MASTERAT, 30 MIJË STUDENTË NËN FILTRIN E PLAGJIATURËS

Nga Dorjan
Shkruar ne 25 Mar 2012 ora 3:54pm

Ministri Tafaj: Kush abuzon, rrezikon vendin e punës dhe diplomën.

Punimet do publikohen online. Në sitë edhe 10 mijë pedagogë.

Janë rreth 30 mijë studentë të masterit shkencor dhe 10 mijë pedagogë që preken nga urdhri i fundit i Ministrisë së Arsimit për kërkimin shkencor. Përpara se të marrin diplomat dhe të mbrojnë tezat, do të jenë nën filtrin e plagjiaturës. Përjashtim bëjnë masterat profesionalë njëvjeçarë, të cilët nuk janë objekt i tij. Sipas rregullores së re, çdo veprimtari dhe publikim shkencor do të publikohet në faqen e universitetit. ”Kjo masë e ndërmarrë do të rrisë transparencën për titujt akademikë, çdo veprimtari, monografi, punim, publikim”, ka deklaruar ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Nga sa  përcakton rregullorja, do të penalizohen në raste plagjiature edhe udhëheqësit e tezave e disertacioneve. Ata rrezikojnë ndëshkime deri në largime nga vendi i punës. Sipas MASH-it, për herë të parë Shqipëria ka një akt nënligjor, i cili sanksionon standarde europiane që duhet të përmbushen në të gjithë veprimtarinë kërkimore shkencore dhe botuese që në studimet e masterit shkencor dhe më tej, në studimet e doktoratës dhe të veprimtarisë kërkimore shkencore e botuese në përgjithësi. “Këto standarde do të ndikojnë në rritjen e cilësisë dhe transparencës në gjithë veprimtarinë kërkimore dhe botuese të universiteteve dhe qendrave kërkimore”, është shprehur Tafaj. Rregullorja parashikon, ndër të tjera, detyrimin e institucioneve dhe kërkuesve për të publikuar në faqen zyrtare të institucionit, si dhe për të verifikuar me metoda bashkëkohore çdo tezë masteri shkencor, disertacion doktorate, monografi, libër, artikull shkencor apo referim dhe forma të tjera të kërkimit dhe botimeve për origjinalitetin, vërtetësinë dhe plagjiaturën. ”Publikimi në faqen zyrtare do të mundësojë që çdo studiues dhe kërkues të njihet me punimet e grupeve të tjera kërkimore, çka do të ndihmojë në përhapjen e arritjeve shkencore brenda dhe jashtë vendit”, ka sqaruar kreu i Ministrisë së Arsimit.
Rregullorja
Në një kapitull të veçantë të saj, rregullorja përcakton përgjegjësitë e kërkuesve, udhëheqësve shkencorë dhe institucioneve, si masa që ndërmerren në rastet e konstatimit të plagjiaturës apo dukurive të tjera të ndëshkueshme në veprimtarinë kërkimore shkencore dhe botuese. Këtë rregullore do ta ketë në dorë çdo student i masterit shkencor dhe doktoratës, si dhe çdo studiues dhe kërkues tjetër i universiteteve e qendrave kërkimore. “Përgjegjësinë për të zgjidhur rastet e identifikuara si veprime të ndëshkueshme e kanë: autoritetet drejtuese të njësisë kryesore dhe të institucionit, personi përgjegjës për vlerësimin paraprak të akuzave, këshilluesi për integritetin e kërkimit, drejtuesi i njësisë kërkimore (departamentit, grupit mësimor kërkimor), udhëheqësi i kërkuesit shkencor dhe kërkuesi shkencor”, thuhet në rregullore. Për raste të veçanta, ose rastet kur institucioni nuk jep zgjidhje, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgjegjësinë për zgjidhjen e tyre, si autoriteti më i lartë mbikëqyrës i veprimtarisë së institucionit kërkimor. “Institucionet duhet të përcaktojnë politika të qarta për trajtimin e ankesave. Institucioni përcakton në rregulloren e tij rastet e trajtimit të ankesave në lidhje me kërkimin shkencor. Në rregullore parashikohen masat që merren në rast të moszbatimit dhe shkeljes së kësaj rregulloreje”, përcaktohet në të.

30 mije studentë në master shkencor dhe doktoraturë  do të jenë pjesë e monitorimit dhe kontrolleve për plagjiaturë dhe vjedhje të dhënash e referencash në punimet shkencore të masterit dhe doktoraturës.

10 mije pedagogë janë gjithashtu objekt i rregullores së re të nxjerrë nga Ministria e Arsimit. Në rast se një student falsifikon materiale në punimin e diplomës së tij, do të penalizohen edhe udhëheqësit.

Autorësia
“Për t’u cilësuar si autor, kërkuesi jep një kontribut të rëndësishëm në kërkim dhe është i gatshëm të mbajë përgjegjësi për pjesën e punimeve në të cilat ka dhënë kontribut”, thuhet në rregullore. Roli i tij është i pazëvendësueshëm dhe është një investim intelektual themelor për hartimin e punimeve shkencore, për arritjen dhe përhapjen e rezultateve të veprimtarisë kërkimore shkencore dhe për komunitetin shkencor.