Miratohet ligji: Pronat, regjistrim me dy emra ne Hipoteke

Nga Dorjan
Shkruar ne 20 Mar 2012 ora 6:54pm

Debat në Komisionin e Ligjeve për regjistrimin e pasurive për të martuarit. Halimi: E kanë kërkuar shoqatat e grave.
Ligori e PS: Jo ndarjes së pasurisë mes bashkëshortëve.

Komisioni i Ligjeve miratoi dje me konsensus projektligjin “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”. Në ligjin e ri parashikohet një nen i veçantë, që detyron bashkëshortët që para noterit dhe regjistruesit në ZRPP prona e përfituar pas martesës të regjistrohet në emër të dy bashkëshortëve. Sipas ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, një propozim i tillë ka ardhur nga shoqatat e grave dhe synon të zbatojë Kodin e Familjes dhe barazinë në çift. Por neni 42 është kundërshtuar nga deputetja e PS-së, Shegushe Ligori, i cila kërkoi që ky nen të mos miratohej pasi nuk duhet përfshirë regjistruesi i ZRPP-së në këtë proces. Sipas Ligorit, një akt i tillë duhet të lihet në dorë të bashkëshortëve dhe të vendoset para noterit me një kontratë të posaçme.

“Mua më vjen një pasuri e trashëguar nga prindi im i vdekur, nuk ka pse ta trashëgojë bashkëshorti. Ti thua ndaje me bashkëshortin. Noteri e bën me një emër pasurinë, sepse kemi kontratë. Shkon atje dhe thotë jo mor zotëri, sepse nesër do ndahem dhe pasuria është në emër të burrit. Pra, nuk është i nevojshëm bashkimi. Ç’punë keni me këtë ligj që të shtoni dy emra, nëse dua e bëj këtë gjë para noterit me kontratë, pse përfshihet dhe regjistruesi”, theksoi deputetja Ligori. Kundër zonjës Ligori janë pozicionuar dhe anëtarët e majtë të Komisionit të Ligjeve, të cilët e kanë shfrytëzuar këtë rast për të shkëmbyer batuta.

“Te ecim me këtë ligj që prona është e përbashkët dhe të mos marrim rastet kur do të ndahemi nga gratë dhe të themi se ka 400 apo 600 mijë me një anë. Në momentin që i thua po burrit apo gruas, e mendon mirë dhe gjithçka bëhet bashkëpronësi”, theksoi deputeti Pandeli Majko. Edhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, kundërshtoi deputeten e PS-së, duke thënë se: “Zonja Ligori, me argumentin tuaj mund të bindni vetëm Shoqatën e Grave të Biznesit, por jo pjesën tjetër të grave shqiptare”. Ligji sipas Rusmalit garanton zbatimin e Kodit të Familjes, duke bërë të mundur që burrat të regjistrojnë para noterit, para regjistruesit, dhe emrin e gruas.

Mbivendosja

Projektligji për regjis-trimin e pasurive të paluajtshme, sipas ministrit Eduard Halimi, heq çdo mundësi për krijimin e mbivendosjeve. Sipas Halimit, ligji parashikon që, nëse një pronar ka një truall që krijon mbivendosje me një tjetër, atëherë pjesë e regjistrimit do të bëhet vetëm pjesa e ligjshme, ndërsa pjesa tjetër mund të zgjidhet vetëm me vendim gjykate. “Ne japim garanci të plotë për atë person që ka regjistruar pronën. Të gjithë ata që duan të futen më mbrapa në sistemin e dixhitalizuar, duhet të shkojnë në gjykatë. Ne i themi regjistruesit ta presim dorën vëlla, nuk mund të ndërhysh më te prona dhe të krijosh mbivendosje”, theksoi ministri Halimi.

