Ndahet nga jeta Alfred Paloka, homazhe në nderim të ish-deputetit

Nga Dorjan
Shkruar ne 22 Mar 2012 ora 4:02pm

TIRANE- Personalitetet më të larta të vendit zhvilluan sot homazhet në nderim të ish-deputetit dhe një nga figurat më të spikatura akademike në fushën hidroenergjitike në vend, Alfred Paloka, i cili u nda nga jeta mbrëmjen e djeshme pas një sëmundje të rëndë.

Në homazhet e zhvilluara për nder të tij ne Shtëpine e Oficerëve morën pjesë Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli si dhe mjaft politikanë të tjerë, kolegë, miq dhe të afërm.

“Ndarja nga jeta e profesor Palokës shkakton një pikëllim të thellë tek familja dhe tek të gjithë ata që e kanë njohur. Nxënësit e panumërt që i ka dhënë mësim dhe kolegët që për dekada kanë bashkëpunuar në ndërtimin e veprave energjitike të vendit”, u shpreh Kryeministri Berisha.

“Profesor Alfred Paloka la një boshllëk të madh për botën shkencore shqiptare, mendimin intelektual shqiptar, botën akademike të vendit. Ata që e kanë patur mik, që e kanë njohur, ruajnë në memorjen e tyre kujtimet më të mira, të një qytetari shëmbullor, të një intelektuali patritot, të një studiuesi serioz dhe të përkushtuar, por dhe të një politikani të urtë, të mençur e të moderuar”, tha Kryeministri.

NDAHET NGA JETA ISH-DEPUTETI, ALFRED PALOKA
Ora 09:10 - Ndahet nga jeta Alfred Paloka, ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë si dhe një nga figurat më të spikatura akademike në fushën hidroenergjitike në vend. Akademiku i njohur Paloka ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme pas një sëmundje të rëndë.
Homazhet për nder të tij do të mbahen sot tek Shtëpia e Oficerëve në orën 13.00-14.00.

Alfred Paloka ka qënë deputet i Kuvendit të Shqipërisë nga viti 1992 deri në vitin 1996. Alfred Paloka, për një periudhë 45 vjeçare, ka kontribuar në fushën e elektroenergjetikës. Për 23 vjet rrjesht, ai ka qenë pedagog e drejtues në Fakultetin e Inxhinjerise se Universitetit te Tiranës (sot Universiteti Politeknik), ku ka fituar dhe gradat shkencore “Kandidat i Shkencave” dhe “Doktor i Shkencave”, si dhe titullin Docent.

Për një periudhe 10 vjeçare ka punuar ne Sistemin Energjetik Kombetar, në Institutin e Energjetikës dhe KESH, me detyra të rendësishme studimore e drejtuese. Gjatë tërë kësaj periudhe, ka realizuar një aktivitet të pasur shkencor që mund të permblidhet sipas këtyre drejtimeve: Autor i 14 librave, teksteve, monografive shkencore si: Shfrytëzimi i Energjisë Ujore, Elektoteknika e Përgjithëshme; GRAFET (Përdorime në Elektroteknikë, Elektronikë, Automatikë etj.), Qarqet Elektrike Shifrore, Energjetika, Elementë të Informatikës Teknike, Elektrifikimi dhe Automatizimi i Makinerive të Ndertimit, Përafrimi Analitik i Varsive Eksperimentale, etj.
Autor dhe bashkëautor në shumë studime e projekte në dobi të Sistemit Kombëtar të elektroenergjise.