MSH: Dy vaksina të reja në sistemin e imunizimit

Nga Dorjan
Shkruar ne 03 Pri 2012 ora 4:01pm

TIRANË – Ministria e Shëndetësisë parashikon futjen në kalendarin e vaksinimit gjatë viteve të ardhshme vaksinat e Rotavirusit dhe të kancerit të qafës së mitrës (HPV). Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë është duke punuar përgjatë këtij viti lidhur me përllogaritjen e kosto-efektivitetit për këto vaksina. 

Gjatë viteve të fundit janë futur një sërë vaksinash të reja në kalendarin e imunizimit. Sipas MSH, në vitin 2000, në kalendarin e vaksinimit u përfshi komponenti i Rubeolës në vaksinën FR (Fruth-Rubeole), në vitin 2005, komponenti i Parotitit në vaksinën FRP (Fruth-Rubeole-Parotit), në vitin 2009, komponenti i Haemophilus influenzae tip b në vaksinen e kombinuar DTP-HepB-Hib, dhe në 2011, vaksina e Pneumokokut (PCV10).

Shqipëria ka një nivel vaksinimi në masën 98 %, rezultat ky i konsideruar i sukseshëm. Programi shqiptar i imunizimit është vlerësuar edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për masën e mbulimit, por edhe të cilësisë së vaksinave.