NË MBLEDHJE QEVERIE TANI FLITET VETËM PËR CELULARËT DHE INTERNETIN

Nga Dorjan
Shkruar ne 02 Maj 2012 ora 3:36pm

Kryeministri fton shqiptarët të ndjekin shembullin e themeluesit të Facebook, që edhe pa shkollë bëri atë shpikje gjigande. Por Berisha as emrin nuk ia shqiptoi saktë, edhe pse bën sikur kupton nga teknologjia. Berisha tha se Twitter-i përdoret për intimitete

 

Duket sikur shqiptarët nuk kanë më asnjë hall tjetër, vetëm si të kenë celular dhe internet. Është e vështirë të gjesh sivjet një mbledhje qeverie ku kryeministri Sali Berisha nuk flet për këtë çështje. Madje vetëm për këtë çështje.

Fakti që në Shqipëri ka 5 milion numra celularë, e gëzon pa masë kryeministri. Berisha tha se çmimet e shërbimit të telefonisë së lëvizshme kanë pësuar ulje të ndjeshme.

“Në një nga fushat më sensitive të shpenzimeve ka ulje spektakolare, lehtësim për çdo qytetar shqiptar. Sigurisht që kam fjalë të mira dhe falenderime si për Entin Rregullator dhe funksionimin e tij, ministrin mbikëqyrës të këtij sektori, kompanitë, operatorët. Shqipëria ishte vend me çmime të papranueshme. Tani qytetarët shqiptarë marrin këtë shërbim me çmime 2,3,4 herë më të leverdishme,” tha Berisha.

Kryeministri tha se tani do i jepet zgjidhe problemit të internetit. “Mbetet dhe një problem për të marrë përgjigje përfundimtare: çmimi i internetit. Tani kjo është politikë. Qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka që qytetarët shqiptarë të marrin çmimin më të lirë. Qeveria nuk vendosi të krijojë një rrjet celular të vetin, por përcaktoi si rrugë bashkëpunimin me operatorët, për internetin problemi qëndron ndryshe. Sepse ne duam të furnizojmë me internet falas qytetarët shqiptarë dhe këtë nuk mund t’ua kërkojëm kompanive private,” tha Berisha.

“Posta Shqiptare po ngre me shpejtësi të gjithë infrastrukturën dhe posta do të importojë fluksin në sasitë më të mëdha të nevojshme, me një çmim absolutisht shumë e shumë herë më të ulët se ky që është sot me operatorët privatë se nuk kemi ndërmend të monopolizojmë tregun. Në 1700 pika në mbarë vendin qytetarët do të mund të marrin internet falas,” tha Berisha.

Kryeministri foli me superlativa edhe për themeluesin e Facebook, ndërsa tha se të rinjtë shqiptarë mund të frymëzohen prej atij që edhe pse nuk pati shkollë, bëri një shpikje të tillë. Megjithatë Berisha as emrin nuk ia dinte pasi e quajti Zimerman, kur ai quhet Zuckerberg.

“Në këtë mënyrë shënojmë hap përfundimtar drejt Shqipërisë dixhitale. Njëra janë autostradat reale në të cilat udhëtojnë qytetarët, të dytat janë auto virtuale ku lundrojnë të rinjtë, në tërësi qytetarët shqiptarë. Fokus kryesor në këtë nismë është rinia shqiptare. Ximerman e transformoi komunikimin me Facebook. Edhe Twitter-i, i cili është për intimitete, por ky e përdor për editoriale,” tha Berisha.