Meti: Jam beqar, kerkoj nje vajze qe te kaloj jeten

Nga Dorjan
Shkruar ne 17 Apr 2012 ora 5:59pm

Meti Alshiqi, djali nga Kosova ka lënë shtëpinë e “Big Brother” spektaklin e së shtunës në përballje me Edgarin. Shumë i pëlqyer nga vajzat, ai deklaron se është beqar dhe në kërkim të një vajze me të cilën të kalojë jetën. Lidhur me surprizën që i bëri ish e dashura, Laura, Meti thotë se ata kanë shumë gjëra për të sqaruar dhe se për momentin janë vetëm shokë

Ndonëse aventura në “Big Brother” për Metin ka mbaruar, ai thotë se kjo ka qenë eksperienca më e bukur që i ka ndodhur në jetë. Pas një surprize të papritur që i ka bërë ish e dashura, Laura, e cila jeton në Suedi, u duk se do të ribashkoheshin. Por Meti e thekson se është beqar, e vlerëson shumë familjen dhe kërkon një  vajzë me të cilën ta krijojë atë. Ai thotë se ka zgjedhur të mos bëhet pjesë e asnjë grupi në shtëpi dhe si fitues sheh Liamin ose Arbrin. Nuk beson në dashurinë e çifteve të shtëpisë dhe tregon se çfarë pati mes tij dhe Anilës.

Publiku ka votuar që ju të lini shtëpinë. Çfarë mendon se nuk ka shkuar mirë gjatë qëndrimit tuaj në lojë?

Besoj se e vetmja gjë që nuk ka shkuar, ka qenë fakti që javët e fundit loja ndryshoi 100%, të gjithë banorët filluan të krijojnë strategji e të krijojnë grupe. Unë nuk u afrova me asnjërin prej tyre. Unë e kam thënë që në fillim që në “Big Brother” kam hyrë si Meti dhe kam dalë si Meti.

Dy javët e para në “Big Brother” keni qenë shumë aktiv, i pëlqyer nga publiku, pastaj ratë në heshtje. Pse nuk arritët të angazhoheshit më shumë?

Fillimi i “Big Brother” ka qenë shumë i bukur dhe atraktiv. Javën e parë të spektaklit unë kam arritur të shfaq veten, sepse bënim shaka, banorët ishin ende të sinqertë dhe të edukuar. Pastaj gjithçka filloi të ndryshonte, sepse secili i shihte gjërat me tendencë dhe unë nuk doja të bija në grackën e tyre. Ruajta personalitetin që kam. Unë e di që aty është lojë dhe duhet të përballesh, por të bëheshe pjesë e këtyre diskutimeve më dukej se e ulja veten shumë poshtë, ndaj edhe mbajta qëndrimin tim.

Si do ta përshkruaje marrëdhënien me Gentën?

Java e parë ishte argëtuese. Unë, Ermali dhe Elvisi duhet të plotësonim çdo kërkesë të Gentës, duhet të kujdeseshim gjatë gjithë kohës për të dhe aty filloi një afrimitet i imi me të. Prej femrave ishte personi më i afërt që kisha në shtëpi, por gjërat ndryshuan që pas natës që më votoi për të më nxjerrë jashtë. Aty pashë se ajo ishte një person që binte në kontradiktë me veten dhe pas kësaj unë e kam parë si banorët e tjerë edhe pse në fillim kam pasur simpati për të. Nuk kisha asgjë kundër saj se pse më votoi për të dalë, por kemi debatuar, sepse nuk e kam lejuar të bënte gjëra që unë nuk i toleroj.

Është folur shumë për një afrimitet mes teje dhe Anilës. Ke pasur pëlqim ndaj saj?

Brenda në shtëpi, mes shumë personave që sheh për herë të parë, t’i sheh edhe një person me të cilin mund të lidhë diçka. Unë Anilën e kam llogaritur si shoqe dhe si njeri i mirë, por ajo bënte disa gjëra që mua nuk më pëlqejnë te një femër.

Mund të kishte pasur një lidhje mes jush?

Nuk e besoj. Unë nuk mund të lidhem me një person jo për tre muaj, por as edhe për një vit. Dua ta komunikoj shumë, të rri afër për ta njohur dhe këtë gjë nuk mund ta bëja brenda një shtëpie si ajo e “Big Brother”.

Për herë të parë, spektaklin e së shtunës Laura të kishte shkruar një letër dhe të kishte dërguar një dhuratë. E prisje?

