Lista e Kryeveprave të Trashëgimisë Shpirtërore Kombëtare Shqiptare

Nga Dorjan
Shkruar ne 16 Apr 2012 ora 3:03pm

Anëtare e Komitetit Ndërqeveritar për katër vitet e ardhshme në  Asamblenë e Përgjithshme të shteteve palë në Konventën e Unesco-s për trashëgiminë kulturore shpirtërore,u zhgjodh Shqipëria me shumicë votash.

Së pari, në sesionin e rradhës së  Asamblesë së Përgjithshme të shteteve palë në Konventën e Unesco-s për trashëgiminë kulturore shpirtërore, Shqipëria u zgjodh me shumicë votash anëtare e Komitetit Ndërqeveritar për katër vitet e ardhshme, duke marë parasysh që ky komitet është organizmi më i rëndësishëm i strukturave të UN për trashëgiminë shpirtërore, dhe përfshirja e Shqipërisë në këtë strukturë, në sajë të përpjekjeve të përbashkëta të diplomacisë dhe kulturës, është vlerësim e njëkohësisht angazhim për të realizuar ato prioritete të rëndësishme që i kemi vënë vetes në këtë fushë.

Së dyti, duke marrë shkas nga vlerësimi dhe detyrimet që rrjedhin nga përfshirja në këtë Komitet, dëshiroj t ‘ju njoftoj që në mbledhjen e rradhës të Komitetit të Trashëgimisë Shpirtërore, u shpall lista e Kryeveprave të Trashëgimisë Shpirtërore Kombëtare, listë e cila përbëhet nga dukuritë më përfaqësuese dhe domethënëse te trashëgimisë shpirtërore shqiptare :

1. Isopolifonia popullore shqiptare ( e shpallur dhe nga Unesco) – Folklor vokal, instrumental dhe koreografik. Tipologji të trashëgimisë shpirtërore kombëtare shqiptare Shpallur “Kryevepër te trashëgimisë gojore dhe shpirtërore të njerëzimit”, UNESCO, 25 Nëndor 2005

IP është dukuria bazë muzikore në Shqipërinë e Jugut, e cila ndërtohet mbi parimin e këndimit të një apo disa zërave të ndryshëm solistikë, mbi një shtrat isoje të kënduar nga grup këngëtarësh. Tipet kryesore janë iso-polifonia labe, iso-polifonia toske dhe iso-polifonia çame. Iso-polifonia është 2-3 dhe 4 zërëshe, vokale, instrumentale dhe koreografike.

2. Eposi i Kreshnikëve – Folklor vokal, instrumental dhe koreografik. Tipologji të trashëgimisë shpirtërore kombëtare shqiptare. Cikël këngësh legjendare i shoqëruar me lahutë me në qendër dy vëllezërit Muji dhe Halili. Eposi konstatohet të këndohet në Malësinë e Madhe, Rranzat, Postribë, Shllak e Dukagjin, Nikaj Mërtur, Krasniqeja e Gashi, Bytyçi, Berishë, Has si dhe në Kosovë në Rrafshin e Dukagjinit me qëndrat: Pejë, Gjakovë, Prizren, Rahovec, Deçan, Istog e Suharekë. Sipas A. Uçit: eposi i kreshnikëve përfaqëson një kompleks poetik dhe etnokulturor. Koha e formimit të tij lokalizohet të jetë përpara dyndjes sllave në Ballkan, pra parasllav dhe paraturk. Sipas Sinanit: eposi ka vulën e përballimit të dyndjes sllave.

Përgjithësisht skema e ndërtimit të vargjeve të ciklit është e mbështetur në vargjet 6, 8, 10, 14 dhe 16 rrokëshe mbështetur mbi shkallët muzikore modale diatonike me ton gjysëm ton. Eposi nuk ekziston pa muzikë. Për shumë studiues të eposit të kreshnikëve, vlera e tij krahasohet me eposin homerik, sagat e Skandinavisë, Kalevalën, Nilinat ruse etj. Eposi është kënduar vetëm në odat e miqve, kuvendet e burrave si dhe në festa të ndryshme, pa stimuj materialë për rapsodët. Ndër këngët e veçanta të ciklit përmendim: “Martesa e Mujit”, “Fuqia e Mujit”, “Orët e Mujit”, “Vaji i Ajkunës”, “Martesa e Halilit”, “Muji e tri zanat e malit”, “Halili pret Pajo Harambashin”, “Orët e Bjeshkës” etj. Nga shumë studiues janë vënë re ngjashmëritë e eposit tonë me poemat homerike. Ndër ta përmendim Lambertz, Shmaus, Minna Skafte Jensen, etj.

