Miniera e Bulqizës, aty ku luftohet për jetë a vdekje

Nga Reporter
Shkruar ne 08 Gus 2012 ora 11:15am

Në galeritë e minierës së Bulqizës, çdo ditë punohet pa asnjë masë sigurie për të fituar bukën e gojës. Askush nuk pyet për ta, për jetët e tyre, për atë minierë ku fitohen miliona në kurriz të luftës për të mbijetuar, për bukën e gojës… Punëtorët e kësaj miniere pranojnë të luajnë me rrezikun për jetën, pasi është e vetmja mundësi për të fituar bukën e gojës… Administratorët e pronarët e kësaj miniere që u siguron të ardhura marramendëse duket sikur nuk jetojnë në të njëjtin realitet me ne, një jetë e humbur për ta duket të jetë bërë tashmë rutinë për të mos u shqetësuar aspak…loja me pushtetin, lidhjet e ngushta me të dhe aferat korruptive duket qartë se kanë triumfuar mbi nevojën për të jetuar.
Shteti ynë tashmë ka pranuar që “kjo gjëja, me emrin pak siguri për jetën” që ne e kërkojmë si të drejtë nuk mund të llogaritet, gjithçka duket se ecën mirë për pushtetin dhe klanet e tyre në kurriz të jetëve të atyre që duhet të pranojnë të luftojnë me vdekjen vetëm për kafshatën e gojës, për të mbijetuar…. Pushteti dhe qeveria janë të pafajshëm sigurisht, ata nuk mund ta lënë planin për llogaritjen e votave, për karriget që do të sigurojnë nga  zgjedhjet e ardhshme, për të bërë diçka që të ketë më pak viktima në këtë vend tashmë të njohur për punën e vazhdueshme në kushte mjerimi që vazhdon të marrë jetë, dhe ironikisht, me një sarkazëm që dhemb, pranojmë atë që shohim çdo ditë, jetë që shuhen dhe ikin pa u vënë re, ndërkohë që të zgjedhurit tanë në Parlament mendojnë për Kodin Zgjedhor dhe imunitetin e tyre “të çmuar”. “O si nuk kam një grusht të fortë, ti bij mu në zemër malit që s’bzan”, tingëllon kaq aktual Migjeni.

Sigurisht nuk ka si të ndodhë ndryshe, pa imunitet këta zotërinj, do ishin jo pre e shpifjes, por pre e të vërtetës që as ata vetë nuk dinë ta fshehin më, nuk kanë më çfarë të  fshehin, pasi e kanë pranuar dhe vetë që klanet e tyre po sjellin të ardhura të majme në kurriz të jetëve që humbin çdo ditë. “Standardet” evropiane janë refreni i deklaratave të përditshmeve të qeveritarëve që predikojnë në të mirë të pushtetit dhe karriges së tyre. Po çfarë standardesh do t’i tregojmë Europës kur neglizhenca e qeveritarëve vret çdo ditë? Më shumë se kushdo e ndiejnë dhimbjen e mjerimit familjet e punëtorëve të minierës, që edhe pse të vetëdijshëm që çdo ditë pune në atë minierë mund të jetë e fundit për ta, vazhdojnë të punojnë aty, sepse kështu e dashka sistemi, qetësia e “pushtetërve” nuk mund të prishet sepse rehatia e tyre vlen më shumë se jetët që vazhdojnë të shuhen në galeritë e nëndheshme të minierës…

E nesër do jenë sërish ata që do të bëjnë premtimet e mëdha, derisa të marrin votën e atyre që nuk kanë vdekur akoma për të siguruar kafshatën e gojës…

Nga: Arseola Mulia