Në Utah zbulohet lloji i ri i dinozaurit

Nga Dinejda
Shkruar ne 26 Maj 2012 ora 4:41pm

Shkencëtarët në Utah kanë zbuluar mbetjet e fosilizuara të cilat paraqesin llojin e ri të dinozaurëve raptorë, i cili ka pasur madhësinë e kojotës.

Fosili i raptorit ishte një nga disa fosilet e zbuluar në gërmimet në Doelling’s Bowl, që gjendet 370 kilometra në juglindje të Salt Lake City. Atje në 20 vitet e fundit janë zbuluar shumë lloje të dinozaurëve. Fosilet në këtë zonë janë të vjetra në mes 120 dhe 130 milionë vjetë. 

“Ky dinozaur i ri ishte predator apo grabitqar, ndërsa e ka marrë emrin Yurgovuchia doellingi”, ka thënë Jim Kirkland, paleontolog nga Instituti gjeologjik në Utah.
Edhe pse Yurgovuchia është lloji i vetëm që është emëruar, shkencëtarët besojnë që në Doelling’s Bowl kanë gjetur edhe gjashtë lloje tjera.

Për këtë raptor konsiderohet që është paraardhësi i Utahraptorit më të ri dhe shumë më të madh, shkruan Reuters.

Emri i dinozaurit të ri është bazuar në fjalën e fisit indian Juta për kojotën – yuorgovuch.

Madhësia e raptorëve ka ndryshuar. Kanë mundur të jenë të vegjël si zogjtë ose të mëdhenj si arusha. Edhe pse disa kanë qenë të mbuluar edhe me pupla, shkencëtarët besojnë që nuk kanë mundur të fluturojnë.