MBYLLJA E ESTRADËS SË TIRANËS, PENGU I AKTORËVE NË 60-VJETOR

Nga Dorjan
Shkruar ne 03 Maj 2012 ora 5:47pm

I themeluar në vitin 1952, institucioni u mbyll më 2005-n.

Në festën e organizuar dje mungonin zyrtarë të lartë. Aktorët: Prisnim vlerësime.

Ishin mbledhur të gjithë në sallën “Bodrum” të Teatrit të Metropolit. Salla është e vogël, por i nxë të gjithë. Shumë nuk janë tashmë. Në të njëjtin vend ku dikur ngrihej Estrada e Tiranës, artistët që punuan për vite të tëra në këtë institucion, i cili nuk ekziston më, u mblodhën për të përkujtuar 60-vjetorin e krijimit të këtij institucioni. Me dashamirësinë e drejtoreshës së Qendrës Kulturore “Tirana”, janë mbledhur ata që kanë mbetur për të kujtuar sadopak nga shkëlqimi dhe rënia e Estradës. Dy fjalë hapëse nga drejtoresha Suela Konjari, një përshëndetje nga Sulejman Dibra. Por takimi është i artistëve. Ata kujtojnë me mall vitet e shkëlqimit të Estradës, kur bëhej humor i shëndetshëm dhe jo i sforcuar, edhe pse ishte nën censurë dhe kontroll të rreptë. Nuk kishte në këtë takim të thjeshtë asnjë zyrtar ministrie, për t’u dhënë qoftë edhe një vlerësim moral këtyre aktorëve që lanë shumë vite të jetës së tyre në skenë. Kjo nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga artistët e pranishëm. “Unë i kam marrë të gjitha vlerësimet, por sot është një ditë e veçantë, duhet të ishim vlerësuar nga Presidenca”, thotë aktorja Melpomeni Çobani. Ndërkohë që artistë të tjerë, si Skënder Sallaku, Met Bega, Luan Zhegu, Ramazan Bogdani etj., e kanë peng mbylljen e Estradës, e cila kishte “një trupë të mrekullueshme aktorësh, e cila nuk kthehet më”.
60 vjet histori
Më 2 maj 1952 është themeluar Estrada e parë shqiptare, Estrada e Tiranës. Melpomeni Çobani, Anita Take, Skënder Sallaku, Skënder Plasari, Telat Agolli, Luçije Miloti ishin ndër artistët e parë që themeluan Estradën. Shfaqja e parë që ka çelur aktivitetin e Estradës është pikërisht shfaqja me titull “Estrada Nr. 1”, ku interpretuan Ramazan Zyberi, Melpomeni Çobani, Enver Dauti, Ana Kçira, Lin Ndoka, Tonin Konçi, Luçie Miloti, Hajrie Harapi, këngëtarë, Xhana Xheluçi, dirigjent Zef Gruda, orkestrant Muharrem Xhediku etj. Pas kësaj shfaqjeje u dhanë dhe shumë të tjera me titujt “Estrada Nr. 2”, “Estrada Nr. 3”, “Estrada Nr. 4” e më pas vijuan emrat. Shumë shpejt ky institucion i ri do të bëhej i suksesshëm. Pas vitesh të vështira njerëzit dëshironin të qeshnin dhe këtë e merrnin nga fjala, mimika, plastika, kënga e kupleti, dialogu e monologu. Vite më pas, pjesë të Estradës së Tiranës u bënë aktorë të rinj si Vegim Xhani, Xhemal Myftiu, Kujtim Shehu, Enver Bukri, Vilson Gjoça, këngëtarë të mëdhenj si Vaçe Zela, Fitnete Rexha, Pavlina Nika, Pjetër Gjergji, Rudolf Stamolla e më pas Luan Zhegu, Ema Qazimi, Liljana Kondakçi, Kozma Dushi e Irma Libohova. Pjesë tjetër e kësaj estrade ishin dhe dirigjentët e orkestrantët Nesti Uçi, Kristo Kote e Alqi Kareco, libretistë e kompozitorë si Agim Prodani e Aleksandër Lalo, Kin Dushi, Aleksandër Banushi, Koço Devole e Tonin Miloti, regjisorë Besim Levoja, Mihal Luarasi, Bujar Kapexhiu, Rifat Poga e shumë të tjerë. Gjatë viteve ‘80-‘90, Estrada e Tiranës numëroi një trupë prej 65 vetash. Gjatë viteve 1980-2000 u dhanë mbi 320 shfaqje në vit ku spikatën, komeditë, vodevilët, recitalet e këngëve, koncertet në pallate sporti, stadiume etj.
Përgjatë një viti jepeshin 80 shfaqje, përfshi këtu fshatra, ndërmarrje e pika kufitare, reparte ushtarake etj. Trupa u rinovua me aktorë të rinj të dalë nga Akademia e Arteve të Bukura, sot Universiteti i Arteve, si Vasillaq Vangjeli, Maxhide Pici, Kosta Kamberi, Besnik Kasa, Veli Rada, Agim Bajko, Shpresa Bërdëllima, Rabije Hyka, Rita Lati, Marjana Kondi, Xhevahir Zeneli e shumë të tjerë që erdhën pas viteve ’90, si: Behar Mera, Pranvera Veizi e Met Bega. Në 2 prill 2005 Estrada e Tiranës pushoi së ekzistuari si institucion dhe kaloi si një kompani teatrore.

Melpomeni Çobani: Prisnim vlerësim nga Presidenca
“Sot festoj 64-vjetorin në art, pasi kam punuar së pari në Teatrin Popullor. Jam një ndër krijuesit e Estradës bashkë me Anita Taken. Sot më vjen keq që kolegët e mi të Teatrit të Estradës nuk janë më. Më vjen keq dhe mendoj që ky përvjetor duhet të ishte vlerësuar nga Presidenca, pasi shumë artistë i kanë dhënë shumë vite jetë kësaj skene. E di që tani është një Teatër Komedie, por duhet të ishin kujtuar për këtë Estradë sepse ka edukuar spektatorin dhe e ka argëtuar”, thotë Melpomeni Çobani, një nga aktoret e shfaqjes së parë të Estradës.

Skënder Sallaku: Mbyllja e Estradës, pengu im
Skënder Sallaku është një nga aktorët më të njohur të Estradës së Tiranës. Ka marrë shumë vlerësime, por ka edhe pengje. “Nga publiku kemi vlerësimet më të mëdha, por e kam peng në zemër që është mbyllur Estrada e Tiranës. Është e çuditshme sepse estradë ka edhe Pogradeci, Kukësi, Peshkopia, nuk mund të kuptohet që të mos ketë Tirana. Doja të kujtoja se jepnim 26 shfaqje në muaj, çka do të thotë se njerëzit e donin estradën, e donin humorin”, thotë Sallaku.

Luan Zhegu: Tiranës i mungon e qeshura
Estrada e Tiranës u bë e famshme gjatë viteve të diktaturës jo vetëm për humorin, por edhe për formacionin e saj muzikor. Prej saj kanë dalë disa prej këngëtarëve më në zë shqiptarë, si Vaçe Zela, Fitnete Rexha, Pavlina Nika, Ema Qazimi, Liljana Kondakçi, Kozma Dushi e Irma Libohova. Një ndër ta është edhe Luan Zhegu, i cili i ka mbajtur lidhjet deri vonë me Qendrën Kulturore Tirana. “Mbyllja e Estradës së Tiranës është si t’i heqësh të qeshurën kryeqytetit”, thotë Luan Zhegu.