3. Dialektet gjuhësore: dialekti geg dhe ai tosk – Folklor gojor. Tipologji e trashëgimisë shpirtërore kombëtare shqiptare. Mbështetur Ligjit 9048, dt. 07.04.2003 “Për trashëgiminë kulturore”, folklori gojor është teksti i krijimit popullor, i pashoqëruar me muzikë, i cili lexohet ose tregohet.

4. Muzika popullore homofonike e Shqipërisë së Mesme – Folklor vokal, instrumental dhe koreografik. Tipologji të trashëgimisë shpirtërore kombëtare shqiptare.

5. Ahengu qytetar shkodran – Folklor vokal, instrumental dhe koreografik. Tipologji të trashëgimisë shpirtërore kombëtare shqiptare.. Ahengu shkodran është pjesë e rëndësishme e repertorit të muzikës popullore të qyteteve shqiptare të Gegërisë. Ahengu organizohet në “perde”-shkallë muzikore specifike të cilat janë gjithësej dymbëdhjetë. Në ç’do perde gjejmë një repertor muzikor, kryesisht këngë, melodi me vegla apo dhe valle të cilat ndërtohen mbi këto shkallë muzikore. Thuhet se numurat muzikorë të ahengut janë rreth 300 njësi. Ahengu fillon të kristalizohet aty nga fillimi i shek XVIII.-të. Ahengu në Shkodër ka pasur një rregull të veçantë: këngëtari duhet të këndonte këngët e ahengut njera pas tjetrës. Ahengu bëhej natën e dasmës, ditën e martesës, mbrëmjen e kurorës deri në mëngjesin e ditës së nesërme. Ahengu shoqërohet nga formacioni i përbërë nga vegla popullore si dhe ato të importuara. Veglat muzikore përbërëse të ahengut qytetar të Shqipërisë veriore në shekullin e kaluar ishin klarinetë, saze,violinë, kavall, dajre, çapare. I shprehuri melodik i ahengut është monodik, si dhe monodi me shoqërim.

6. Mjeshtëria e punimit të veglave muzikore popullore – Zeje tradicionale pjesë e trashëgimisë shpirtërore kombëtare shqiptare. Mjeshtëria e punimit të veglave muzikore popullore përbën një zeje të veçantë në pamjen e përgjithshme të zejtarisë shqiptare. Deri në momentin kur filluan të onen dyqanet e para të punimit të veglave (gjysma e dytë e shek. XIX fillimi i shek. XX), është se veglat muzikore popullore punoheshin vetë prej ç’do familjeje dhe në veçanti prej bartësve të folklorit. Në rrugë artizanale në Shqipëri kanë qënë prodhuar dhe ende prodhohen vegla si gajde, fyelli, culë dyjare, çifteli, sharki, lahutë, dajre, daulle, lauri, buzuk, bakllama, llahutë etj. Në shumicën e rasteve, mjeshtrat që prodhonin veglat, punonin njëkohësisht edhe për prodhime të tjera të artizanatit popullor. Profilizimi i ngushtë i mjeshtrave të prodhimit të veglave, u formua rreth fillimit të shek. XX. Edhe në Kosovë historikisht janë prodhuar çiftelitë, lahutat, fyejt, kavallet, defet, lodrat, zumaret etj. Në shek XIX, filluan që të hyjnë në vendin one veglat e temperuara si violina, klarineta, fisarmonika etj, të cilat ndikuan në kufizimin e tregut të veglave të punuara në rrugë artizanale. Mbas çlirimit të Shqipërisë, në Tiranë u ngrit edhe një repart prodhimi i cili fabrikonte vegla muzikore popullore për nevojat e shtëpive të kulturës nëpër rrethe.

7. Vallja e vajzave dropullite – Folklor instrumental dhe koreografik. Tipologji e trashëgimisë shpirtërore të minoritetit etnik grek, pjesë e diversitetit kulturor në Shqipëri.
Kjo listë e përzgjedhur u shpreh Ministri i Kulturës, Z. Xhaferaj do të depozitohet edhe pranë strukturave përkatëse të UNESCO-s, e cila do të ndiqet nga një plan veprimi me masa konkrete për ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre.
Ai shfrytëzoi rastin për të ftuar personalisht të gjitha organizatat, shoqatat, njësitë e pushtetit vendor dhe qëndror të aplikojnë pranë MTKRS brënda datës 30 nëntor 2010 për projekte që synojnë ruajtjen e dukurive të mësipërme.
Festimet do të vazhdojnë të organizohen nga MTKRS dhe Organizatat për Zhvillim dhe Konservim në Gjirokastër, për nder të Ditëve të Trashëgimisë Kulturore Evropiane, në datat 1-3 tetor 2010.
Panairi i Artizanatit, ekspozitat dhe workshopi i organizuar me këtë rast, janë një rast unik për të eksploruar potencialet reale që qyteti i Gjirokastrës, ka si pasuri botërore e  të njerëzimit, vë në shërbim të vizitorëve dhe artëdashësve.