Mësonjëtorja e Parë Shqipe, një album në 125 vjetor

Nga Dinejda
Shkruar ne 12 Mar 2012 ora 8:07pm

Shënohen plot 125-vjet që kur në Korçë u hap shkolla e parë shqipe. E çelur në vitin 1887, ngritja e kësaj shkolle shënoi hapin thelbësor në përhapjen e gjuhës shqipe. Ajo ishte kurorëzimi i përpjekjes së një sërë atdhetarëve në shërbim të kulturës shqiptare. Në këtë 100-vjetor të Pavarësisë, kjo ditë merr një peshë edhe më të madhe dhe të veçantë. Në këtë atmosferë “solemne”, kjo ngjarje do të kujtohet sot veç të tjerave me promovimin e një albumi me rreth 120 fotografi dhe të dhëna biografike mbi personazhet që bënë të mundur çeljen e kësaj shkolle. “Mësonjëtorja e Parë Shqipe; 125-vjetori i shkollës shqipe të Korçës”, realizuar nga koleksionisti korçar Niko Kotherja, është një rrëfim përmes 120 fotografive. Në to paraqiten pothuaj të gjitha personazhet që bënë të mundur çeljen e kësaj “Foleje Kombëtare”. Ndihmëtarët dhe kontribuuesit, drejtuesit dhe mësuesit e kësaj shkolle, nxënësit e dalë nga bankat e shkollës së parë, të cilët u bënë veprimtarë të shquar të lëvizjes për çlirim kombëtar, vijnë përmes fotografive, shoqëruar gjithashtu edhe me një biografi të shkurtër.

Përmes fotografive bëhen të ditura edhe tekstet e përdorura nga nxënësit e Mësonjëtores. Koleksionisti Kotherja ka pasur në dorë origjinalet e tyre dhe ka risjellë pamjet e kopertinave shqipe të kohës. Një pjesë e mirë e materialeve fotografike të botuara publikohen për herë të parë. Ato janë nxjerrë nga origjinalet e tyre ose nga procesi i zhvillimit të negativëve qindra vjeçarë në metal, xham e pelikulë. Realizimi i këtij albumi për Mësonjëtoren e Parë Shqipe ishte menduar që para pesë vjetëve, në 120-vjetorin e hapjes së shkollës, por mundi të realizohej vetëm tani. Në këtë koleksion gjenden edhe disa nga pullat e emetuara në përvjetorë të kësaj ngjarjeje, siç është pulla e emetuar në vitin 1956, e cila në fakt shënon si datë të hapjes së shkollës vitin 1886, pasi deri në fund të viteve ’50 besohej se ishte ky vit data e çeljes dhe jo viti 1887. Po në këto pulla gjenden edhe fotografitë e tre drejtorëve të parë të Mësonjëtores: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi dhe Nuçi Naçi. Siç vëren koleksionisti Kotherja, ideator dhe realizues i këtij albumi, një nismë e tillë vjen në kushtet e mungesës së një vëllimi ku të përfshihet me dokumente pamore gjithë historia e Mësonjëtores së Parë Shqipe. Në të trajtohet një nga ngjarjet më kryesore të luftës për pavarësi, kulturë e dije në vitet e Rilindjes Kombëtare, promotori i së cilës ishte Naum Veqilharxhi.

Çelja e Mësonjëtores së Parë Shqipe ishte një nga arritjet e mëdha të rilindësve e patriotëve tanë brenda e jashtë Shqipërisë, rezultat i përpjekjeve dhe luftës së kolonive patriotike në Rumani, Egjipt, Bullgari, Turqi etj. Mësonjëtorja ishte e para shkollë shqipe laike dhe demokratike, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Ajo funksionoi mbi bazën e një programi me karakter të theksuar kombëtar, ku u mëkua dashuria për vendin, zakonet e gjuhën. Njëkohësisht, personeli arsimor i shkollës së Korçës hodhi bazat e një shoqërie moderne perëndimore, pasi mësuesit që dhanë mësim aty përfunduan studimet dhe u diplomuan në universitetet më të mira të Europës. Në të gjithë vendin, 7 Marsi përkujtohet si dita e mësuesit.