Luan Rama: Shqipëria e 1800-s, në dorëshkrimet e konsujve francezë

Nga Dinejda
Shkruar ne 31 Maj 2012 ora 5:36pm

Anash, në të djathtë të kokës së varrit, tek veshi ka gjithnjë një dritarëz të vogël apo kamare, ku siç thuhet, ‘do të vijnë dallëndyshet për të më lajmëruar pranverën dhe bilbilat që do më tregojnë për majin e bukur’. Në varret e reja njerëzit kanë bërë blatime të shenjta: Një shportë me bukë, një enë me peshq të vegjël, një gjellë me bajame, rrush të thatë, oriz të zier apo grurë…”. Këto fjali janë shkëputur nga libri “Turqia dhe helenizmi kontemporan” i historianit e gjeografi Victor Bérard, mbas vizitës që ai bëri në varrezat ortodokse të Elbasanit.

Shkrimtari, gazetari e diplomati shqiptar Luan Rama ka zgjedhur ta sjellë në shqip këtë rrëfim të Berard-it, në librin “Bujtës të largët”, Tiranë 2012. Veç tij, Rama na sjell shënime konsujsh, historianësh, gjeografësh, arkeologësh, etnografësh e udhëtarësh francezë të shekullit XIX që kanë kaluar nëpër udhët shqiptare. Na vijnë në shqip përshkime e rrëfime për një vend që sot ka ndryshuar e lyer prej shekujve. “Bujtësit e largët” sjellin në kujtesë atë Shqipëri të ‘humbur’ që tek-tuk struket ndër legjenda mes malesh.

Si ishte vallë Shqipëria e shekullit XIX? Çfarë ndodhte në jetën e banorëve të saj? Cilët ishin këta njerëz dhe fqinjët e tyre. Nga vinin dhe çfarë ishte ardhmëria e tyre? Cili ishte ky “popull i të Bardhëve”, siç e quante historiani dhe linguisti Cyprien Robert popullin shqiptar? Këto pyetjet marrin përgjigje fletë pas flete, ndërsa ndiqet rrjedha e shënimeve të fisnikëve francezë që erdhën në këto anë, e panë këndej pari, rite, zakone, besëtytni e mitologji, disa prej të cilave vinin madje që larg, nga kohët pagane, për çka do të shkruanin hollësisht Robert, Hecquard apo Dumont. “Syri i keq’, zanat, kuçedrat, lubitë e dragonjtë, pemët me gurë apo proesionet funebre, ushqimet në varret e të vdekurve, gjithçka ishte një botë sa e vrazhdë aq dhe ekzotike, pasi shumica e këtyre riteve kishte pushuar së ekzistuari në shumë nga popujt e tjerë të të njëjtit qytetërim europian”, – vëren Luan Rama. Për vëllain e vrarë diku, motra kthehej në shpend. Dhe atëherë, na kujton Hecquard, duke e kërkuar “çdo mbrëmje mbi çati ajo klithte emrin e tij”. (Mitologji e legjenda).
Nisma
Nisma për të shkruar këtë libër ka qenë krejt e rastësishme për Luan Ramën. Ai do të takonte një ditë një regjisore, një mikeshë të tijën nga koha e artë Kinostudios, me të cilën pat punuar 25 vjet më parë. Ajo i kishte sjellë një video me një film që ata të dy patën realizuar bashkë mbi një bard të këngës epike, që në ato kohë jetonte në Curraj të Epërm, atje larg mes maleve të veriut shqiptar. “Një fshat i humbur përmes grykash pa rrugë, ku për të shkuar atje, duhej të udhëtoje katër-pesë orë në këmbë. Nuk di se kush më kishte folur rreth atij bardi 105-vjeçar, i quajtur Mëhill Vukaj, i cili me lahutë në dorë dhe veshur me tirqe të bardha, këndonte akoma këngë të gjata në mijëra vargje, këto ‘monumente’ të gjalla të traditës epike. Ai zgjohej dhe flinte me këngët e Mujit dhe Halilit dhe ato të Ago Ymerit”, – kujton Luan Rama.
