Monumenti i Pavarësisë, populli voton banesën me shqiponjë

Nga Dorjan
Shkruar ne 18 Pri 2012 ora 3:51pm

Vetëm me 10 vota diferencë, populli ka përzgjedhur si bocetin më të mirë mes 5 finalistëve, atë të bashkautorëve Visar Obrija dhe Kai Roman Kiklas (Kosovë, Gjermani). Bëhet fjalë për projektin që merr nxitje nga banesa tradicionale shqiptare. Dy artistët sjellin një variant të hapur të saj, brenda së cilës do të “gdhenden” me laser shqiponja dhe Deklarata e Pavarësisë. Rreth 10 ditë më parë, kur në Galerinë Kombëtare të Arteve u prezantuan 5 bocetet finaliste të përzgjedhura mes 80 garuesve në konkursin ndërkombëtar për Monumentin e Pavarësisë, u hap edhe një votim popullor. Krahas vendimit të jurisë dhe të Komisionit të festimeve do të merrej parasysh edhe votimi popullor, i cili u mbyll dje. Votimi është realizuar në dy forma, në mënyrë të drejtpërdrejtë, në Galerinë Kombëtare të Arteve, ku janë ekspozuar 5 bocetet dhe përmes internetit, në faqen zyrtare të GKA-së. Në mbyllje të këtij votimi rezulton se on line është votuar nga 6450 veta, ndërsa në GKA rreth 170 syresh. Sipas përllogaritjeve rezulton se dy veprat më të votuara janë ato të Obrija-Kiklas dhe Jorg Plickat nga Gjermania, diferenca mes të cilëve ishte shumë e ngushtë. Nëse të parët kanë marrë 33,8% të votave, e përkthyer në shifra 2181, gjermani Plickat, i cili propozonte projektin ku paraqitej një zinxhir i thyer, kishte marrë 33,6% të votave ose 2171 vota. Në vend të tretë renditej projekti i Blerta Xhomos dhe Ilirjan Shimës, të cilët paraqisnin një stilizim të shqiponjës me 1983 vota, në vend të katërt obelisku i skulptorit Pjerin Kolnikaj, ndërsa në të pestin flamuri në valëvitje i Thoma Thomait. Këta dy të fundit kanë marrë shumë më pak vota se tre të parët. Votimi i drejtpërdrejtë ka qenë shumë më i pakët se ai on line. Kjo jo thjesht sepse shqiptarët janë indiferentë dhe nuk kanë denjuar të vizitojnë galerinë e të shohin bocetet, por shumë nga vizitorët nuk kanë preferuar të votojnë. Gjithsesi prej këtij votimi ka rezultuar si më i votuar shqiponja e bashkautorëve Xhomo-Shima. Edhe në këtë variant votimi Obrija-Kiklas ka qenë shumë pranë me variantin e Jorg Plickat. Sipas drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shima, rezultati i votimit popullor është protokolluar dhe i është dorëzuar ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe tashmë pritet vetëm vendimi. Kështu që shumë shpejt do të kemi bocetin fitues për monumentin që do të ngrihet në qendër të kryeqytetit me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. E me shumë gjasë do të jetë vepra e Visar Obrijës dhe Kai Roman Kiklas, e cila qysh në konceptimin e artistëve është menduar për t’u vendosur në mes të një parku publik.

Boceti më i votuar
Projekti i propozuar nga bashkëpunimi mes dy arkitektëve nga Mynihu frymëzohet nga banesa tradicionale shqiptare. Për autorët, banesa shqiptare ka shërbyer si shtëpi dhe fortifikim njëherësh, duke u bërë simbol kombëtar i qëndresës në shekuj. Për të shprehur idenë e pavarësisë, ata sjellin një ndërtesë të hapur e cila paraqitet si dy gjysma kubi ku njëra gjysmë mban çatinë dhe tjetra platformën. Kjo strukturë është menduar e lartë, e gjatë dhe e gjerë prej tetë (8) metrash dhe njerëzit mund të kalojnë lirisht përmes hapjes së saj. Në faqet e brendshme anësore të monumentit do të ketë elemente të vizatuara me laser, si: ‘Deklarata e Pavarësisë’, simboli kombëtar i shqiponjës dhe figura njerëzore. Hapja e banesës simbolizon çlirimin e kombit shqiptar dhe kapërcimin nga izolimi drejt lirisë dhe pamjen nga e ardhmja.