Monografia e Akademikut Muzafer Korkuti “Qytetërimi Neolitik dhe Eneolitik në Shqipëri”

Nga Sage
Shkruar ne 26 May 2011 ora 3:49pm

Prof.Doc. Ilir GjipaliMe rastin e 75- vjetorit të lindjes dhe me rastin e promovimit të librtit “Qytetërimi Neolitik dhe Eneolitik në Shqipëri” Akademia e Shkencave organizoi një takim me akademikë, Prof, dhe të afërm të familjes.

Si e keni njohur akademik Korkutin dhe si e keni njohur punën e tij?

Vite më parë kur po festonim një përvjetor në një tjetër sallë, pranë Institutit, të gjithë kolegë e miq i uruan Prof. Korkutit, kontribute të tjera në fushën e studimeve arkeologjike për vitet e ardhshme. Ashtu ndodhi, pas promovimit të librit “Arti shkëmbor në Shqipëri“, më 2008. Profesori na mbledh sot për një promovim tjetër, për monografinë “Qytetërimi Neolitik dhe Eneolitik në Shqipëri”.

Punimi mbështetet në botimin parë në Gjermani “Neoliti dhe Eneoliti në Shqipëri” në vitin 1995 nga Shtëpia botuese “Filip fon Zarben” në Mainz, por ai tashmë ka një shtrirje kohore shumë më të gjerë, para dhe pas epokave të Neolitit dhe Eneolitit. Distanca në kohë nga botimi në gjermanisht (prej 15 -vjetësh) i ka dhënë mundësi autorit për një rivështrim të të gjitha çështjeve dhe problemeve që lidhen me njohjen e neolitit, zhvillimin e tij dhe arritjet e shënuara gjatë eneolitit (epokës së bakrit), mbi bazën e kërkimeve dhe zbulimeve të reja. Kështu për periudhat para neolitike autori sjell të dhëna për periudhat Gurit të Vjetër e Gurit të Mesëm të zbuluara nga autori dhe kolegë të tij gjatë kërkimeve të dy dekadave të fundit. Kjo krijon një sfond historik më të qartë për kuptimin e neolitizimit të territoreve tona dhe qytetërimin neolitik në tërësi. Po ashtu në monografi, pas trajtimit të dy periudhave të Neolitit e Eneolitit, shtohet kapitulli për fillimet e epokës së Bronzit, mbi bazën e të dhënave të zgjeruara e me një këndvështrim të ri, ku autori trajton edhe problemin e banorëve të tejlashtë të vendit tonë. Botimi në shqip i monografisë synon të paraqesë në mënyrë tërësore vlerat e mirëfillta burimore të vendit tonë për qytetërimin neolitik dhe eneolitik.

Nga sa kapituj përbëhet kjo vepër?

Ajo përbëhet nga shtatë kapituj, një vëllim prej 350 faqesh, me një dokumentacion mjaft të pasur prej mbi 50 figura dhe 80 tabela.

Ashtu si edhe në botimin e parë, gërmimet në vendbanimet neolitike të Shqipërisë që shtrihen në periudhën midis viteve gjashtëdhjetë deri në vitet dymijë duke filluar nga Maliqi 1962-64, në Tren 1968, Cakran 1969-70, Dunavec 1971-2, Vashtmi 1974, Kolsh 1975-6, Gradec e Cetush të Peshkopisë më 1980, Bënjë të Përmetit 1983, Katundas të Beratit 1986, Konispol 1989, 92-94 etj., përbëjnë lëndën arkeologjike të kësaj monografie.

Çfarë është përpjekut autori të sjellë në këtë vepër?

