Ndërron jetë Ardian Klosi

Nga Dorjan
Shkruar ne 27 Pri 2012 ora 1:46pm

Publicisti, përkthyesi dhe mendimtari i njohur, Ardian Klosi, u gjet i vetvarur në orët e vona të së enjtes në banesën e tij në Tiranë.

55-vjeçari alarmoi të afërmit duke mos u përgjigjur për disa orë me radhë në telefon dhe pas hyrjes në banesë, policia mundi vetëm të konstatonte vdekjen e tij.

Klosi vuante prej disa kohësh nga një gjendje e rënduar psikologjike dhe kishte tentuar të vriste veten edhe më parë, nëpërmjet helmimit me ilaçe. Kjo tentativë kishte bërë që publicisti të shtrohej për një periudhë të shkurtër në spitalin psikiatrik, ku mori një trajtim kundër depresionit, me sa duket pa rezultate të frytshme.

55-vjeçari, njëkohësisht autor i disa librave dhe përkthyes i literaturës gjermane në shqip, lë pas gruan e tij gjermane, Jutta Benzenberg dhe dy fëmijë. 

Topi ngushëllime familjes

Presidenti i Republikës Bamir Topi shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta në mënyrë të parakohshme të përkthyesit, kritikut letrar, publicistit dhe aktivistit të shquar, Ardian Klosi.

“Të nderuar familjarë të të ndjerit Ardian Klosi! Më lejoni të ndaj me ju dhimbjen dhe hidhërimin për ndarjen nga jeta në mënyrë tragjike të Ardianit! Largimi i parakohshëm nga kjo jetë i shkrimtarit, analistit letrar, përkthyesit, publicistit dhe aktivistit të njohur publik të shoqërisë civile, është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për ju – familjen e të afërmit, por edhe për mbarë shoqërinë tonë, e cila sot më tepër se kurrë ka nevojë për intelektualë të mirëfilltë dhe zëra të pavarur e të guximshëm që marrin përsipër të kryejnë misione altruiste në të mirë të qytetarëve shqiptarë”, thuhet në mesazhin e Presidentit.

Kush ishte Ardian Klosi?

Ardian Klosi ishte publicist, shkrimtar, përkthyes, aktivist i shoqërisë civile dhe mendimtar i njohur. Klosi lindi në vitin 1957 dhe u diplomua në vitin 1981 në degën Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës.

Më pas, në vitin 1990 mbrojti me sukses studimet doktorale. Në vitet e para të demokracisë, në 1993, ai u transferua ne Gjermani ku jetoi pesë vite. Atje Klosi u njoh me fotografen Jutta Benzenberg e cila do të bëhej edhe bashkëshortja e tij. Nga kjo martesë Klosi pati dy vajza.

Pas 1998-s, Klosi u rikthye në atdhe, dhe nga ajo kohë u angazhua fuqishëm në aktivitetet e shoqërisë civile, në botën e letrave dhe të mendimit. Vitet e fundit të jetës publicisti Klosi u shfaq edhe si ambientalist. Ai dha një mbështetje të madhe kauzave të shoqërisë civile edhe sa i përket mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, ku vecojmë aktivizimin e zotit Klosi kundër shembjes së piramidës. Veprimtaria e Ardian Klosit është e lidhur vecanërisht me librat. Krijimtaria e tij është shumë e pasur dhe midis librave të ndryshëm, veçohen “Refleksione” ,  “Shqipëria, zgjim i dhunshëm”, “Quo vadis Shqipëri” dhe “Shqipëria ç’mund të jetë”. Ai gjithashtu publikoi vepra në gjermanisht, si “Mbijetesë Shqiptare” dhe botoi fjalorin gjermanisht-shqip, në bashkëpunim me disa autorë të tjerë, në vitin 1997.

Një kontribut të madh Klosi ka dhënë edhe në fushën e përkthimit. Për punën e tij në këtë aspekt Klosi është vlerësuar disa herë me cmime si përkthyesi më i mirë.  Në vitin 2008 me përkthimin e veprës “Skënderbeu” të studiuesit Oliver Jens Schmitt, Ardian Klosi solli një imazh të ri të Heroit Kombëtar dhe ngjalli shumë debate në opinionin publik. Në vitet e fundit, Klosi kishte formuar një profil të njohur si një opinionist dhe mendimtar i temave politike dhe sociale në vend, duke u shndërrua në një figurë mediatike të njohur për publikun shqiptar.