MBI NJËQIND PËRKTHIMET E AFRIM KOÇIT

Nga Dorjan
Shkruar ne 21 Pri 2012 ora 4:37pm

Dita Botërore e Librit dhe e së Drejtës së Autorit i kushtohet këtë vit përkthimit. Me shkas përvjetorin e tetëdhjetë të Index Translationum (1932-2012). Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë bëhet pjesë e kësaj feste e shpallur nga UNESCO. Por Biblioteka e bën festën në shtëpinë e vet, në formën e një homazhi për gjithë vitet e punës së përkthyesit Afrim Koçi.

Veprimtaria “Afrim Koçi – 40 vjet përkthime” paraqitet nga Shpëtim Çuçka dhe Piro Misha, ish-kolegë në shtëpinë botuese shtetërore “Naim Frashëri”. Edhe po të mos flisnin ata, për 71-vjeçarin Afrim Koçi flet ekspozita që Biblioteka Kombëtare ka përgatitur për 23 prillin, ora 11.00. Nëndrejtoresha e BK-së Etleva Domi thotë se puna e heshtur, mbi 40-vjeçare e përkthyesit, ilustrohet me ekspozitën e librave që ai ka përkthyer. Nga fondet e BK-së janë nxjerrë mbi 110 tituj, përkthime nga rusishtja, gjermanishtja, italishtja, anglishtja, nga disiplina të ndryshme, letërsi, shkenca humane dhe sociale, histori, albanologji, filozofi.

Biblioteka Kombëtare është vendi ku prej vitesh Afrim Koçi kryen ritualin e tij të përditshëm, që është disa orë punë ngulur në një nga tryezat e kreut në sallën shkencore. Kështu që homazhi i BK-së për një njeri që pa qenë punonjës i saj është efektiv shpirtëror i saj, merr një kuptim të veçantë.

Bir i një babai librofil, Afrim Koçi e ka nisur karrierën e përkthimit në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” në vitet ‘60-të. Përkthente nga gjuha ruse, ku specialistët ishin me shumicë, deri sa me kalimin e kohës, në vitet shtatëdhjetë, vokacioni i tij u bë gjermanishtja. Sot ai njihet si përkthyes nga gjuha gjermane.

Fundi i epokës së censurimit dhe anatemimit shënoi rilindjen në shqipe të autorëve dhe veprave të ndaluara, po aq edhe rilindjen e përkthyesve.

Themelimi i disa çmimeve letrare në mesin e viteve nëntëdhjetë që përfshijnë edhe përkthimin letrar, përtëriu vëmendjen ndaj cilësisë së përkthimit në kushtet e një tregu babilonik të librit. Emri i Koçit u bë më i pranishëm, puna e tij edhe më voluminoze. Flitet për autorë që dalin në dritë, po flitet edhe për ata që i bëjnë të flasin shqip. Flitet shumë në vitet dymijë për “Kujtimet” e beut të fundit Eqrem Vlora, flitet edhe për toskërishten e rafinuar në të cilën do ta sillte prej gjermanishtes, Afrim Koçi.

Për përkthimin më të mirë nga gjuha e huaj në shqip, edhe kur është përkthim nga një gjuhë e dytë, “Shtatë vëllezërit” e autorit finlandez Aleksis Kivi, ai vlerësohet “për një shqipe të rrjedhshme e të pastër” me “Penda e Argjendtë” e Ministrisë së Kulturës,.

Bashkia e Tiranës i jep titullin “Personaliteti i Tiranës për vitin 2007”, si “një përfaqësues i denjë i plejadës së përkthyesve, të cilët me punën e tyre, që prej vitit 1945, i kanë dhënë letërsisë shqiptare vepra të çmuara të shkrimtarëve të njohur në mbarë botën”.

Edhe njëherë, Ministria e Kulturës, i jep më 2010 Çmimin Kombëtar të Letërsisë për Përkthimin e veprës voluminoze “Mali magjik” i Tomas Mann-it. Koçi ka qenë përkthyes i hershëm i shkrimtarëve të familjes Mann, Heinrich dhe Thomas dhe të birit të këtij të fundit, Klaus Mann. Por pa mundur, për rrethanat ideologjike, të sjellë në ato kohë kur “jo rastësisht dhe si rezultat i një pune studimore” ka njohur veprën e nobelistit gjerman. Në radhën e nobelistëve të gjuhës gjermane përkthen vepra nga Heinrich Boll, Gunter Grass, vitet e fundit nga Elfriede Jelinek. Vepra që kanë zënë vend në fondin e vlerave të përkthimit shqip nga: Holger Behm, Ekerman, Ludvig Ren, Heinrich von Kleist, Ibsenin, Tolstoi, Maksim Gorki, Jostein Gaarder, nga filozofë si Jurgen Habermas, historianë si Peter Bartl, Hurbert Neuëirth, nga albanologë si Johan Georg Von Hahn etj.

