NË SHQIPËRI JANË 78 MIJË MILIONERË

Nga Dorjan
Shkruar ne 15 Maj 2012 ora 1:55pm

Rritet me 1 për qind numri i të pasurve. 58% e parave në banka, në duart e 5% të depozituesve.

Raporti i Agjencisë së Depozitave: Mbi 1.5 milionë kanë kursime.

Shqipëria sot ka më shumë milionerë se një vit më parë dhe tendenca që një numër i vogël individësh të kenë shumicën e parave vijon të theksohet.
Shifrat tregojnë se paratë e depozituara në banka në masën 58 për qind të totalit janë në duart e 5 për qind të depozituesve. Të dhënat e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2011 reflektojnë një rritje të supermilionerëve krahasuar me një vit më parë. Për vitin 2011, numri i atyre që kanë depozitë mbi 2.5 milionë lekë është afërsisht 78 mijë individë, çka korrespondon me 5 përqindëshin e deklaruar nga ASD. Një vit më parë, vetëm 4 për qind e depozituesve kishin depozita mbi 2.5 milionë lekë dhe kjo kategori depozituesish kishte në duar 55 për qind të të gjitha parave në sektorin bankar. Nga ana tjetër, individët që kanë një depozitë deri në 2.5 milionë lekë janë 95 për qind e totalit të depozituesve dhe ata kanë 42 për qind të parave që janë sot në banka. Një vit më parë, ata që kishin depozita deri te limiti 2.5 milionë lekë zinin 96 për qind të totalit të depozituesve, dhe me ç’duket një numër i vogël e kanë kaluar këtë cak, duke u pozicionuar tek supermilionerët. Gjatë raporti-mit në Komisionin e Ekonomisë ditën e djeshme, drejtoresha e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Silvana Sejko, u shpreh se në dhjetor të vitit 2011 depozitat e individëve që janë objekt i skemës së kësaj agjencie arritën në 7.36 miliardë dollarë. “Në totalin e depozitave të sistemit bankar, pjesën më të madhe, 85 për qind e depozitave janë të individëve, nga të cilat pjesën më të madhe e zënë depozitat në lekë dhe diferencën depozitat në valutë. Në fund të 2011-s, depozitat kanë qenë në shifrën 736 miliardë lekë dhe 47 për qind e tyre janë në valutë. Individët që kanë depozita të cilat janë subjekt i skemës së mbuluar arrijnë në 1.5 milionë”, u shpreh Sekjo. Nëse marrim si referencë faktin që në fund  të vitit depozitat arritën 7.36 milionë dollarë, atëherë fare thjesht na rezulton që supermilionerët shqiptarë kanë në dorë 58 për qind të këtij totali që korrespondon me 4.3 miliardë dollarë. Pra, një milioner ka një depozitë mesatare 55 mijë dollarë. Në anën tjetër kemi individët me kursime më modeste deri në 2.5 milionë lekë, të cilët kanë 42 për qind të depozitave apo 3.1 miliardë dollarë, çka korrespondon me një mesatare prej 2 mijë dollarësh për depozitë. Pesha e depozitave subjekt i skemës së sigurimit është 85 për qind e totalit në sistemin bankar, kurse depozitat e siguruara përfaqësojnë, sipas raportit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, 67 për qind të depozitave të individëve. “Referuar ecurisë së depozitave të individëve për periudhën njëvjeçare dhjetor 2010-dhjetor 2011, vërehet një rritje e tyre me 15 për qind, kurse depozitat e siguruara u rritën me 11.8 për qind”, vlerëson ASD.

