënie për të ëmën. Kur në fillim i kërkojmë të na japë një intervistë, Liri Belishova stepet. “Nuk dua të flas moj bijë se nuk kam qenë mirë. E kam të vështirë të flas për Dritën, më dhemb në zemër …”, – na pat pëshpëritur më gjysmë zëri përmes receptorit të telefonit, por në të njëjtën telefonatë pranoi të na priste për një bisedë mbi Dritën. Kur i trokasim në derë, na pret krahëhapur.
E ka të vështirë të flasë për të bijën, preket, mblidhet, humbet në kujtime, përlotet, nis të flasë, hesht, thotë tri fjalë e prapë hesht, për ta fiksuar kujtimin diku, kaq pranë e kaq larg, ndërsa para sysh ka imazhin e së bijës në të fundit herë që e pa.
Ndihet fajtore sepse punoi për atë regjim bashkë me të atin e Dritës, në kohët kur të rinjtë që patën luftuar me ëndrra e shpresa deshën të ngrinin Shqipërinë për të cilën kishin luftuar.
Ndihet fajtore se të bijën e vrau “regjimi për të cilin unë dhe i ati i Dritës punuam”, – thotë me gjysmë zëri, ndërsa sytë e kanë humbur ngjyrën për shkak të lotëve. Rrëfimi i saj vjen i ngadaltë, teksa herë-herë Belishova humbet në kohë të vjetra që teksa përpiqet t’i sjellë në vëmendje e zhysin në thellësinë e tyre. I duhet patjetër të shohë pas pikërisht në ato kohë sepse atje ka Dritën, kërthiun që e humbi në jetën tjetër.
I duhet të na flasë për fëmijërinë e së bijës, rininë, ditarin, ëndrrat e shpresat, por do i duhet të ndalet edhe tek pengjet e zemrës së një nëne që sot e shkuar në moshë ende sëmbon.
Kohët e një ditari
Drita Çomo do t’i jetonte ato 23 vite të jetës së saj në një kohë të çmendur. Në më të shumtën e këtyre dy dekadave, ajo do të ishte larg familjes e shpesh vetmia do ta brente përbrenda. Qe në këto kushte që filloi t’i besonte më shumë se sa njerëzve, një fletoreje. “Drita mbante një ditar që e kishte si shoqe të sajën, si mike e në të do shkruante për veten, ku hidhte përshtypjet e mendimet. Sigurisht në atë kohë ajo nuk mendonte se ky ditar do të botohej”, – thotë e ëma sot. Belishova vëren se shënimet e para në ditar, e bija i ka shkruar më 13 qershor 1976, kurse të fundit i ka lënë në datën 8 shkurt 1981. Ajo do të ndahej nga jeta 11 ditë më vonë, në një dhomë të spitalit onkologjik pas një lufte të gjatë me sëmundjen. “Ditari i saj nuk është i plotë”, – na thotë Liri Belishova. “Fletoret e para ku ajo shkruante ditarin kanë humbur. Ia pat marrë Sigurimi”, – pëshpërit ajo me keqardhje dhe na rrëfen edhe një tjetër detaj të dhimbshëm: “Pasi u botua ky ditar në shqip, më erdhi një zonjë për të më takuar. Ishte bashkëshortja e një prej ish-oficerëve të Sigurimit dhe na dorëzoi dy blloqe të Dritës. I kishte gjetur në letrat e të shoqit”. Teksa prek imazhin e së bijës në kopertinën e njërit prej botimeve të ditarit, Belishova tregon se e bija la të shkruara mbi 600 faqe, por duke marrë parasysh se jeta e saj qe shumë monotone dhe e njëllojshme (çka ditari e pasqyronte), atëherë ata menduan të bëjnë një lloj seleksionimi në mënyrë të tillë evitimin e përsëritjeve. Nga ana tjetër, poezitë i janë botuar të gjitha, me ndonjë përjashtim të vogël.
