Matura 2012, 60 % e pyetjeve për Letërsinë

Nga Dorjan
Shkruar ne 24 Mar 2012 ora 1:49pm

TIRANË- Provimi i Letërsisë dhe i Gjuhës Shqipe do të jetë i pari që do t’u hapë udhë provimeve të maturës për këtë vit.
Ekspertët e Institutit të Zhvillimit të Arsimit kanë detajuar skemën e pyetjeve që do të përmbajë testi, së bashku me temat përgatitore që nxënësi duhet të përvetësojnë, për të siguruar kështu të drejtën e vijimit të garës për pranimet në universitetet publike si dhe mbarimin e shkollës së mesme me sukses. 

Teza e provimit edhe për këtë vit do të ndahet në dy pjesë, ku përfshihet testimi i njohurive për dy fragmentet e shkëputura nga veprat e autorëve shqiptarë dhe atyre të huaj.

Gjuha shqipe dhe letërsia është provim i detyruar i maturës shtetërore për të gjithë nxënësit që mbarojnë gjimnazin. Për këtë ata do t’i nënshtrohen një testi, në përbërje të të cilit do të jenë njohuritë dhe aftësitë e fituara gjatë gjithë viteve të gjimnazit. Ky test do të zhvillohet mbi bazën e programit orientues, i cili tashmë është shpërndarë nëpër të gjitha shkollat e mesme, së bashku me udhëzimet mbi përgatitjet që duhen bërë për provimin.

Testi do të ketë në përbërje fragmente nga tekste të ndryshme (tekst tregimtar, tekst poetik, tekst dramatik, tekst bindës/argumentues, tekst përshkrues, tekst shpjegues, tekst informativ, tekst eseistik, tekst kulturologjik), jo domosdoshmërisht të punuara në klasë. Struktura e pyetjeve do të ndërtohet në mënyrë të tillë ku të jenë të përfshira të tria nivelet e vështirësisë.
Struktura e testit do të jetë: pjesa e parë: tekst joletrar, që do të ketë 40 për qind të pyetjeve, që kryesisht do t’i takojnë gjuhës shqipe, ndërsa dy pjesët e tjera të teksteve letrare, që do të kenë secila nga 30 për qind të pyetjeve, do të jenë rreth fragmenteve të autorëve të përzgjedhur.

Në udhëzimin e procedurës së zhvillimit të provimeve të maturës 2012 është përcaktuar se provimi do të përmbajë 25 pyetje. Trembëdhjetë pyetjet e para janë me zgjedhje, ku do të rrethohet vetëm shkronja përbri përgjigjes së saktë. Pyetjet e tjera kanë kërkesa që janë me zgjidhje dhe arsyetim. Pranë secilës pyetje ka hapësirë për të kryer veprimet e nevojshme. Koha e vënë në dispozicion të maturantëve për zhvillimin e testit është 2 orë e 30 minuta.