Ishte si një ëndërr dhe nuk e kam pritur. Nuk kujtoj as se çfarë kam folur gjatë spektaklit. Unë dhe Laura kemi shumë gjëra që duhet t’i flasim e t’i sqarojmë. Mes meje dhe asaj, për momentin  është vetëm lidhje shoqërore. Unë e pranova dhuratën, por akoma nuk e di se çfarë ndiej. Ishte një moment shumë delikat.

Ti i bërë një premtim dashurie. Nuk ka ndjenja mes jush?

Mes meje dhe asaj ka ndjenja, por nuk ka lidhje. Ne jemi ndarë prej një viti dhe prej asaj kohe kemi folur si shokë. Unë kam treguar për të në dhomën e rrëfimit se është e vetmja që kam dashur duke e konsideruar si pjesë e së kaluarës time. Për të qenë sa më i drejtë me publikun, për momentin ne kemi lidhje shoqërore. Pa marrë parasysh se çfarë ka ndodhur mbrëmë, nuk mund të them që jam me të, unë jam beqar.

Edhe brenda shtëpisë ke folur për faktin se nuk dashuron lehtë. Pse e ke të vështirë të ndiesh për një person?

E kam të vështirë, sepse shikoj edhe gjërat më të vogla te një femër. Unë dua që të flas hapur me të, të ndajmë gjërat më të bukura, të më qëndrojë afër. Jam një person që e kam deklaruar se e dua shumë familjen dhe jam në kërkim të një personi që të jetoj me të.

Ka shumë vajza që të simpatizojnë. E ke vënë re këtë kur dole?

Po, dhe i falënderoj. Është shumë bukur kur njerëzit të duan dhe ndihem keq që nuk mund të komunikoj me të gjithë. Duke qenë se edhe më parë jam marrë me modën, ka pasur shumë vajza që ngjisnin fotografitë e mia nëpër bluza. Jam ndier shumë mirë dhe mundohem që t’i falënderoj për këtë që më japin.

Pse vendose të bëhesh pjesë e “Big Brother”?

Unë e kam pasur ëndërr të jem pjesë e “Big Brother” dhe i kam ndjekur të gjitha edicionet, por nuk mendoja se do të realizohej ndonjëherë. Një shok më propozoi të bënim audicionet, por nuk besoja se do të isha pjesë e këtij evenimenti kaq të madh. Ndodhi shumë shpejt. Unë hyra për të treguar atë që jam dhe cila ka qenë jeta ime. Në moshën 9-vjeçare unë kam humbur babanë, mendova se nuk kishte më jetë më tej, kam kaluar gjëra që për një adoleshent janë shumë të ekzagjeruara. U përballa me shumë vështirësi, vuajta shumë, por edhe mësova. Ndihem krenar për familjen që kam, si jam edukuar dhe brenda në shtëpi unë kam shfaqur veten si jam, pa bërë lojë.

Cili mendon se është personi që luan më shumë?

Liami luan më shumë. Kohët e fundit kam qenë afër me të dhe është një person që bën gjëra që bashkëmoshatarët e tij nuk do t’i bënin. Liamin e shoh si fitues të këtij edicioni, por edhe Arbrin, i cili është gjallëruar dhe po merr pozicionin e tij.

Ne kemi parë dy çifte në “Big Brother”. Sa beson në ndjenjat e tyre të vërteta?

Ndoshta po flas gabim, por fakti që lidhen brenda në shtëpi më duket shumë e shpejtë. Nëse do të kisha dashur të bëja lojë ose strategji, do të isha lidhur dhe ky ishte problemi më i vogël. Françeskën me Ermalin dhe Gracianon me Lorin i shoh çifte të bukura, por nuk besoj se historitë e tyre do të vazhdojnë.

Je i zhgënjyer nga ajo që përjetove?

Nuk jam aspak i zhgënjyer. Çdo gjë që ka ndodhur brenda ka qenë shumë e bukur. Unë kam hyrë shumë i buzëqeshur brenda dhe po kështu dola. Është gjëja më e bukur që më ka ndodhur.

Do t’i kthehesh punës tënde si model?

Do t’i kthehem futbollit dhe shkollës ku jam në vitin e dytë në Institutin e Fizkulturës. Dua të kthehem edhe si asistent në një emision kosovar, “Unë jam top model” dhe do të shoh nëse do të vijë ndonjë gjë e re.