MOTOCROSS RIKTHEHET NË SHQIPËRI, PESËDHJETË VJET PAS MBYLLJES

Nga Dorjan
Shkruar ne 12 Apr 2012 ora 2:52pm

Vitin e kaluar të apasionuarit e motoçikletave, kanë risjell në Shqipëri pas plot pesëdhjetë vjetësh, garat e famshme të motokrosit (Motocross), në kampionatin e parë zyrtar. I ndarë në dy kategori të ndryshme motokrosi në Shqipëri ka zgjedhur zonën e Surrelit, në malin e Dajtit, si vendi i shfaqjeve dhe garave. “Ka thuajse 5 vjet që organizohen gara të ndryshme në Surrel. Por kampionati i parë zyrtar është organizuar vitin e kaluar. Ky kampionat rikthehej pas plot pesëdhjetë vjetësh, duke risjell edhe një herë në fokus për shqiptarët, ato emocione të garave me motoçikleta në fushë të paasfaltuar”, – tregon për “Shekullin”, Denis Kallaku, një nga garuesit më të vjetër të motokrosit.

Çfarë është motokrosi?

Motokrosi është një sport me motoçikleta, i cili bazohet në gara në një pistë të paasfaltuar. Ai ndryshe është cilësuar edhe si një sport ekstrem dhe ndër më të rrezikshmit, duke qenë se terreni është i thyer. Gara shoqërohet me hedhje në lartësi, shpejtësi tepër të lartë etj. Ndryshe shumë thjesht mund ta cilësosh edhe si një formë tepër e bukur e shfaqjeve me motoçikleta.

Kur kanë filluar shqiptarët të garojnë në kategorinë “Motocross”?

Motokrosi është shfaqur qysh në kohën e komunizmit, por është mbyllur në vitin 1961. Kjo të paktën sipas disa dokumenteve dhe filmimeve të kohës, të cilat janë transmetuar edhe në media. Ai është rishfaqur në Shqipëri afro pesë vjet më parë, ku janë organizuar gara të ndryshme në Surrel. Vitin e kaluar është organizuar edhe kampionati i parë, ndërkohë këtë vit ishte caktuar data 8 prill, si dita ku do të fillonte kampionati i ri, por është postuar për datën 22 prill, për shkak të kushteve jo të mira atmosferike. Normalisht do të zhvillohet një garë në muaj në Surrel, deri në fund të vitit kur do të mbyllet kampionati.

Cilat janë rreziqet që mund të hasë një garues në këto gara?

Ky është cilësuar si një nga sportet më të rrezikshme. Sigurisht edhe këtu bëhet fjalë për një garim me shpejtësi tepër të lartë dhe për më tepër në një terren me rërë dhe të thyer. Këtu mund të përmendim kërcimet, ky është një nga momentet e rrezikshme, pasi një garues kërcen deri në 3-4 metra lartësi dhe 10-15 metra largësi. Por një moment tjetër i rrezikshëm është edhe çasti i startit të garës. Kjo, pasi janë dhjetë garues, të cilët i drejtohen menjëherë kthesës së parë dhe të gjithë duan të dalin të parët. Në këtë moment mund të ndodh ndonjë aksident. Megjithatë duhet theksuar se në këto gara kurrë nuk ka pasur ndonjë aksident.

Cilat janë kushtet e sigurisë që aplikohen në këto gara?

Kushtet e sigurisë në garë për pilotët janë çizmet, mbrojtëset për duart, këmbët, gjoksin dhe shpinën. Më pas, është sigurisht edhe kaska me syze dhe qaforja. Më pas, në fushë janë edhe 6 komisarë të garës, të cilët janë përgjegjës për sigurinë e pistës dhe për rregullin. Gjithashtu ka një rregullore shumë strikte. Pista është e pajisur me barriera të larta, afërsisht 1 metër, të cilat nuk lejojnë daljen nga pista të motorëve.

Çfarë duhet të bësh për të qenë një garues i mirë?

Fillimisht duhet thënë se është e nevojshme një përgatitje e gjatë e cila mundet të sgjas minimalisht 6 muaj. Është e nevojshme një stërvitje intensive. Fillimisht duhet mësuar me një motor 125 kubikësh me 2 kohë. Mëpas gradualisht piloti duhet të ambientohet me terrenin jo normal, me garuesit e tjetër të cilët do ketë kundërshtar, kushtet etj. Një pilot që do të ndiqte këtë tip përgatitjeje mundet të behët pse jo një kampion në këtë sport.

Petrit Gjergji, fituesi i kampionatit të parë për kategorinë më të vështirë MX1

“Të jesh fitues është një kënaqësi shumë e madhe. Një shpërblim i gjithë punës për të arritur deri aty, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi për të mbrojtur vendin e parë në kampionatin që do të fillojë pas disa ditësh. Kam mbi dhjetë vjet që ngas motorë të ndryshëm, në gara të ndryshme ilegale, jashtë piste, megjithëse nuk është diçka e mirë pasi është jashtë kushteve të sigurisë. Ndërkohë, kam pesë vjet që garoj në garat e motokrosit. Rreziqet janë të pranishme dhe jam i vetëdijshëm për sportin që praktikoj. Por besoj se ndjesia dhe adrenalina që përcjell të jesh në limit, më bën të tejkaloj ato momente kur frika për t’u lënduar ekziston”, -tregon Petrit Gjergji.

