Nëna e dënuar për vrasje dhunon vajzën 15-vjeçar

Nga Dorjan
Shkruar ne 06 Pri 2012 ora 3:04pm

TIRANE – Një vajzë adoleshente nuk ka mundur ta durojë më dhunën fizike dhe psikologjike që ushtronte herë pas here ndaj saj nëna e vet dhe në këtë mënyrë i është drejtuar policisë duke denoncuar nënën 41-vjeçare. Burime nga Policia thanë se pasditen e djeshme është plotësuar kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes për 15-vjeçaren Ajlinda H., nxënëse në klasën e nëntë, në shkollën “4 Dëshmorët”. Punonjësit e dhunës në familje të Policisë së Tiranës, në praninë edhe të një psikologeje, e kanë pyetur adoleshenten, e cila ka denoncuar nënën e saj për dhunë fizike e psikologjike. Burime nga Policia thanë se e ëma, Albana Hatija, ka qenë e dënuar më parë për vrasje, ndërsa është divorcuar disa vite më parë nga i shoqi, Sokrat Hoxha, që po ashtu rezulton të jetë në burg. Ajo jetonte vetëm me vajzën e saj adoleshente në një apartament në rrugën “Qemal Stafa” në Tiranë dhe në mënyrë sistematike e rrihte dhe i bërtiste, ndonjëherë duke i lënë edhe shenja të dukshme dhune. Kanë qenë mësueset dhe psikologia e shkollës “4 Dëshmorët”, ku Ajlinda H. është nxënëse në klasën e nëntë, që i kanë zbuluar asaj shenjat e dhunës në trup dhe e kanë bindur që të kërkojë mbrojtje. Fillimisht vajza nuk ka dashur ta denoncojë nënën e saj, por më pas është bindur, duke u paraqitur bashkë me psikologen e shkollës në Komisariatin Nr. 4. Pasi është pyetur dhe ka sqaruar me radhë të gjitha rastet kur e ëma e ka keqtrajtuar pa asnjë shkak, policia ka plotësuar kërkesë-padinë, që tashmë do të depozitohet në Gjykatën e Tiranës. Ndërsa mësohet se nga frika e së ëmës, pas veprimit që ka bërë në polici duke e denoncuar, 15-vjeçarja nuk ka pranuar që të kthehet për të jetuar sërish në një shtëpi me të. Për këtë arsye ajo është strehuar në qendrën “Arsis”, një organizatë shoqërore për përkrahjen e fëmijëve, ku do të qëndrojë derisa gjykata të japë një vendim në lidhje me rastin e saj.