Liri Berisha: Dashuria me Saliun, në fillim më tërhoqi zëri

Nga Dorjan
Shkruar ne 18 Mar 2012 ora 3:34pm

Liri Berisha, bashkëshortja e kryeministrit të Shqipërisë ka zbuluar disa detaje të historisë së saj me Sali Berishën. Gjatë një rrëfimi për emisionion televiziv “Arratia e peshkut të kuq” të gazetares Rezarta Reçi, zonja Berisha ka pohuar se jeta pranë një lideri ka sa vështirësi aq edhe kënaqësi. Zëri kumbues, karakteristikë e kryeministrit duket se ka qenë elementi që i ka bërë më shumë përshtypje në fillimet e njohjes së saj me atë që më vonë do të ishte bashkëshorti i saj.
Të qënit të dy mjekë në profesion ka qenë një avantazh që sipas zonjës Berisha ka ndikuar në mirëkuptimin e punës me orar të zgjatur e të ngarkesës së madhe psikologjike. 

NDRYSHIMI PAS VITEVE ‘90
“Në drejtim të jetës kanë ndryshuar shumë gjëra, kanë lindur fëmijë, jemi bërë gjyshër. Ka ndryshuar profesioni, më përpara Saliu, tani unë. Kurse në drejtim të ndjenjave, them se ato janë forcuar dhe nuk kanë ndryshuar”

FAMILJA
Gjyshja e gjashtë nipërve dhe mbesave dhe drejtuesja e një fondacioni për fëmijët autikë ka ditur të jetë edhe një pediatre e përkushtuar.
“Janë gjashtë nipër dhe mbesa. Kur i shikoj ashtu të rritur, e kuptoj sa shpejt ecën jeta. E para është Dasara, në vit të dytë në gjimnaz. Dalila, e cila është në klasën e tretë, Ambla në klasën e dytë, Medina në klasën e parë dhe Lajdoni që është në parashkollore dhe i vogli fare që mbush 2 vjeç është Arfti”.

ËNDRRA NË SIRTAR
Për zonjën Berisha ëndrra të tilla janë më shumë se një. Ajo vecon dëshirën për të patur më shumë se dy fëmijë, por edhe dashurinë për letërsinë. E lidhur me këtë të dytën ajo nuk e fsheh se ka dashur të ndjekë fakultetin e letërsisë. Por, ka edhe një ëndërr për të ardhmen: Këtë kërkon ta lërë surprizë, por zbulon se ka të bëjë me misionin në fondacionin “Fëmijët shqiptarë”.