Lufta e re e klasave në referencat shkencore.

Nga Dinejda
Shkruar ne 11 Maj 2012 ora 8:58pm

TIRANE-Lexova me endje para pak kohësh shkrimin e të nderuarit prof. K. Frashëri me titullin “Fillimet e monedhës, kreditit dhe bankës tek Ilirët”. Shkrimi brohoret origjinat e lashta të trevave tona, pra të paraardhësve tanë. E në këtë gatim historik kombëtar, që është intensifikuar gjatë këtij viti të festimeve të pavarësisë kombëtare, shkrimi jepte shumë informacione të vlefshme historike lidhur me zhvillimet e kahershme në historinë tonë.
Por megjithatë, shkrimi i profesorit të nderuar më la pas edhe një hije trishtimi përsa i përket “drejtësisë” mbi citimet e referencave e bibliografive shkencore. Më saktë, lidhur me mënjanimin (do ishte termi më i “butë” e më i saktë) e disa autorëve nga referencat e tij në këtë shkrim profesorial. 
Për shkak se këtë periudhë më kanë rënë në dorë dhe kam shqyrtuar me kureshtje punimet shkencore të dr. Arsim Spahiut, i cili thellohet veçanërisht në zhbirimin shkencor historik mbi Epirin dhe Pellazgët.

