Me mire i fundit neper bote apo i pare ne Shqiperi?

Nga Dinejda
Shkruar ne 11 Mar 2012 ora 1:44pm

Po lajmërohet si dukuri kthimi i emigrantëve shqiptarë përfundimisht në shtëpi. Edhe zëra institucionalë ‘për shtim të të kthyerve në atdhe’, por pa shifra të sakta, si gjithmonë. Por një tendencë e tillë në rritje përkapet nga gjithsecili prej nesh, duke dëgjuar biseda sa andej-këtej, që tregojnë raste që shtohen e shtohen. E sidomos me të zhgënjyer prej Greqisë dhe Italisë, vendet më në krizë të Eurozonës dhe me përqendrimin më të madh të emigrantëve shqiptarë. Do të ishte gazeta greke “Ekathimerini” që në shtator të 2011-ës raportoi një shifër:

‘Rreth 10% e emigrantëve shqiptarë të Greqisë janë kthyer në atdheun e tyre gjatë 5 vjetëve të fundit”. Por ka të kthyer edhe nga ShBA, Kanada e ngado nëpër botë ku ka shqiptarë. Kthime vështirë për t’u matur saktësisht, por që e mbartin një domethënie. Dëgjohen emigrantë shqiptarë që kthehen, që duan të kthehen, por pavarësisht kësaj më shumë duket se janë ata që as kthehen, e as duan të kthehen. Pjesa më e madhe nuk po kthehet. Edhe në një anketim që gazeta ‘Shekulli’ bëri me 100 të intervistuar, emigrantë shqiptarë që jetojnë nëpër botë, nëpërmjet profileve të tyre në facebook, del përafërsisht ajo matje më sipër që ka bërë gazeta greke. Vetëm 1/10 e tyre mendon seriozisht rikthimin.

Po përse nuk po kthehen, edhe pas njëzet vjetësh ndryshime në Shqipëri, edhe pse kriza botërore ka kapluar gjithandej e po rrënon ekonominë dhe standardet, sidomos të vendeve fqinje ku janë përqendruar më së shumti emigrantët shqiptarë?

Pse nuk kthehen së paku në Tiranë, meqë kryeqyteti është shndërruar në modelin më të mirë të zhvillimit të sotshëm shqiptar? Qendra ku mund të  përqendronin shtëpinë, familjen, punën, shkollimin apo biznesin vetjak, argëtimin mjaft emigrantë shqiptarë, që së paku standardin më të mirë të vendit të tyre mund ta gjenin në Tiranë?

Më poshtë janë shkëputur opinionet e dhjetë emigrantëve shqiptarë të moshave, profesioneve, gjinive dhe vendbanimeve të ndryshme nëpër botë. Nëntë prej tyre nuk pranojnë t’i lënë vendet ku kanë emigruar për shkak të standardeve më të larta që kanë atje, edhe pse në krizë, e që nuk mund t’i gjejnë ende në atdheun për të cilin thuhet se ‘balta është më e ëmbël se mjalta’. Vetëm njëri prej tyre, gazetari Fatos Mahmutaj, azilanti në Bruksel i pas ‘21 janarit’, mezi pret të rikthehet në Shqipëri, nëse do të rrëzohet qeveria aktuale.