Mënyrë e re për krijimin e vezëve të reja te femrat

Nga Dinejda
Shkruar ne 29 Pri 2012 ora 5:22pm

Një studim i ri shkencor duket se po hedh poshtë një parim biologjik, gjerësisht të pranuar mbi aftësitë riprodhuese femërore, dhe se po ngjall shpresa të reja për gratë që kanë vështirësi të mbeten shtatzëna.

Për rreth gjysmë shekulli, gratë besohej të lindnin me një rezervë vezë të caktuara, të cilat nuk mund të zëvendësoheshin.

Në të vërtetë, kjo gjë mendohej të ishte e vërtetë për të gjithë gjitarët deri në vitin 2004, kur studiuesi i spitalit të përgjithshëm të Masaçusetsit, Xhonathan Tilli, zbuloi se minjtë femra të rritura mund të prodhonin vezë të reja. Tani, zoti Tilli ka shtrirë punën e tij edhe tek njerëzit.

“Ne kemi veçuar praktikisht qelizat femërore të barasvlershme me qelizat embrionale, të cilat ne e dimë që ekzistojnë tek meshkujt ku prodhojnë spermatozoid të rinj. Duke pasur këto qeliza tashmë të veçuara, unë mendoj se kjo hap mundësi të shumta për t’u marrë në konsideratë, të cilat ne më parë nuk mund t’i kuptonim deri në fund”.