Ministi, Hipotekave: Kush vonon regjistrimin, ikën nga puna!

Nga Dorjan
Shkruar ne 17 Mar 2012 ora 7:23pm

TIRANE – Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, në një takim me drejtuesit e Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në vend, ka kërkuar llogari dhe paralajmëruar njëkohësisht për largime nga puna.

“Çdo vonesë në përmbushjen e detyrave nga çdo zyrë do të sjellë largimin e çdo përgjegjësi”, u shpreh ministri. Halimi tha se regjistri dixhital i tokës do të bëhet shumë shpejt realitet dhe se mbetet një reformë mjaft e rëndësishme në këtë fushë.

Kohët e fundit, grupe të interesit dhe ndërkombëtarët kanë lëshuar kritika të forta ndaj Qeverisë për mosplotësimin e programit të premtuar për zgjidhjen përfundimtare të problemit të pronësisë në Shqipëri.

Përfaqësues të ish-pronarëve deklaruan se ata nuk e shohin qeverinë aktuale dhe PD si përfaqësuese të interesave të tyre, duke shpallur paraprakisht aderimin e tyre me programin e partive të reja të djathta, që mund të krijohen. Kjo ka vënë në lëvizje qeverinë, për të penguar largimin e votave popullore për mazhorancën.