Ndihma ekonomike, 1589 familje mbeten jashtë skeme gjatë këtij viti.

Nga Dinejda
Shkruar ne 01 Maj 2012 ora 12:59pm

TIRANE- Shërbimi Social Shtetëror ka shkurtuar listën e familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike, duke e çuar atë në 97 mijë e 341 familje nga 98.930 që ishte në fund të vitit 2011. Pra, muajin e parë të këtij viti në skemën e ndihmës ekonomike janë rreth 1600 familje më pak, ose më saktësisht janë 1589 familje. Drejtori i kontrollit të pagesave në kesh pranë këtij institucioni, Leonard Strazimiri ka sqaruar se ky vendim u mor pas një kontrolli në mbarë zyrat rajonale të shërbimit social në periudhën janar- shkurt të këtij viti. 

Sipas tij, zonat më problematike kanë qenë zonat veriore dhe ato verilindore, Dibra, Kukësi dhe Elbasani. Sipas tij, largimi i këtyre familjeve nga skema ka shtuar grantin e ndihmës ekonomike, çka do të thotë sipas tij më shumë mundësi për përdorimin e tyre nga pushteti vendor. Këtij fondi, sipas Strazimirit, i janë shtuar dhe pagesat e ndihmës ekonomike për personat me aftësi të kufizuara, të cilët sipas vendimit të qeverisë të datës 7 shkurt, nuk e përfitojnë më atë, pasi nuk mund të bëhen dy pagesa për një persona nga i njëjti zë.

Largimi i këtyre familjeve nga skema e ndihmës ekonomike është justifikuar nga Shërbimi social shtetëror për përfitim abuziv të fondeve nga ana e pushtetit vendor, ku shpesh këshillat e bashkive dhe komunave shtojnë në listat e ndihmës ekonomike emrat e personave të tyre të afërt. Një masë që pritet të marrë Ministria e Punës gjatë këtij viti për të ndihmuar familjet e varfra dhe për të plotësuar prioritetin e saj për reduktim të varfërisë në vend është edhe nisma për përfitimin e paketës ushqimore