Kampioni i MX2, në kampionatin e parë

Ndërkohë Sokol Banushi është edhe fituesi i kampionatit të parë të kategorisë MX2. Ai ka lënë pas 7 garues të tjerë, në kampionatin e parë të organizuar në Shqipëri pas 50 vjetësh.

Çfarë ndjesie është të fitosh kampionatin e parë?

Është një kënaqësi e madhe. Kjo edhe për faktin se ishte i pari pas shumë e shumë vitesh. Ishte një kampionat tepër i rëndësishëm dhe i vështirë. Fitorja ka ardhur pas një qetësie, të cilën e kam ruajtur përgjatë të gjitha garave. Një qetësi, e cila më mundësoi të fitoja këtë kampionat. Sigurisht, nuk ishte aspak e lehtë që të lija pas garuesit e tjerë, të cilët ishin tepër të përgatitur. Unë kam bërë një llogaritje të saktë përgjatë të gjithë kampionatit. Megjithatë duhet të cilësoj edhe përgatitjen që kam bërë para fillimit të kampionatit.

I keni marr parasysh rreziqet që ka ky sport?

Sigurisht që po. Edhe ky sport ashtu si sportet e tjera mbart rreziqet e tij. Megjithatë duhet kuptuar që kënaqësia që ndjej unë dhe të gjithë pilotët e tjerë kur garojnë është unike. Është një kënaqësi, e cila të bën të harrosh në ato momente të gjitha rreziqet. Mendja është e fokusuar tek titulli dhe jo shumë tek rreziqet. Megjithatë, unë garoj me kujdes dhe brenda të gjitha kushteve të sigurisë.

Kampionati 2011

Tre fituesit e kampionatit të parë në të dyja kategoritë:

Kategoria MX1:                                                   Kategoria MX2:

1- Petrit Gjergji                                                     1- Sokol Banushi

2- Denis Kallaku                                                  2- Erjus Tufa

3- Tedi Beni                                                          3- Arbër Cenku

Dy kategoritë e Motokros

“Kampionati i motokrosit në Shqipëri është i ndarë në dy kategori. Këto kategori quhen “Kategoria MX1” dhe “Kategoria MX2”, të cilat janë të ndara në varësi të motorit me të cilën garohet”, – tregon Denis Kallaku. “Në kategorinë MX1 bëjnë pjesë motorët 250 kubikësh me 2 kohë, deri tek motorët 450 kubikësh me 4 kohë. Ndërkohë në kategorinë MX2 janë motorët 125 kubikësh me 2 kohë, deri tek motorët 250 kubikësh me 4 kohë. Në kategorinë e parë garojnë 15 pilotë nga Shqipëria dhe Kosova. Ndërkohë, në kategorinë MX2 garojnë 8 pilotë. Normalisht janë katër kategori, por në Shqipëri janë të organizuara vetëm këto dy kategori. Dy kategoritë e tjera që organizohen në botë janë MX3, që ndryshe quhet “Junior” dhe është për fëmijët nga mosha 10 vjeç deri në moshën 14 -vjeçare. E fundit, kategoria MX4 që është për “veteranë” dhe për të apasionuar”.

Kosova përfshihet nga emocionet e Motokrosit

Edhe Kosova prej dy vitesh ka filluar të organizojë gara të ndryshme të motokrosit. “Unë kam marrë pjesë në gara në qytetin e Pejës dhe në Sureg, në afërsi të Prizrenit. Ka dy vjet që organizohen gara motokrosi në Kosovë. Ata kanë krijuar kushte të mira grimi dhe sot kanë organizuar të katërta kategoritë. Por edhe ne kemi pasur një bashkëpunim të madh midis njëri-tjetrit. Shumë garues që marrin pjesë në kampionatin shqiptar janë nga Kosova, ku shtatë garues të kategorisë MX1 vijnë nga Kosova për të garuar. Gjithashtu edhe në Maqedoni organizohen gara të ndryshme motokrosi, ku duhet vlerësuar Etije Elezi, e cila është një nga më të mirat në këto kompeticione. Ajo është një prej shqiptareve të Maqedonisë”, -tregon Denis Kallaku.

“Motocross Tirana”

“Motocross Tirana” është një organizatë jofitimprurëse, e cila merret me organizmin e evenimenteve të ndryshme të motokrosit në Shqipëri. “Motocross Tirana” është themeluar vitin e kaluar, duke mundësuar fillimin e kampionatit të parë zyrtar në vend. Ajo mundëson organizmin e këtyre garave duke u bazuar në fondet e garuesve. Drejtori i saj Genci Nazifi është një prej pilotëve më të vjetër të motokrosit në Shqipëri, megjithëse ai merret kryesisht me organizmin e garave, më shumë se sa me pjesëmarrjen në to.

Motorët motokros zbresin në pistë me asfalt

“Supermoto” përkon në një tip garash, ku motorët e motokrosit garojnë jo më në një terren të thyer dhe me rërë, por në një terren të asfaltuar. “Këta motorë janë të pajisur më goma të tjera, të cilat janë të përshtatshme me pistat e asfaltuara. Edhe këtu sërish është një cirkuit i mbyllur, i cili shërben për garat, por mungojnë hedhjet në lartësi siç ndodh tek motokrosi. Në këtë kompeticion marrin pjesë pothuajse të gjithë garuesit e motokrosit, por këtu ka vetëm një kategori. Kampionati për supermotot do të fillojë më 6 maj. Kampionati do të zhvillohet në pistën e kartodromit, në zonën e kombinatit në Tiranë”, -tregon Denis Kallaku.