Autori është përpjekur që botimi në strukturën e vet të pasqyrojë gjendjen dhe rezultatet aktuale të kërkimeve në këtë fushë. Kështu është treguar kujdes në dhënien e lëndës arkeologjike krahas analizave, përfundimeve e përgjithësimeve sipas periudhave dhe çështjeve të veçanta që ato përmbajnë. Kjo mënyrë prezantimi e qytetërimit Neolitik dhe Eneolitik bën të mundur shfrytëzimin e të gjitha të dhënave që vijnë nga 21 fushata gërmimi në 13 vendbanime të realizuara në terren nga autori. Duke kombinuar punën kërkimore në terren dhe atë në kabinet për rreth pesë dekada Prof. Muzafer Korkuti ka realizuar një monografi cilësore në përmbajtje, interpretim e prezantim, një dhuratë shumë të çmuar në duar të specialistëve e studiuesve që merren apo do të merren në të ardhmen me këtë fushë.

Çfarë vendi zënë në këtë vepër kulturat Neolitike dhe Eneolitike?

Kulturat Neolitike dhe Eneolitike të cilat zënë vendin kryesor në punim, janë dhënë në mënyrë kronologjike, duke prezantuar karakteristikat dhe veçoritë e tyre në shkallë zone, vendi dhe rajoni, përkatësitë kulturore si dhe vendin që ato zënë në neolitizimin e Evropës Juglindore dhe Evropës në tërësi. Fakti që Shqipëria sot bën pjesë në territoret që kanë dhënë datime nga më të hershme të njohjes së neolitizimit ashtu si ato të Greqisë dhe prania e Kulturave neolitike me qeramikë të pikturuar dhe impreso adriatikase, e përfshin atë në kërkimet evropiane se si u krye ky neolitizim dhe rrugët e përhapjes së tij drejt Evropës.

Punimi dallon në disa drejtime: përmban një informacion të madh për periudhat që trajton (për materialin arkeologjik të përzgjedhur 3000 objekte të seleksionuara nga dhjetëra mijëra fragmente), për numrin e madh të vendbanimeve që paraqet (pjesa më e madhe të gërmuara nga autori) si dhe dokumentacioni i pasur për secilin prej vendbanimeve krahas analizave e përgjithësimeve brenda e jashtë vendit e bëjnë atë të vetmin punim të këtij lloji në fushën e prehistorisë.

Cilat janë epokat që trajtohen në këtë vepër?

Nëpërmjet trajtesave që fillojnë nga epokat e Gurit të Vjetër, por veçanërisht të Neolitit e Eneolitit dhe mbyllja e punimit me fillimet e epokës së Bronzit Prof. Muzafer Korkuti ka krijuar një bazament të qëndrueshëm për kërkimet e ardhshme për Neolitin dhe Eneolitin. Tek lexuesit, monografia krijon një përfytyrim objektiv për banimin e territoreve tona gjatë Paleolitit e Mezolitit si dhe kushtet gjeoambientale në periudhat e ngrohjes e ftohjes së fortë të klimës. Nëpërmjet kulturave neolitike (të hershme, të mesme dhe të vonë) kur klima stabilizohet, dhe varianteve të tyre, jepen proceset e njohjes së bujqësisë dhe futjen e banorëve neolitik në rrugën e qytetërimit të vërtetë. Të dhënat e punimit janë të pazëvendësueshme dhe të nevojshme për studimet ndërdisiplinore që kanë filluar këto vitet e fundit për njohjen e procesit të neolitizimit të territoreve të Shqipërisë.

Çfarë reflektohet në këtë vepër?

Njohuritë e gjera, përvoja e gjatë si dhe njohja e thellë e kulturave të vendit dhe rajonit në shkëmbimet e realizuara dhe bashkëpunimet gjatë gjithë karrjerës 50- vjeçare akademike, reflektohet në punimin që prezantojmë sot. Monografia shoqërohet me një bibliografi të plotë që ndihmon shumë të interesuarit për këtë fushë. Ajo vetë është një referencë e rëndësishme për arkeologjinë prehistorike shqiptare. Monografia dëshmon për kontributin themelor shkencor të Prof. Korkutit në kërkimet e studimet për neolitin e eneolitin në Shqipëri duke u renditur tek prehistorianët më në zë të kësaj fushe jo vetëm në vendin tonë.

Duke përfituar nga rasti, falënderojmë edhe njëherë profesorin dhe e urojmë për të vazhduar kontributin në fushën e prehistorisë.

Nga: Albert ZHOLI