Raporti i ASD për 2011
Depozitat në total sipas ASD
736 miliardë lekë

Depozitat deri në 2.5 milionë lekë
42 për qind të totalit

Depozitat deri mbi 2.5 milionë lekë
58 për qind të totalit

Depozituesit deri në 2.5 milionë lekë
95 për qind të totalit

Depozituesit mbi 2.5 milionë lekë
5 për qind të totalit

Rritja e depozitave të siguruara
11.8 për qind

Depozitat e siguruara zënë
è 67 për qind të totalit të sektorit bankar

Depozitat subjekt i skemës
85 për qind e totalit të sektorit bankar

Depozitat në valutë zënë në fund të 2011-s
47 për qind të totalit

Depozitat, Banka e Shqipërisë: Pasuria e ndarë sipas qyteteve
Raporti i Bankës për kursimet e qytetarëve deri në mars

Banka e Shqipërisë

Depozitat në sektorin bankar kanë ruajtur një rritje stabël dhe, në fund të tremujorit të parë të këtij viti, ato arritën një total prej 892 miliardë lekësh. Të dhënat e fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se individët kanë vijuar të ruajnë sjelljen e tyre drejt kursimit, çka ka rezultuar në një ulje të konsumit të brendshëm. “Depozitat në muajin shkurt ishin rreth 5 miliardë lekë më të larta se në fund të vitit 2011, të mbështetura kryesisht nga rritja e depozitave në lekë dhe nga rritja e depozitave të individëve. Krahasuar me një vit më parë, depozitat në total ishin 11.1% më të larta. Depozitat në lekë në muajin shkurt u rritën me 3.4 miliardë lekë, krahasuar më muajin janar, duke mbajtur të pandryshuar normën vjetore të rritjes së tyre në 9.2%”, vlerëson Banka e Shqipërisë. Statistikat e Bankës qendrore tregojnë se, nga totali i gjithë parave që individët dhe bizneset kanë të depozituara në bankat e nivelit të dytë, gati gjysma është e përqendruar në kryeqytet. Tirana ka edhe vlerën më të madhe të depozitave, me gati 343 miliardë lekë. Më pas vjen qyteti i Durrësit me një nivel depozitash prej 79.4 miliardë lekësh, kurse Vlora, Elbasani apo Fieri kanë respektivisht depozita në nivelin 59.2 miliardë, 53 miliardë dhe 50.4 miliardë lekë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë qartësisht tendencën e individëve për të kursyer dhe kjo nuk reflektohet vetëm tek rritja e depozitave për çdo qytet por edhe tek trendi për depozita me afat. “Depozitat e individëve kanë shfaqur norma rritjeje vjetore të qëndrueshme, duke konfirmuar preferencën e tyre për të kursyer dhe njëkohësisht, zhvendosjen e këtyre kursimeve drejt depozitave me afat. Raporti i depozitave me afat ndaj totalit shënoi nivele maksimale prej 82 për qind, si pasojë e një rritje të qëndrueshme vjetore të tyre prej më shumë se 2 vjetësh” thuhet në raportin e tremujorit të parë të këtij viti të publikuar nga Banka e Shqipërisë.

Depozitat janar-mars 2012
.    Total            892.2 miliardë lekë
.    Tiranë           343 miliardë lekë
.    Durrës           79.4 miliardë lekë
.    Elbasan      53 miliardë lekë
.    Shkodër      47.2 miliardë lekë
.    Korçë            57.2 miliardë lekë
.    Vlorë            59.2 miliardë lekë
.    Fier             50.4 miliardë lekë
.    Lezhë            16.9 miliardë lekë
.    Të tjera     104 miliardë lekë

Situata në Greqi
Deputetët e opozitës kanë drejtuar ndaj kreut të ASD pyetje lidhur me situatën në shtetin fqinj. Deputetja e PS, Mimi Kodheli, ka kërkuar të dijë nëse Agjencia e Sigurimit të Depozitave ka menduar se ç’mund të ndodhë nëse shteti fqinj Greqia del nga zona e euro, por nga ana e drejtoreshës Sejko orientimi ka qenë që vlerësimi për këtë aspekt është përgjegjësi e Bankës së Shqipërisë.