Ndërsa shihte këtë film në Paris, në mendje iu shfaq ai udhëtim fort i lodhshëm, e prapë i paharruar, në ato shtigje buzë greminash, rrethuar nga pamje përrallore. “Nga një lartësi prej 2000 metrash, në Qafë Kolsh, udhëtari mund të shikonte atë gropë gjigande, gati kozmike, ku lumi i Cemit, poshtë, dukej si një vijëz e hollë ngjyrë blu, mes atij gjelbërimi të madh. Aty fillonin Bjeshkët e Nëmura, trojet e atyre këngëve epike të lindura në shekujt XIII-XIV dhe të përcjella brez pas brezi”, – shkruan Rama në libër. I kujtohet se që nga ajo kohë, udhëtimi nëpër malet shqiptare iu kthye në një pasion të veçantë, në një lloj pikëtakimi me qiellin dhe kishte gjithnjë në vetvete diçka të mistershme, si në malet veriore ashtu dhe ato të jugut shqiptar apo brigjeve të Jonit, në majat e Çikës apo të Pikëllimit.
Në Paris kishte pasur mundësinë të lexonte shënime udhëtimi të udhëtarëve dhe konsujve francezë që kishin përshkuar Shqipërinë e shekullit XIX dhe pikërisht në ato shënime, ai rigjente vendet që kisha shkelur dikur si kineast, shtigje thepisjesh, qafa marramendëse ku ulërinte era, ujëvara dhe pllaja dehëse. Në ato shënime, Rama gjeti Shqipërinë që kishte humbur ndër ato shekuj, ose që fshihej ndër male. Këto ndjesi, Luan Rama i përcjell me këto fjalë: “Përmes librave zbulova historinë e vërtetë të atyre maleve, të atyre bujtinave të legjendës që nuk ekzistonin më, por që kishin mbetur si toponime të vjetra. Zbulova copëza jete e historish që kishin ndodhur në malet e vendit tim, në qytete e fshatra, kronika befasuese dhe një epikë që shkëlqente në një varfëri të skajshme, ngjarje të cilat menjëherë mendova t’i përcjell në lexues të tjerë”.
Gjakmarrja
Kjo dukuri kaq e njohur në vendin tonë, ndër shekuj, nuk kishte se si t’iu shpëtonte udhëtarëve të huaj. Ata kanë përshkruar mënyrën se si ligjet e maleve, “Kanuni”, i cili edhe pse i pa shkruar ishte një ligj i patundshëm, i palëvizshëm e i përjetshëm. “Spektaklet rreth gjakmarrjes apo pajtimi i gjaqeve ishin skena që i çonin këta udhëtarë në kohëra shumë të largëta, në kujtesën homerike apo romane, në ritet tepër të vjetra frënge apo gjermanike, me ‘rrethin e gjakut’, i cili ishte ende i gjallë në këto male sa herë gjykohej rreth pagesës së gjakut apo të drejtës për të vrarë. Pajtimi mes dy familjeve në gjak ishte një spektakël i denjë për penën e tragjedianëve të mëdhenj klasikë, Sofokliu apo Euripidi etj”, – thotë Rama. Cyprien Robert, dëshmitar i këtij ‘spektakli’, e ka përshkruar me këto fjali këtë fenomen: “Dymbëdhjetë nëna të fisit që ka bërë vrasjen vijnë duke mbajtur në gji foshnjat e tyre dhe ato rënkojnë nga dhimbja në këmbë të njeriut që ka pësuar tragjedinë. Ndërkohë pleqtë diskutojnë çmimin e gjakut. Të gjitha plagët e të vrarët, numërohen me imtësi, duke caktuar çmimin që duhet paguar si në kodet e vjetra gjermanike apo në ritet e vjetra të frankëve. Më së fundi shfaqet fajtori, i cili ka varur në qafë armën që ka qëlluar viktimën. Ai zvarritet në gjunjë deri tek prijësi i gjykimit, i cili i heq atij armën nga qafa dhe e flak tutje. Familjarët e viktimës e marrin dhe e thyejnë atë. Kryetari i familjes tundet, qan, vështron qiellin dhe ndërkohë fajtori i puth gjunjët. Por ai i përgjigjet: ‘Shpirti im nuk është ende gati’. Më së fundi, kur ai është gati ta falë, ai e ngre fajtorin e mbytur në lot, e pështet pas gjoksit të tij dhe bashkë me të hidhen në krahët e prijësit pajtues. Një paqe e përjetshme vendoset përmes betimit midis dy fiseve, të cilët sipas shprehjes “gjaku u përzje” bëhen miq për kokë”.
