Ndërtimorët futen në Qeparo, rrafshohen godina 5-katëshe

Nga Dorjan
Shkruar ne 18 Pri 2012 ora 3:46pm

INUK për herë të parë në këtë zonë: Do shemben 100 objekte në Himarë.

Inspektorati Ndërtimor ndërhyn për herë të parë në zonën turistike të Qeparoit, duke rrafshuar 10 ndërtime me konstrukt betoni nga 3-5 kate. Ndërhyrja e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar u krye pas kërkesës për mbështetje nga ana e Bashkisë së Himarës. Kjo e fundit mësohet se ka evidentuar 100 objekte gjithsej, të cilat po ndërtohen pa leje përgjatë bregut. Në mbështetje të INUK, dje ishin edhe mjaft forca speciale dhe efektivë të Policisë së Vlorës, me qëllim për të evituar përplasjen midis ndërtimorëve dhe pronarëve të objekteve. Bashkia e Himarës i kishte sinjalizuar ata më parë për aksionin që do të ndërmerrej, ndaj fadromat e ndërtimorëve nuk kanë qenë një e papritur për pronarët e godinave që kishin kryesisht projekte hotelerie. Mësohet se pas Qeparoit, aksioni do të vijojë me shembjen e ndërtimeve pa leje në Borsh, në Himarë dhe në të gjitha pikat turistike që janë në juridiksionin e kësaj bashkie.  “Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Vendor (INUV) i Himarës, pas verifikimit të dokumentacionit dhe verifikimeve në terren, në zbatim të ligjit, mbështetur nga INUK, do të ndërhyjë për prishjen e rreth 100 ndërtimeve pa leje. Kjo ndërhyrje po realizohet në mbështetje të Bashkisë së Himarës dhe me mbështetjen e FNSH-së Vlorë, dhe drejtohet nga kryeinspektori i INUK, Gazmend Osmani. Është hera e parë që ndërhyhet në këtë zonë për prishjen e ndërtimeve pa leje. Aksioni do të vazhdojë disa ditë deri në ekzekutimin e të gjitha vendimeve të Bashkisë Himarë”, thuhej në njoftimin e dhënë për shembjen e godinave. Aksioni i ndërtimorëve vjen pas atij të realizuar pak ditë më parë në Sarandë, ku u shembën disa objekte, kryesisht brenda qytetit.
Sipas njoftimit të INUK, e rëndësishme është të sigurohet kudo zbatimi i ligjit, sidomos në zonat në të cilat në muajt e ardhshëm pritet të fillojë sezoni turistik, siç është dhe qyteti i Himarës. Verifikime dhe, në rast nevoje, edhe ndërhyrje të njëjta do të ketë në ditët e javët e ardhshme në çdo zonë ku njësitë vendore dhe autoritetet e tjera vendore kanë konstatuar ndërtime që vijnë në kundërshtim me ligjet në fuqi. Aksioni do të bëhet gjatë këtyre ditëve, me qëllim që me nisjen e sezonit të plazhit, turistët të mos përballen me rrënoja apo mbetje të tjera të ndërtimeve të prishura. Drejtori i Drejtorisë së Ekzekutimit në INUK u shpreh dje se ofron mbështetjen e këtij institucioni për të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit, për ekzekutimin e vendimeve për prishjen e ndërtimeve pa leje. Sipas Ndokës, ky është aksioni i parë në këtë zonë dhe do të zgjasë disa ditë, për të kaluar më tej në një fazë të dytë, pasi aksioni që nisi nga Qeparoi do të vazhdojë përgjatë gjithë bregut të Himarës.

Rrëshqitje afër Kalasë, në rrezik banesat te “Skënderbeg”
LEZHE – Një firmë e ndërtimi, e cila po merret me shtrimin e rrugës që lidh qytetin e Lezhës me kalanë, është bërë shkak e rrëshqitjes së një masivi dheu. Ky masiv ishte hedhur si rezultat i gërryerjes që ka bërë firma për hapjen e rrugës, duke e hedhur dheun në anë të këtij aksi, në lagjen “Sherë”. Shkëputja e masivit rrezikon disa banesa në lagjen “Skënderbeg”. Muret mbajtëse janë shkatërruar plotësisht, ndërsa masivi i dheut, i ndihmuar edhe nga një burim uji, po rrëshqet duke iu afruar shtëpive në një distancë prej 15 metrash. Sipas Bilal Madit, shef i Inspektoratit Ndërtimor në Bashkinë e Lezhës, situata është kritike. “Ne kemi ardhur për t’iu bërë thirrje banorëve që të kenë kujdes fëmijët, por edhe banesat, pasi masivi i dheut po u afrohet shtëpive të banimit. Ne i kemi kërkuar firmës që po kryen punimet e rrugës të mos e hedhë dheun në anë të rrugës, duke e ditur edhe rrezikun. Po kryejmë të gjitha procedurat ligjore që kemi në dispozicion, duke ngritur zërin për ngritjen e një muri mbrojtës, pasi dheu po depërton në drejtim të qytetit”, u shpreh Madi. Banorët kërkojnë ndihmë e ndërhyrje për situatën e krijuar. Sipas tyre, ata e kanë njoftuar Bashkinë që në muajin dhjetor për situatën që po krijohej.