Margarita Xhepa: Nuk aktrova kurrë në prezantimin e festivaleve të RTSH

Nga Dinejda
Shkruar ne 11 Maj 2012 ora 11:58am

Festivali i Këngës në RTSH në vitin 2011 shënoi dhe 50 vjetorin e tij, ndërsa dekada më parë emrat që e realizuan dhe e prezantuan atë edhe pse ishin shumë larg kushteve profesionale, falë punës me vlera sollën një aktivitet që deri në vitet ’90 ishte më kryesori dhe më i rëndësishmi në vendin tonë.Pas viteve ’90 festivali filloi të zbehej, ndërsa vlerat e tij janë reduktuar. Por në fillimet e tij aktiviteti më i madh i këngës së lehtë shqiptare mblodhi emrat më të njohur të artit të atyre viteve. Regjisori i parë i Festivalit të Këngës në RTSH ishte Luigj Gurakuqi. Në regjinë e tij janë realizuar 4 festivalet e para, nga 1962 deri më 1964. Lidhja e tij me festivalet ishte e trefishtë, regjisor, prezantues dhe autor tekstesh. Së bashku me aktoren e madhe shqiptare Margarita Xhepa njihen edhe si të parët prezantues të festivalit në RTSH, dhe këngëtarja e madhe Vaçe Zela u shpall këngëtarja më e mirë e festivalit me “Fëmija i Parë”. Muzikën e këngës e krijoi Grimci dhe tekstin Dionis Bubani, por festivali nuk pati çmim. Aktorja e madhe Margarita Xhepa kujton se e ka pritur me shumë gëzim prezantimin e festivalit, ndërsa tregon se aty shkonte pasi ajo ishte njohur më parë me skenën. “Festivali i parë u bë tre net në TOB. Unë isha spikerja e parë e këtij aktiviteti dhe këtë e prita me shumë gëzim. Më kujtohet se në atë kohë ishte një ngjarje e madhe. Unë e njihja skenën, por spikerja kishte shumë përgjegjësi. Aktori nuk duhet të interpretojë në prezantim, por duhet që të njoftojë. Spikerja duhet të jetë në funksion të spektatorit, zëri duhet të jetë i qartë, duhet prezantimi i këngëtarit dhe respekti ndaj spektatorit”, pohon aktorja e njohur. Sipas saj, sot nuk duhet të jetë shqetësim në prezantimin e festivalit pamja e jashtme, por duhet që prezantuesit të jenë të përqendruar tek prezantimi i këngëve. “Edhe sot kemi spikera shumë të mirë, por nuk duhet të jetë shqetësim pamja e jashtme, ata duhet të jenë në funksion të mendimit, të emocionit. Pse më zgjodhën? Mendoj se isha e re, e lezetshme, simpatike (qesh), isha 25 vjeç në atë vit”, pohon aktorja Margarita Xhepa. E ndërsa nga ana profesionale Margarita Xhepa ishte emri më i vlerësuar falë talentit të saj, aktorja tregon se në vitin 1962 mori rroba borxh kur u prezantua në skenën e festivalit në RTSH. “Ishin kohë të vështira dhe jo vetëm unë por dhe artistë të tjerë merrnin rroba diku tjetër. Unë mora tek shoqja ime fundin e zi dhe një bluzë krem, të cilat i vesha gjatë prezantimit në festival. Sot fatmirësisht nuk vuajnë nga këto gjëra. Ka veshje dhe prezantues të bukur, por duhet të kenë kujdes tek emocionet që duhet të përcjellin tek spektatori”, pohon Margarita Xhepa, “Artiste e Popullit”.
Prezantimi i festivalit nga 1962 deri në vitin 1990
Pas Margarita Xhepës dhe Luigj Gurakuqit, prezantues në vitin 1963 do të ishin Vera Zhenji dhe Skifter Këlliçi. Më 1964 prezantues ishin Drita Bardhi dhe aktori Bujar Kapexhiu, të cilët do të ishin në skenën e festivalit edhe në vitin 1965 dhe 1966. Në vitin 1967 aktorja Drita Bardhi është sërish prezantuese me regjisorin Albert Minga. Më 1968 skena i besohet sërish aktores me aktorin Roland Trebicka. Më 1969 prezantues janë Elisabeta Vasili dhe Kiço Fotiadhi, më 1970 janë Adriana Fishta dhe aktori Mevlan Shanaj. Festivali në vitin 1971 sjell në skenë Edi Luarasin dhe Viktor Zhustin. Festivali i 11 i njohur për historinë e tij prezantohet nga Bujar Kapexhiu dhe Edi Luarasi. Viti 1973 ishte shumë i censuruar dhe solli prezantues Flutura Çangu dhe Pandi Siku, më 1974 ishin Arta Dade dhe Esat Teliti, më 1975 ishin Rexhina Malaj dhe Kastriot Çaushi, më 1976 erdhi Rezarta Çeliku dhe Ilir Bibolli, i cili erdhi dhe më 1977 me Zerina Kuken, e cila ishte edhe në vitin 1978 në skenë me aktorin Ndriçim Xhepa. Më 1979 prezantues ishin Mimoza Tafaj dhe Dhimitër Gjoka, i cili një vit më pas do të ishte sërish në skenë me Zerina Kuke si prezantues. Viti 1981 solli sërish aktorin Ndriçim Xhepa me Anisa Markajani, 1982 Dhimitër Gjoka dhe Dhurata Kasmi, më 1983 sërish Ndriçim Xhepa dhe aktorja Matilda Markoçi, më 1984 Elvira Diamanti dhe Artan Imami, më 1985 Yllka Mujo, më 1986 ishte vetëm Ema Ndoja, më 1987 Silvana Braçe, 1988 Ina Gjika, 1989 Luiza Xhuvani dhe më 1990 gazetari Leon Menkshi.
Udhëheqësit artistikë nga 1962 deri më 1990
Festivali i Parë i Këngës në RTSH më1962, u realizua nën udhëheqjen artistike të Abdulla Grimicit, i cili  mbajti këtë rol, deri nën vitin 1964, për t’iu rikthyer pasi Nikolla Zoraqi udhëhoqi artistikisht festivalin e katërt të vitit 1965, në vitin 1966 dhe 1967. Stafeta i kaloi sërish, nga viti 1968 deri më 1974, Nikolla Zoraqit. Për gjashtë vjet me radhë, prej 1975 e deri në dhjetorin e 1980, udhëheqës artistik ishte Gjon Simoni. Me largimin e Gjon Simonit nga funksioni i tij në RTSH, në vitin 1981 udhëheqës artistik i festivalit ishte Spartak Tili, i cili do ta mbante këtë post deri më 1988. Një vit më vonë më 1989, Shaqir Rexhvelaj do të bëhej udhëheqësi i ri artistik, i cili do ta mbante këtë post deri më vitin 1990.