Botimet e rrëfimeve
Kur e pyesim se si u botua fillimisht në shqip libri, Belishova kujton jo pak e prekur. “Ditari u botua me ndihmën e madhe të Ismail dhe Helena Kadaresë. Ishim kthyer në Tiranë dhe unë me tim shoq, babanë e Dritës, Maqo Çomon, vendosëm t’i bënim një vizitë Ismail Kadaresë. Shpresonim që të gjenim përkrahjen e tij për ta botuar”. Dhe në fakt shkrimtari u tregua i gatshëm duke dhënë kontributin e vet të çmuar që ditari i Dritës të shihte dritën e botimit.
Belishova kujton se Kadare e lexoi shumë shpejt kopjen që ata i dhanë. Ditë më vonë do iu telefononte dhe Belishova do të shkonte ta takonte. “Më tha se do të interesohej për ta botuar dhe më kërkoi t’i tregoja rreth jetës së Dritës”, – rrëfen ajo duke u shprehur edhe se “parathënia që ai i ka bërë librit është me të vërtetë një shkrim shumë i bukur”. Prej asaj kohe, ky libër ka pasur katër botime në shqip, çka tregon interesimin e madh që lexuesi shqiptar ka treguar ndaj poeteshës.
Vlerat e Çomos shkrimtare bënë për vete edhe përkthyesin Edmond Tupe, i cili i propozoi Belishovës që libri të përkthehej e të botohej në frëngjisht. “Edmond Tupe kishte biseduar me ambasadorin francez në Shqipëri (në atë kohë) dhe i kishte sugjeruar që Drita të botohej në Francë. Tupe mori përsipër ta përkthejë dhe pastaj sërish me ndihmën e Ismail Kadaresë u publikua edhe frëngjisht”, – thotë Belishova.
Botuesi francez botoi vetëm ditarin pa poezitë sepse mendoi se për lexuesin francez është i vështirë leximi i poezisë së përkthyer.
E mbas versionit frëng, e ëma e poeteshës mendoi se do të ishte mirë që të botohej edhe në italisht. “Drita kishte një admirim për letërsinë, artin dhe përgjithësisht kulturën italiane e kjo është diçka që pasqyrohet edhe në ditarin e saj”, – na rrëfen Belishova.
Edicionin italisht e mori përsipër ta përkthente Klara Kodra dhe nënës së Anna Frankut shqiptare, i pëlqeu kjo sepse Klara është vetë poete. Por, nuk do të ishte kaq e lehtë të gjeje shtëpi botuese. Në këtë rast do të jepte ndihmën e tij arbëreshi Francesco Altimari, profesor në Universitetin e Kozencës. “I jam shumë, shumë mirënjohëse sepse ai u mundua dhe u interesua tepër që të gjente shtëpinë botuese dhe pastaj u interesua edhe për të organizuar një aktivitet për promovimin e librit që u bë në shkurt në Kozenca. Unë isha e sëmurë dhe nuk munda dot të shkoja, por mori pjesë në aktivitet im bir”, – tregon Belishova.
Mesazhi i një poeteshe dhe jeta që s’qe jetë
Librin në gjuhën italiane e kanë shoqëruar edhe artikuj të ndryshëm në media. “Il quotidiano” është një prej tyre, por aq që e bën edhe më të gëzueshëm lajmin e botimit është krahasimi i Dritës me Anna Frankun. Në këtë pikë, e ëma e Dritës ndihet e lumtur që e kanë konsideruar me vajzën hebreje. “Në të vërtetë është një cilësim i goditur. Anna Frank ishte viktimë e racizmit nazist, viktima të të cilit kanë qenë me qindra e mijëra hebrenj. Drita është viktimë e një lloji tjetër racizmi, i një racizmi të mbështetur mbi ideologjinë komuniste që ushtronte diktatura komuniste në Shqipëri”, – artikulon ajo, jo pa një sëmbim zemre.
Belishova kujton se “Drita ishte vetëm 4 vjeç kur u dënuam ne prindërit e saj. Unë dhe Maqo Çomo të akuzuar për revizionizëm. E gjithë jeta e saj kaloi në këtë persekutim. Hebrenjve iu vinin një yll të verdhë që të dalloheshin, ndërsa në Shqipëri nuk qe ky lloj ylli, po damka e prindërve të dënuar, Dritën e shoqëroi gjatë gjithë jetës së saj të shkurtër sepse ajo rrojti vetëm 23 vjet”.
