Nga Shpella e Pëllumbasit në Syrin e Kaltër të Erzenit

Nga Edmond Prifti
Shkruar ne 29 Pri 2011 ora 2:39pm

Vetëm 22 kilometra larg Tiranës, larg plazheve të zhurmshme dhe plot fela bostanesh, larg mizërisë, aromave të mbeturinave apo zhurmave akustike të dhjetra lokaleve ngjitur njëra-tjetrës, – gjendet një nga perlat e natyrës së egër shqiptare: Syri i Kaltër i Erzenit dhe Shpella e Pëllumbasit, – një ndër “shtëpitë” më të hershme të epokës së neolitit, e deri te periudha e bronzit dhe hekurit…

Shpella e Pëllumbasit

 

E njohur ndryshe edhe me emrin Shpella e Zezë, Shpella e Pëllumbasit (toponim i marrë nga emri i fshatit ku ndodhet) është një nga 6 shpellat e rralla karstike që gjenden në Evropë, duke paraqitur vlera shkencore, arkeologjike, kulturore dhe turistike për gjithë vizitorët e saj. Shpella ndodhet rreth 2 kilometra në verilindje të fshatit Pëllumbas, në krah të majtë të lumit Erzen dhe 27 km në juglindje të Tiranës, – 350 m mbi nivelin e detit. Për të shkuar atje, nevojitet rreth 40 minuta ecje në këmbë nga fshati Pëllumbas. Shkëmbinjtë përreth Luginës së Skoranës formojnë një shteg dhish (i rregulluar së fundmi) që zgjatet deri në hyrje të shpellës. Sipas Institutit të Arkeologjisë, shpella ka formuar degëzime të shumta, përgjatë miliona vitesh, ku edhe janë formuar stalaktite dhe stalagmite të shumëllojshme. Në fund të shekullit të kaluar, Shpella e Pëllumbasit është përmendur në disa shkrime të Kostandin Kristoforidhit mbi Tiranën, të cilat kanë sjellë dëshmi për vendndodhjen e saj, por askush nuk ka ditur vendndodhjen e saktë, deri në zbulimin e saj në vitin 1995, nga specialistët e Shoqatës Didaktike Shkencore Speleologjike Shqiptare. Ekspedita gjithashtu arriti të zbulonte dëshmi të jetës së hershme humane, brenda kësaj shpelle. Ndonëse, nuk është përcaktuar saktë jetëgjatësia e kësaj shpelle dhe formimi i saj, në hyrje të Shpellës së Pëllumbasit gjenden edhe sot disa gropa të hapura ku u gjetën fosile, që sipas konfirmimit nga Muzeu i Shkencave të Natyrës të Universitetit të Firences, u përkisnin arinjve të shpellave (Ursus Spelaus), të cilët kanë jetuar në një periudhë më të hershme se 10 mijë vite më parë.

Alo?! Behar, ku ndodhesh?

 

Për të shkuar në fshatin Pëllumbas mund të merret si udhërrëfyes Behar Duqi (0683607843) ose ndryshe, ndiqni rrugën që të çon për në këtë fshat (në të majtë të fshatit Bërzhitë) dhe merrni përpjetë kodrave, rrëzë lumit Erzen, – në vijim të Luginës së Skoranës. Por mendoni se Beharin e keni njëherazi udhërrëfyes, roje dhe kujdestar të shpellës, i cili për më tepër nuk pushon së foluri për vendlindjen e tij. Nuk çuditet as ai që një pjesë e ekipit tonë s’kishte marrë as bluza me mëngë të gjata dhe as elektrikë dore, për më tepër disa syresh edhe me sandale me takë. Është mësuar me këto ekipe eksperimentale, pasi që nga mosha 17-vjeçare (më 1992) kishte hyrë për herë të parë brenda Shpellës së Pëllumbasit. Asokohe kishte sfiduar edhe të atin e tij i cili nuk besonte se shpella kishte një fund. Kësisoj, Behari është i vetmi ciceron dhe njohës i vërtetë i kësaj zonë. Nganjëherë të vjen për të qeshur kur mendon se ai vrapon si një personazh i quajtur “Anulu”, por shpesh herë tentojmë t’ia marrim në kthesat e shtegëve të dhive dhe pyllit të dendur të shkozave, duke kaluar me kujdes mbi breshkat që na kalojnë ndër këmbë… Ritakohemi sërish në stolat anës shtegut të vëna posaçërisht për “të shtrydhur” kockat. “Mendoj edhe sot se shpella duhet të ketë një dalje tjetër, pasi ndihen rryma ajri në fund të shpellës”, vijon Behari, duke u dhënë këmbëve deri sa na shfaqet pas një kthese në të djathtë, Shpella e Pëllumbasit. Sipas të dhënave, në vitin 1995, për herë të parë kur e vizituan speleologët, shpella u shënua në hartat botërore të mrekullive karstike, përkrah vetëm 5 të tjerave simotra në të gjithë Evropën

Mbi Syrin e Kaltër të Erzenit

Nga Behari mësojmë se nën ato vende ku shkelim (ndërsa kishim më shumë se 25 minuta që ecnim drejt Shpellës së Pëllumbasit), në të majtë të Luginës së Skoranës ndodhej vendi i quajtur Syri i Kaltër i Erzenit, – të cilin e vizituam pas Shpellës së Pëllumbasit). Poshtë arrijmë të dallojmë gurgullimën e ujit në një pellg të qetë, për të cilin Behari thotë se është një llixhë dhe gurrë uji. Në anën tjetër të Luginës së Skoranës, Behari na tregon se ka derra të egër dhe gjithfarë kafshësh të egra, ndërsa në majat e maleve përreth ka shqiponja veç skifterëve e hutave, krahas pëllumbave të egër, nga ka marrë emrin edhe fshati Pëllumbas