Nga ana tjetër, Shqipërinë me 1878 e pat vizituar edhe shkrimtari Auguste Meylan. Sipas Ramës, i ka bërë përshtypje një legjendë të vjetër që qarkullonte në gojë-dhënën popullore. “Djalli thotë një legjendë e vjetër malazeze e shqiptare”, – shkruante ai në librin e tij “Përmes Shqipërisë”, – po kalonte nëpër botë me detyrën për të shpërndarë malet mbi këtë tokë. Duke kaluar nga Mali i Zi, thesi me gurë që mbante mbi shpinë u ça dhe gjithë ai vend u mbush me gurë. Dhe Shqipëria pati pjesën e vet. Ky vend është një nga vendet më të thepisura të botës: Male thikë që ndjekin njëri-tjetrin dhe njëri më i ashpër se tjetri. Në thellësi të luginave rrjedhin lumenj të cilët aty-këtu krijojnë liqene të vegjël e të mëdhenj…”, – vëren Rama.
Prejardhja
As origjina jonë nuk ka mbetur jashtë vëmendjes së këtyre udhëtarëve para dyshekullorë. Në të dytën gjysmë të shekullit XIX, studiuesit që përshkuan Shqipërinë shënuan në ‘ditoret’ e tyre edhe ndonjë mendim për prejardhjen e shqiptarëve, ajo pellazgjike është më e përmendura. Luan Rama vëren se ndryshe nga Pouqueville që hedh tezën se mos vallë shqiptarët kanë ardhur nga Azia, për Ami Boué-n dhe gjithë të tjerët, shqiptarët janë pasardhës të ilirëve: “Rrënjët e tyre janë në Iliri” – shkruante ai duke shtuar se “shqiptarët janë një popull i bukur dhe ndër më të vjetrit e Evropës”.
Konsulli Hecquard në librin “Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose i Gegërisë” thotë Rama, shkruan se shqiptarët “këta ilirë të lashtë i përkasin një dege të lavdishme të racës së bardhë që e quajnë ariane (të ‘Bardhët’, L.R.). Historia na sjell shumë prova të shkëlqyera të energjisë, mençurisë dhe veprimtarisë së tyre. Hecquard shënon se shqiptarët kanë ruajtur gojëdhëna dhe zakone kalorësiake që të kujtojnë botën e heronjve “tanë si tek ‘Chansons des Gestes”, (Këngë kreshnikësh), veçanërisht të Garin le Lohèrin…”, ndërsa nuk harron të theksojë se “Shqipëria i ka dhënë gjithnjë njerëz të shkëlqyer Greqisë së lashtë, perandorisë bizantine e së fundi Turqisë dhe Greqisë bashkëkohore”.
Por në fund të shekullit që po flasim, ‘prejardhja pellazgjike’ qe tejet e diskutuar. Luan Rama shënon në librin e tij “Bujtës të largët” se “një nga njohësit më të mirë të kësaj çështje, Louis Benlow në studimin e tij ‘Greqia para grekëve’, shkruante se ‘në tokën e Greqisë ka gjurmë të shumta të një qytetërimi më të hershëm në kohë sesa qytetërimi i grekëve … dhe se shumë nga emrat e qyteteve, maleve, lumenjve e personazheve të ndryshëm nuk i përkasin mitologjisë greke, por qytetërimit të pellazgëve dhe se gjuha shqipe është një çelës për deshifrimin e tyre”.
Nga ana tjetër, Rama nuk lë pa cituar edhe Cyprien Robert dhe librin e tij “Sllavët e Turqisë”, se kombësia e shqiptarëve, popullit të të “Bardhëve”, “shkon gjer në kohën e pellazgëve dhe popujt grekë e sllave i kanë gjetur padyshim atje, në trojet e tyre”. Konsulli francez në Shkodër, Alexandre Degrand, pas kërkimeve arkeologjike në nekropolet në Komanit pyeste nëse “vallë vërtet shqiptarët janë pellazgë, nga ajo racë që Homeri e cilësonte hyjnore, pra të jenë pellazgë të mbetur të pastër dhe të papërzier deri në ditët tona, duke ruajtur gjuhën dhe shumë zakone të tyre, siç afirmojnë dhe disa shkrimtarë modernë që e kanë studiuar këtë çështje?”.