Punën që bën ai e ka quajtur “një thirrje e brendshme” që sa ç’është art, është edhe zanat, e që shpesh bëhet duke hasur vështirësi ekonomike.

Kontribute të këtij lloji synon të nderojë UNESCO duke e bërë temën e përkthimit motiv për të festuar në ditën e librit dhe të drejtës së autorit, të hënën, më 23 prill 2012.

Vetë “Index Translationum” është tregues i një kontributi botëror të përkthyesve për vlerat e njerëzimit. Bibliografia Botërore e Përkthimit, një listë e librave të përkthyer në botë ku Shqipëria ka kontributin e saj, ka akumuluar informacion për librat e përkthyer e të botuar në rreth njëqind vende anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën, Kulturën. Në ëktë listë kanë hyrë më shumë se 2 milionë regjistrime nga letërsia, shkencat sociale dhe humane, shkencat natyrore dhe ekzakte, arti, historia etj..

Të dhënat e “Index Translationum” e rendisin Shqipërinë në vendin e 46 me 5466 hyrje. Nga autorët, në krye të një liste me 50 autorë, është Agatha Christie me 7066 përkthime e me radhë, Jules Verne, Shakespeare, Blyton dhe Vladimir Iliç Lenin.

Për të festuar 80-vjetorin e “Index Translationum”, më 23 prill mbahet në zyrat qendrore të UNESCO-s debati për dobinë në të ardhmen e këtij indeksi, me pjesëmarrjen e ekspertëve në fushën e përkthimit dhe specialistë për tregun e librit.

Afrim Koçi:

“Jemi edukuar gjithmonë me një letërsi ruse, por që gjithsesi na krijoi mundësinë për të kaluar tek shumë vepra të autorëve perëndimorë. Letërsia gjermane nuk është aq e njohur sa letërsia ruse, pasi politikisht e kishte të vështirë pa kaluar nën censurë dhe selektohej prej saj, zhdukeshin pjesë. Kurse problemi i sotëm është që hasim përkthyes të pakualifikuar, të cilët i kushtojnë më shumë vëmendje veprave komerciale sesa një letërsie serioze. Me shtëpitë botuese jemi munduar të krijojmë një raport të balancuar duke nxitur botimin e kryeveprave botërore. Ndodh që vepra të autorëve gjermanë komercializohen dhe përkthehen nga njerëz jo kompetentë. Po me siguri ky lloj përkthyesi që bazohet te tregu që ofron kësi lloj letërsie, shumë shpejt do kthehet specie në zhdukje.”

“Shekulli”, 2 nëntor 2008

 

23 prilli

Në këtë datë UNESCO hedh mesazhe për promovimin e leximit, botimit dhe mbrojtjen e pronës intelektuale nëpërmjet të drejtës së autorit. 23 prilli është një datë simbolike për letërsinë botërore. 23 prill 1616 është data e vdekjes së Servantesit, Shekspirit dhe Inca Garcilaso de la Vega. Më 23 prill janë lindur apo kanë vdekur autorë të shquar si Maurice Druon, Kiljan Laxness, Vladimir Nabokov apo Josep Pla. Kjo ditë është zgjedhur nga UNESCO për t’i bërë homazh librit dhe autorëve, për të inkurajuar veçanërisht të rinjtë që të zbulojnë kënaqësinë e leximit.

Ideja për këtë festë e ka origjinën në Katalonjë, Spanjë, ku ka ekzistuar tradita që për çdo libër të blerë jepet dhuratë një trëndafil.

Ja dhe disa ide që hedh UNESCO-s për Ditën Botërore të Librit.

 

 

Festoni dhe ju!

Shkarkoni libra 100 vjet të vjetër në Kindle, janë falas!

Ndajeni pasionin tuaj për një autor dhe dhurojuni një libër njerëzve që keni afër!

Merrni rast nga kjo ditë që të zbuloni diçka të re nga ajo që jeni mësuar të lexoni.

Lini në një stol parku apo në metro një libër me shënimin “Gëzuar Ditën e Librit dhe të së drejtës së autorit!”

Gjeni mënyrën që t’i dërgoni librat tuaj të vjetër në shkollat dhe bibliotekat e zonave që ndodhen në situata pas fatkeqësish.

Mësoni për shkeljen e së drejtës së autorit: respektimi i saj inkurajon përhapjen e dijes dhe shpërblimin e krijuesve e të botuesve.

Mos i flakni kurrë librat, bëhuni pjesë e komuniteteve lokale, e shkëmbimeve on line të librit dhe e fushatave dhe e nismave të  hurimit.

Planifikoni aktivitete për leximin në shkolla dhe biblioteka dhe bëni pjesë të tyre lexues të famshëm.