Motra të famshme, rivale të heshtura.

Nga Dinejda
Shkruar ne 10 Maj 2012 ora 10:17am

Sa janë të njëjta, janë edhe të ndryshme. Populli ynë ka një shprehje e cila thotë “motra jemi, shoqe s’jemi”, por ne do të sjellim rastet kur ato jo vetëm që janë shoqe të mira, por janë edhe në majat e famës. Diçka që nuk ndodh shpesh, aq më tepër kur flasim për talente si në muzikë apo fusha të tjera të artit. Rrallë nga një familje, dy motra apo vëllezër mund të jenë të talentuar në të njëjtën fushë. Rivaliteti ekziston edhe në familje, jo vetëm jashtë saj. Ndaj ne do të sjellim rastet e motrave të suksesshme shqiptare, të cilat dashur pa dashur janë në të njëjtën kohë edhe rivale dhe pse thuajse asnjëherë nuk e kanë pranuar hapur këtë gjë. Shpesh motra më e vogël ka mbështetjen e asaj më të madhes, por shpesh suksesi që mund të ketë njëra eklipson atë të tjetrës. Se cilat janë ato motra të famshme dhe rivale të heshtura në të njëjtën kohë i zbulojmë më poshtë.

Greta dhe Eni Koçi

Fillimisht ishte Greta ajo që fitoi famë falë talentit të saj. U bë e njohur qysh në moshë mjaft të vogël me këngë të cilat u bënë hite. Më vonë, pikërisht kur Greta ishte tashmë një zë potent në muzikën shqiptare moderne, motra e saj më e vogël Eni nxori single-in  e saj të parë. Një këngë ku Greta ishte pjesë e klipit për t’i dhënë suportin maksimal vajzës së vogël e të talentuar të familjes Koçi. Cila nga të dyja është më e suksesshme, nuk mund ta themi dot ne, por publiku që i ndjek. Megjithatë, sa i përket xhelozisë mes tyre, Greta dhe Eni gjithmonë kanë dhënë përgjigje që e përjashtojnë këtë mundësi. Greta, si motra më e madhe e këshillon shpesh Enin, dhe Eni si më e vogla e dëgjon dhe i merr sugjerime. Motrat Koçi e ndihmojnë njëra-tjetrën dhe rivalitetin se cila të jetë më në qendër të vëmendjes mes tyre ende nuk e kemi parë. Madje, Greta vërtet po e suporton Enin dhe nuk ka lënë që fama e saj ta eklipsojë në ndonjë moment figurën e së motrës.

Eranda dhe Irma Libohova

Janë një nga çiftet e motrave më të suksesshme në Shqipëri. Dy motra që janë identifikuar përherë me njëra-tjetrën. Madje në fillimet e tyre ato ishin të pandashme, aq sa doli në modë shprehja “si motrat Libohova”, për të identifikuar shpesh dy shoqe të ngushta, të cilat nuk bënin dot pa njëra-tjetrën.

Pas viteve ‘90 Irma dhe Eranda filluan të shfaqeshin më tepër vetëm edhe pse bashkëpunimet e suksesshme mes tyre nuk munguan asnjëherë. Të dyja vazhdojnë të mbeten nga këngëtaret më të mira të muzikës së lehtë, e në këtë rast është shumë e vështirë ta bësh diferencën se cila është më e dashur apo më e vlerësuar nga publiku. Ato do të mbeten përherë dy motrat simpatike e të talentuara, që kanë dhënë një kontribut të çmuar për muzikën e lehtë shqiptare.

 

 

Marina dhe Luana Vjollca

Fillimisht e nisën si velina të emisionit “Fiks Fare” karrierën e tyre, për t’u shndërruar pastaj në një dyshe mjaft të suksesshme në ekran. Motrat Vjollca, njëra bionde dhe tjetra brune, aq sa janë të ngjashme duket se janë edhe të ndryshme. Diferenca mes tyre ka qenë më e dukshme kjo edhe për shkak të projekteve të ndryshme që kanë marrë përsipër, edhe pse kur janë bashkë duket se janë më të forta. Të dyja janë të bukura, joshëse dhe mjaft elegante. Vështirë të themi se cila prej tyre ka më tepër sukses, edhe pse është Marina ajo që këshillon më tepër Luanën, si motra më e madhe që është. Megjithatë veç gjërave që i bashkojnë, motrat Vjollca përherë janë shprehur edhe për gjërat që i ndajnë e sigurisht edhe pak rivalitet mes tyre ndiejnë herë pas here.

 

 

Inis dhe Ingrid Gjoni

Inis dhe Ingrid Gjoni janë dy nga vajzat që për një kohë të gjatë kanë pushtuar faqet e kopertinave të shtypit rozë. Fillimisht ishte Inisi ajo që u bë pjesë e televizionit, duke e provuar veten në shumë fusha, derisa përmbushja dhe realizimi i saj ishte kur si regjisore vendosi në skenë shfaqje të suksesshme si “Salla e banjës”. Ndërsa Ingriti e nisi karrierën fillimisht si modele, ku tiparet e saj të veçanta spikatën duke e bërë atë një nga vajzat me më shumë kopertina në revistat rozë. Të dyja motrat provuan edhe të këndonin së bashku edhe pse ajo që vazhdon karrierën si këngëtare me sukses është Ingriti. Janë të famshme, por me karriera të ndryshme, edhe pse bota e artit i bashkon të dyja. Një detaj që ndoshta nuk e dini është se Ingriti nuk realizon asnjë klip pa këshillat e motrës së saj më të madhe Inisit. Kjo tregon se ato të dyja e mbështesin njëra-tjetrën për të bërë më të mirën në sipërmarrjet e tyre. Aktualisht ato janë të dyja nëna të dy foshjave të vogla, Inisi të Coco Antonel, dhe Ingriti të djalit të saj, të porsaardhur në jetë, Parid.

Mihrije dhe Lora Braha

Të gjithë me siguri njohin këngëtaren e dashur kosovare Mihrije Braha, por shumë pak njohin motrën e saj Lora. Ato të dyja në fakt ngjajnë si binjake. Vështirë të dallosh njërën nga tjetra, edhe pse është lehtë i identifikueshëm suksesi i Mihrijes. Lora, e cila është përpjekur disa herë t’i futet muzikës, le të themi që nuk ia ka dalë dot, edhe pse për këtë ka pasur mbështetjen maksimale të Mihrijes. Madje, dy motrat kanë bërë edhe një duet së bashku. Lora është një femër tepër elegante, edhe pse është nënë e një vajze.

Rovena dhe Irva Stefa

Irva Stefa sigurisht që ka një rol të rëndësishëm në karrierën si këngëtare të Rovena Stefës. Ka qenë ajo që ka menaxhuar suksesin e së motrës dhe këtë e ka bërë më së miri. Megjithatë, menaxhimi i Rovenës nuk e ka penguar aspak Irvën të provojë veten në muzikë. Ajo ka qenë prezente edhe me klip në tregun tonë muzikor. Ndërsa më parë është shprehur se dëshiron që të krijojë një emër të saj personal në muzikë, edhe pse e vlerëson mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme në të gjitha format nga motra e saj Rovena.