Debati ne komisionin e ligjeve

Shegushe Ligori: Pse duhet caktuar dhe nga regjistruesi vendosja e regjistrimit pasuror që ka zgjedhur çifti. Mua më vjen një pasuri e trashëguar nga prindi im i vdekur, nuk ka pse ta trashëgojë bashkëshorti. Ti thua ndaje me bashkëshortin.

Eduard Halimi: Kjo dispozitë është vendosur në projektligj si një kërkesë e ardhur nga shoqata e grave.

Ilir Rusmaili: Ka ardhur, pasi Shegushi e bëri divorcin nga shoqata e grave.

Eduard Halimi: Është një kërkesë e ligjshme kjo në favor të grave kjo.

Pandeli Majko: Shega, a u martove ti? Mbylle gojën tani! Shega, kur the po në gjendje civile, i mbylle të gjitha!

Shegushe Ligori: Po e ndryshon me këtë ligj. Noteri e bën me një emër se kemi pasurinë, sepse kemi kontratë. Shkon atje dhe thotë jo mor zotëri, sepse nesër do ndahem dhe pasuria është ne emër të burrit. Pra, nuk është i nevojshëm bashkimi. Ç’punë keni me këtë ligj që të shtoni dy emra, nesër dua e bëj këtë gjë para noterit.

Ilir Rusmaili: Në qoftë se regjistruesi i një pasurie të fituar  nga martesa e regjistron vetëm në emër të bashkëshortit në  kontratë, thyen nenin 76 të Kodit të Familjes(zhurma në sallë). Aman o burrë, një grua na hodhi tuç të gjithëve. Zonja Ligori, kur nuk e shikon burri që e ka për detyrë, e shikon noteri. Kur nuk e shikon noteri, atëherë e shikon regjistruesi, kur nuk e shikon regjistruesi e shikon gjyqtari, të gjithë kanë detyrë ta shohin.

Neni 42

“Nëse pasuria, objekt i kontratës së kalimit të pronësisë, realizuar në favor të personave fizikë, të cilët në regjistrin e gjendjes civile kanë statusin e të martuarit, është pasuri e fituar gjatë martesës në përputhje me nenin 76 të Kodit të Familjes, regjistrimi në seksionin përkatës të kartelës së pasurisë behet në bashkëpronësi të të dy bashkëshortëve”.

Halimi: “Gjoba për ata që nuk regjistrojnë pasuritë”

Projektligji i ri regjistrimit të pasurive të paluajtshme vendos sanksione për qytetarët, të cilët nuk regjistrojnë pronën e tyre pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Në draftin e miratuar përcaktohet një tavan për gjobën që duhet të paguajë qytetari në rast se nuk regjistron pronën. Afati për dorëzimin e dokumentacionit është 30 ditë dhe, çdo ditë nga tejkalimi i këtij limiti bën të mundur që gjoba të shtohet me 10% të vlerës së regjistrimit. Gjoba maksimale që mund të paguajë një qytetar, është deri në 300 mijë lekë. Sipas ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, ligji i mëparshëm lejonte që kamatëvonesa të shkonte deri në infinit, deri në raste kur gjoba kalonte dhe vlerën e pronës. “Ka pasur raste që kamatëvonesa për moskryerjen e procedurave të regjistrimit ka tejkaluar dhe nivelin e pasurisë. Dhe këto raste që kanë qenë të trashëguara, janë lënë pa regjistruar dhe ka arritur që të tejkalohet dhe vlera e pasurisë”, theksoi ministri Eduard Halimi.

Regjistri elektronik

Tirana dhe Durrësi do të jenë dy qytetet, që do të pajisjen me regjistrin dixhital të pasurive të paluajtshme. Sipas projektligjit të ri, neni 7 që parashikon krijimin e regjistrit dixhital në vendet e tjera të Shqipërisë do të hyjë në fuqi në mars të vitit 2013, pasi ende nuk është përfunduar dixhitalizimi i të gjitha qyteteve. Projektligji “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” pritet të votohet në seancën e ditës së mërkurë në Kuvend.