Në këtë pikë, e përlotur ndalet. A jetoi e bija në fakt 23 vjet? A qenë jetë këto vite? Belishova mendon të kundërtën kur shprehet se “nuk është e saktë të thuhet se jetoi 23 vjet sepse edhe këto vite ajo nuk bëri një jetë normale, nuk mund të quhet jetë, jeta që bëri ajo. Një fëmijë që u nda që foshnjë nga prindërit, nga nëna dhe babai i saj. Unë u internova në një fshat malor të Progonatit dhe nuk mund ta mbaja me vete vajzën e vogël”.
Ato 23 vite të Drita Çomos qenë një vuajtje e stërzgjatur, me prindër në mungesë e me një re frike e ankthi që e përndiqte, njësoj si ylli i verdhë i hebrenjve. Takimet e familjes s’do të ishin të shpeshta e koha për t’u çmallur e pakët.
Liri Belishova kishte qenë luftëtare anti-fashiste, një nga drejtueset e rinisë në Tiranë e pastaj një nga drejtueset e rinisë anti-fashiste të gjithë Shqipërisë. Pas çlirimit kishte pasur përgjegjësi të mëdha: Do të bëhej presidente e rinisë dhe pastaj anëtare e Byrosë Politike e sekretare e Komitetit Qendror. I ati i Dritës, kishte luftuar për çlirimin dhe arriti të bëhej ministër i Kontrollit dhe pastaj i Bujqësisë. Ende sot, Belishova pyet më gjysmë zëri: “Përse duhej të dënoheshim ne? Çfarë bëmë?”
Kur lindi Drita që do të shuhej
Liri Belishova ishte ende anëtare e Byrosë Politike kur solli në jetë të bijën Dritën. Pat dashur ta quante Diana sepse asokohe ndërsa priste që vajza të vinte në jetë, pat lexuar një libër të Viktor Hygosë, ku protagonistja quhej Diana. “Meqenëse Hygoi e kishte përshkruar bukur Dianën, doja që ta quaja vajzën me këtë emër, por i ati këmbënguli që ta quanim Drita dhe ashtu u bë”, -kujton ajo.
Drita Çomo pat një botë të brendshme po aq të madhe sa e vogël qe ajo e jashtmja. Lexonte libra pa fund, e përmes tyre shpirti i saj sa vinte e bëhej ende me i lirë. Kur e pyesim Belishovën nëse qe ajo që e shtyu drejt leximit Dritën, ajo shprehet se nëna influencon tek fëmija në disa mënyra, por varet edhe nga fëmija se sa merr. Duke mos dashur t’i marrë për vete meritat, por edhe për të treguar një të vërtetë të pamohueshme, Belishova thotë se qenë kushtet e jetës së Dritës që e bënë të jepej pas librave. “Nuk pati mundësi të jetojë si një fëmijë normal, si një vajzë normale që shoqërohej me shokë e me shoqe, nuk pati mundësi të dëfrehej. Bota e saj u bë bota e librave”, – vëren ajo.
Belishova rrëfen se të bijës i pëlqente shumë të lexonte dhe të diskutonte me të ëmën për librat që lexonte, madje vijoi të lexojë edhe pasi iu zbulua sëmundja e saj( Drita vuajti nga kanceri). Duke nxjerrë në pah forcën e madhe që pat poetesha e re, Belishova thotë se: “Një fatkeqësi e tillë mundet që ta demoralizojë një vajzë të re e fare të brishtë, aq më tepër vajzën e dy njerëzve të dënuar. Por, Drita pati një forcë shpirtërore që e përballoi diktaturën dhe mund të them se edhe se e mundi atë”.
Ditët e perëndimit
Po i quajmë ditë të perëndimit, ditët kur Drita i kaloi duke e ditur se sëmundja do ta çonte drejt një fundi të shpejtë. Qenë ditë kur ajo fikej përherë e më shumë, çdo ditë nga pak. Qenë ditë kur ajo e shihte fundin në sy, por pa u trembur. “Nuk u dorëzua, – thotë e ëma, – përkundrazi, jo vetëm që në shkollë mësonte dhe ishte nxënëse e dalluar, por filloi të mësojë edhe anglisht vetë, ndërsa rusishten e kisha ndihmuar unë ta mësonte”.