Edhe në shkrimin e përmendur, vërejta një mungesë absolute të referencës, qoftë edhe shkarazi, të punimeve nga autori A. Spahiu. Ky konkluzion vjen pasi dallojmë se sa afërsi të dukshme ka në nivelin e informacionit shkencor, nga sa lexojmë te shkrimi i profesor K. Frashërit.
Më saktë po përmendim tekstualisht: pjesën e hyrjes së shkrimit, ku Frashëri shkruan mbi faltoren e Dodonës dhe vendin e saj sipas historianëve. Në librin që thellohet krejt mbi këtë temë, me titullin “Orakulli i Dodonës dhe epirotët – mitologjia dhe feja epirote” (Botimet Geer, 2008) Dr. Arsim Spahiu shkruan në faqen 19: “Po ashtu, në Librin VII, Straboni, duke iu referuar disa autorëve të tjerë grekë, sqaron përkatësinë etnike të orakullit: “Ky orakull, sipas Eforit, është ndërtuar nga pellazgët…”.
Informacione që duken me prejardhje të tillë, pra që duhet të kishin autorin A. Spahiu në referencë, hasim edhe në faqet 26 e 27 të librit të tij sa më sipër.
Dr. Arsim Spahiu, dikur i internuar nga regjimi i mëparshëm në Shqipëri, ka rinisur të gjitha studimet e larta pas vendosjes në Francë; ai ka marrë gradën Doktor në Universitetin e Franche-Comté-së këtu në Francë dhe është specializuar në historinë e Epirit e të pellazgëve. Librat e tij marrin përsipër të hedhin dritë të re mbi praninë ilire në Greqinë e vjetër. Kohët e fundit ai ka botuar në Tiranë një seri me libra që përfshijnë studime mbi mitologjinë, gërmimet arkeologjike, ndër-timin shtetëror në Epir.
Këto punime shkencore në fushën e historisë kanë sjellë dhe një kënd të ri e jo fort të zakontë në ligjërimin shqip të shkencës së historisë, për faktin e thjeshtë se autori është formuar e thelluar në një shkollim, ku merr përparësi metodologjia e studimit historik. Kjo duket qartë në librin e tij “Iliriciteti i maqedonëve dhe i epirotëve” (botimet “Mësonjëtorja” 2006). Lexuesit shqiptar i ka rënë në dorë tashmë edhe punimi tjetër i rëndësishëm i tij, “Pellazgët dhe ilirët në Greqinë e vjetër” (që është edhe teza e tij e doktoratës, botuar nga “Mësonjëtorja” 2006).
Mungesa si bibliografi, si referencë shkencore e Dr.Spahiut edhe në këtë shkrim të zotit Frashëri, na le një shije bajate: atë të raportit jo-dashamirës që ne shqiptarët kemi në përgjithësi lidhur me tekstet e autorëve. Pa dashur aspak të shfryjmë akuza, argumenti ynë lidhet pas “faktit” se historikisht, ndër ne, merren në konsideratë vetëm autorët (miq, shokë, kushërinj, lidhje të vjetra, etj), por jo tekstet në vetvete, punimet e mirëfillta që duhet të flasin më shumë se emrat e mbiemrat.
Historikisht në publicistikë, raporti letrar e shkencor vazhdon të mbetet tejet organik, pra joshkencor. Dhe shumë pak është ai tekstual, pra raport i respektit dhe i dashamirësisë. E kur flasim për respekt e dashamirësi nuk është aspak fjala te përnderimi në formë lëmoshe, por afria shkencore e konceptuale me tekstet e librat e autorëve të mirëfilltë shkencorë.
Shkurt, historia jonë “shkencore”, në përgjithësi është ajo e fshehjes së referencave, e margjinalizimit të disa autorëve, e mospërmendjes në bibliografi, si dikur evokimi i njollës në biografi!
Në një regjim demokratik, pra, ku persekutimi i mundshëm nuk bëhet më me metodat e vjetra, duket që ka hije të luftës së re të klasave: ajo e kalimit në heshtje, e eliminimit me mos citim të autorëve shkencorë që nuk bëjnë pjesë në miqësitë tiranase të konsakruara nëpër vite.
Ndërkohë që në vitet e fundit ka vluar dukshëm në Shqipëri ana e kundërt: ajo e fabrikimit të autorësisë fallco; lëshimi i dyshimtë i gradave dhe çmimeve shkencore. E ca më keq: fabrikimi i autorëve pa vepër, shpikja dhe mbajtja gjallë e figurave të shquara, “dielli” i të cilëve ka perënduar qysh në vitet 60-të.
Është mëse e natyrshme të mendojmë që në këtë klimë, ushtrimi i autoritetit, i pushtetit akademik e shkencor e publicistik është edhe më i ashpër, edhe më jodashamirës ndaj autorëve të saktë e shkencorë mirëfilli. Sepse domini i titujve shkencore sa për ta tundur atë para hundës së njerëzve; studimet universitare e pas-universitare vetëm si pjesë e inflacionit të dijes dhe jo si funksioni i vërtetë i mendjes, këto kanë shkaktuar dy gjëra dëmtime kryesore në Shqipërinë e sotme: e para, humbjen totale të autoritetit të mirëfilltë shkencor (sajë injorancës dhe orientimeve partiake); dhe e dyta: mungesa e “detyrueshme” e respektimit ndaj punimeve e botimeve të tjetrit! Sepse në lehtësinë e marrjes së titujve, e në botimet e bëra pak a shumë me mundin e të tjerave e pa i cituar aspak, është “normale” që të mos krijohet respekt, ose të paktën dashamirësi tekstuale për autorët që thellohen vërtet në fushat përkatëse.
Veçanërisht në studimet historike, e ato që lidhen me Shqipërinë. Sepse ajo është edhe fushë e një abuzimi të kollajtë e të mungesës së respektit shkencor, pikërisht se bëhet fjalë për kombin përkatës!
Fshehja e burimeve shkencore, tëhuajëzimi i autorëve, sidomos ata që kanë studiuar jashtë Shqipërisë e që nuk janë të lidhur me qendrat e tarrafllëkut shkencor e publicistik, këto duket janë fatkeqësisht tipare të historikut tonë sa i përket ftillimit të bibliografive dhe referencave shkencore.
Politika e mënjanimit me anë të heshtjes, duket është “strategjia” e ndërtimit të hierarkikeve të reja (sa dhe të vjetra!) në fushën shkencore e filologjike veçanërisht. Gjithçka që lidhet me shkencat filologjike, nga historia e deri te etalonëzimi i përkthimit letrar, duket që ngec në referencat e viteve 1988-1990, dhe e ka shumë zor, mesa duket, ta kalojë këtë cak.
Mendojmë se ky është një problem kyç në mundësinë për emancipimin qytetar e intelektual te ne në Shqipëri sot. Është një mangësi më e hidhur sesa të gjitha fazat a para të tranzicionit, apo të piramidave financiare: sepse vënia apriori në mungesë dhe në dyshim e pasurisë intelektuale, e ligjërimit dhe shkrimit të mirëfilltë shkencor e intelektual, e zgjat në pafundësi tranzicionin tonë dhe varfëron çdo optimizëm për të ardhmen. Sikundër përcakton me të drejtë shkencëtari francez Henri Laborit: “Pak gjasa ka për ndryshim mes nesh, njerëzve, nëse nuk shpërhapet si duhet ndër ne funksioni i vërtet i trurit dhe i dijes”.