Ndotja me lëndë kimike në liqenin e Fierzës në përmasa alarmante.

Nga Dinejda
Shkruar ne 27 Apr 2012 ora 2:45pm

KUKËS-Përmasa gjithnjë e më alarmante po merr niveli i ndotjes së ujrave të liqenit të Fierzës, në rrethin e Kukësit, duke shkaktuar dëmtimin në një masë të konsiderueshme të faunës së këtij liqeni. Por nuk janë vetëm ndotjet urbane e bakteorologjike të pranishme gjerësisht në ujrat e këtij liqenit.

Një ditë më parë, vetëm brenda pak orëve ndotja me lëndë kimike ka arritur në një nivel mjaft të lartë, duke shkaktuar një katastrofë ekologjike. 

Këtë e pohojnë edhe specialistët e peshkimit, të cilët këshillojnë moskonsumimin e peshkut të këtij liqeni.

Inspektori i peshkimit në liqenin e Fierzës, Arben Palushi, thotë se origjina e ndotjes kimike ka ardhur nga Kosova.

“Gjithë lugina e Drinit të Bardhë, deri në vendin ku bashkohen dy Drinat, është thuajse tërësisht e ndotur me valvolinë, ose vaj të djegur, ndërsa e gjithë sipërfaqja e liqenit është e mbuluar nga një ngjyrë e zezë, e cila po shkakton asfiksi të faunës së liqenit”, thotë Palushi.

Sipas tij, “kësisoj shkaktohet asfiksimi i menjëhershëm i gjallesave të liqenit apo të zogjve që u afrohen brigjeve të liqenit”.

Sipas peshkatarëve, kjo është ndotja më e rëndë e shfaqur në ujrat e liqenit të Fierzës që kur u krijua ky liqen në vitin 1978.

“Nga verifikimet që kemi bërë, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, në liqenin e Fierzës nuk është konstatuar ndonjë derdhje e lëndëve kimike, e shkaktuar nga kamionët që kanë kaluar në akset rrugore të qarkut të Kukësit”, thotë Palushi.

Pavarësisht burimit të ndotjes, situata tashmë është mjaft e rëndë. Aq më tepër që po afrohet sezoni i plazhit dhe banorët e zonës më të varfër të vendit, në pamundësi ekonomike për t’iu drejtuar plazheve të bregdetit, deri tani kishin gjetur si zgjidhje plazhin në brigjet e liqenit.

Situata rëndohet edhe më shumë kur dihet se deri tani nuk është bërë asgjë për pastrimin e mbetjeve urbane, atyre plastike, mbeturinave spitalore apo mbeturinave industriale që kanë mbushur prej ditësh ujrat e liqenit.

Ndërsa prania e lëndëve kimike është një sinjal alarmi për t’i dhënë fund indiferentizmit me çfarë po ndodh në liqenin e Fierzës.

Edhe pse jo në përmasa të tilla, një situatë e tillë e ndotjes së liqenit të Fierzës, përsitet nga viti në vit, por deri tani nuk është gjetur ndonjë zgjidhje efikase për parandalimin e fenomenit, ndonëse për këtë qëllim janë kryer edhe disa takime me pushtetin vendor të Kosovës.