Londër, i shumëkërkuari Ndricim Sadushi u arrestua sepse rrihte gruan

Nga Dorjan
Shkruar ne 12 Pri 2012 ora 2:40pm

LONDER-U arrestua në Londër para pak ditësh një prej personave i akuzuar si anëtar i Bandës së Tan Kateshit.
Por sot tabloidi ‘The Sun’ shkruan mënyrën sesi u kap shqiptari që kishte 15 vjet që i fshihej policisë pasi akuzohej për 3 vrasje në Shqipëri.
Ndricim Sadushi, 41 vjec u arrestua fillimisht si një person që kishte ushtruar dhunë mbi bashkëshorten e tij në shtëpinë e tij në Southgate, në veri të Londrës.
Ka qenë një gjurmë gishtrinjsh të dërguara nga policia italiane që kur Scotland Yard i krahasoi me të Sadushit, rezultuan të njëjtat. 
Sadushi jetonte në Angli me emër të rremë. Ai njihej si një prej personave më të kërkuar në Britaninë e Madhe dhe Shqipëri. Arrestimi i tij u njoftua nga mediat angleze.
Sipas tyre fshihej në Britaninë e Madhe duke përdorur gjashtë emra të ndryshëm si identitete të rreme për t’i shpëtuar ndjekjes.
41-vjeçari që prej kohës kur ishte shpallur në kërkim, ishte larguar nga Shqipëria ku është dënuar me burgim të përjetshëm për krime të rënda mes të cilave edhe tri vrasje. Besohet se Sadushi ka hyrë në Angli në vitin 2000, duke arritur që të qëndrojë i pazbuluar në Britani prej 11 vitesh. Policia kishte për Sadushin një foto, e shpërndarë nga Interpoli dhe asgjë më shumë.

I kërkuari ishte akuzuar si pjesë e grupit të Tan Kateshit, grup kriminal që terrorizoi shumë qytetarë në vitet 90’. Ai ishte i fundit që i kishte shpëtuar arrestimit dhe Scotland Yard e kishte listuar si ndër më të kërkuarit në listën e të huajve me 14 gangsterët më të rrezikshëm. Bazuar në disa të dhëna të marra në rrugë operative, policia zbuloi se shqiptari ishte duke u fshehur në Londër dhe Merseyside dhe përpjekjet për ta kapur rezultuan frytdhënëse.

Në lidhje me arrestimin ka folur për median edhe Pëllumb Seferi, kreu i Interpol Tiranës. Ai është shprehur se “Sadushi është një prej 100 personave më të kërkuar, që besohet së qëndronte në Britaninë e Madhe. Ai ka drejtuar një grup të dhunshëm, që ka kryer krime serioze në Shqipëri”