Forca që Drita i dha vetes duhet të jetë një shembull frymëzimi për të rinjtë.
Po italianët, çdo mësojnë prej vajzës shqiptare? “Të rinjtë italianë do të formojnë një ide më të saktë e më të mirë për popullin fqinj, për shqiptarët përmes Dritës. Ky popull nuk është vetëm disa emigrantë që nuk u sollën mirë në fillim në Itali dhe i bëri njerëzit të mendojnë se ky popull është i paqytetëruar apo i egër”, – thotë e ëma. Për Liri Belishovën, me shembullin e Dritës italianët mund të kuptojnë më mirë se ç’ishin diktaturat e lindjes dhe çfarë rreziku i vinte Europës nëse këto diktatura do të ishin vendosur edhe në vende të tjera të Europës. “Besoj se do t’i ndihmojë të vlerësojnë lirinë, demokracinë dhe vetë jetën që nuk duhet shkuar kot. Njeriu e ndjen ç’është ajri për jetën e tij vetëm kur ai mungon në konditat e asfiksisë. Ashtu është edhe liria e demokracia për jetën e njerëzve, ata që e kanë nuk e kuptojnë dot se çdo të thotë të mos e kesh, të jetosh pa to”, -shprehet ajo.
Pengjet e një nëne
Vitet ikin tutje. Që prej vitit 1981 kur Drita u shua kanë kaluar tashmë më shumë se dy dekada. E megjithatë Liri Belishova e mban mend si sot çdo detaj. “Për mua, nënën, është një fatkeqësi që nuk krahasohet me asnjë lloj tjetër fatkeqësie humbja e Dritës”, – thotë ajo. Gjithsesi, kjo grua “e hekurt” që i mbijetoi e vuajtur viteve pa fund të vështirësive e humbjeve ka pengjet e veta. E kur vjen puna te Drita, pengje ka shumë. “Gjithnjë mendoj sikur të kishte jetuar të paktën një ditë në demokraci e në liri, ta kishte ndjerë veten të paktën një ditë si një qenie e respektuar”, – na thotë Belishova. Por, menjëherë shton se gjithnjë mendon edhe fjalën tjetër se: “Të vdekurit vazhdojnë të jetojnë për aq kohë sa i kujtojnë të gjallët. Dhe unë jam përpjekur që ta frenoj dhimbjen time dhe të ndihmoj që Drita të ketë këtë jetë të dytë sa më të gjatë. Kadareja i madh në fund të librit ka një thënie të mrekullueshme: “Ky libër që del në dritë 16 vjet pas fikjes së vajzës bën pjesë në ripërtëritjen e ëndrrës së vjetër të njerëzimit, rikthimit prej territ dhe asgjësë. Dhe në këtë rast, ne i themi vajzës mirëserdhe në këtë jetë të dytë, ku nuk ka as veçim e as ankth”, – thotë Belishova. Për të, kjo është një shprehje e bukur që e ka gjithmonë ndërmend dhe gjithmonë përpiqet dhe mundohet se si ta bëjë sa më të gjatë këtë jetë të Dritës. “Botimi i librit në italisht bën pjesë në këtë ide timen sepse ky botim do t’i sigurojë Dritës mijëra miq të rinjtë italianë…”, – thotë e përlotur Belishova.
Sot
Emri i Drita Çomos është përjetësuar në emrin e shkollës 9-vjeçare të Cërrikut. Emri i saj u gdhend në shkollën e qytetit ku ajo jetoi gjatë e që sot e tutje do të kujtohet çdo ditë. Këshilli Bashkiak i Cërrikut, të cilin e Belishova e falenderon përzemërsisht, me vota unanime ka vendosur që shkolla e qytetit të ketë emrin e Dritës. Në hyrje të shkollës është vënë edhe një bust i Dritës realizuar nga Besart Papa, ndërkohë që një nga poezitë e poeteshës është kthyer në këngë me muzikë të Elliv Duros e interpretim të Ermira Babaliut.