Ndërtimet pa leje, qeveria tarifë të re për legalizimet

Nga Dinejda
Shkruar ne 31 Maj 2012 ora 11:35am

TIRANE - Të interesuarit për të legalizuar ndërtimet pa leje, përveç kuotës prej 4 mijë lekësh për çdo kat, tashmë do të paguajnë edhe një tarifë shërbimi për hartimin e dokumentacionit tekniko-ligjor, vlera e së cilës është 6 mijë lekë. Tarifa e re që hyn në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare u miratua dje përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave në kuadrin e ligjit “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”. Në vendimin e qeverisë përcaktohet se tarifa e shërbimit për legalizimin e objekteve pa leje e shtesave informale në ndërtime me leje përbëhet nga tarifa e shërbimit për përditësim, e cila është në vlerën 4 000 (katër mijë) lekë për çdo kat të objektit pa leje/shtesës informale në ndërtime me leje dhe nga
tarifa e shërbimit për hartimin e dokumentacionit tekniko-ligjor, me vlerë 6 000 (gjashtë mijë) lekë për çdo objekt pa leje/shtesë informale në ndërtim me leje.

Afati 10 ditë
Të ardhurat e mbledhura nga tarifa e shërbimit për përditësimin dhe për hartimin e dokumentacionit tekniko-ligjor do të përdoren nga ALUIZNI dhe do të destinohen respektivisht për përditësimin në terren të gjendjes ndërtimore dhe mbulimin e shpenzimeve për hartimin e dokumentacionit administrativ për legalizimin e objekteve pa leje/shtesave informale në ndërtime me leje. Një rregullim tjetër ligjor i miratuar dje nga qeveria ka të bëjë me afatin e shlyerjes të dy tarifave, për përditësim dhe hartimin e dokumentacionit. “Subjektet që përfitojnë legalizimin e objekteve informale do të shlyejnë brenda 10 (dhjetë) ditësh nga data e njoftimit me shkrim mbi pagesat, vlerat e përcaktuara në pikat e këtij vendimi, në llogarinë e hapur për këtë qëllim”, – shkruhet në vendimin e qeverisë.

ALUIZNI
Vendimi i qeverisë është marrë në kuadrin e përshpejtimit të ritmeve të legalizimit të ndërtimeve pa leje, proces që sipas ekzekutivit do të përfundojë tërësisht në vitin 2013. Në total numërohen 270 mijë vetëdeklarime për ndërtime pa leje, ndër të cilat 240 mijë janë të kualifikuara. 55700 është numri i dosjeve të cilave u është miratuar deri tani pronësia me vendim të Këshillit të Ministrave. Sipas ALUIZNI-t po punohet intensivisht që tërë procesi, që nga kualifikimi i dosjeve, prerja e faturës, lidhja e kontratës, deri te dërgimi i lejes së legalizimit për regjistrim në Zyrat e Regjistrimit të pasurive të paluajtshme të marrë trajtën e një procesi zinxhir të cilit nuk i mungon asnjë prej hallkave, si kusht i domosdoshëm që i tërë procesi të jetë i përfunduar në fund të vitit 2013