Ngjyrat e pranverës, një udhëtim përmes artit.

Nga Dinejda
Shkruar ne 01 Maj 2012 ora 1:07pm

TIRANE - Në galerinë Fap, prej disa ditësh tashme, ekspozojnë punimet e tyre 5 artistë, dy prej të cilëve francëz dhe tre shqiptar. Aktiviteti i promovuar nën ombrellën e shoqatës kulturore “Syri Blu” , synon në edicionin e tij të parë, prezantimin e vlerave artistike të këtyre artistëve, si një urë komunikimi mes kulturës së dy vendeve.
Në një vështrim të parë duket sikur artistët nuk lidhen domosdoshmërish në mënyrë organike mes tyre, handikap ky i backgroundit të tyre të ndryshëm akademik e historik. Një pjesë e tyre në fakt janë produkt i shkollës franceze të viteve ‘70 – ’80, siç është rasti i Beatrice Richard –de Saint Jean, e cila është ndjekse e lëvizjes artistike Support-Surface, themeluar nga C. Viallat, V. Bioules dhe P. Seytour, në fundin e viteve ’60.
Artistja, në këtë ekspozitë vjen në linjë me parimet e kësaj lëvizje artistike, ku gjesti i pikturimit, ndihet i identifikueshëm lehtësisht prej mjetit. Tema “Breza dhe Dridhje”, e eskploruar tashmë prej disa vitesh prej saj, realizohet me rulo duke u punuar me të dy duart njëkohësisht, duke arritur kështu një unifikim gjetikulativ më të plotë në realizimin e veprës. Në tërësi ato përçojnë një pastërti rituale, ku thellësia ekspresive kërkohet në thjeshtësinë dhe ritmin e së tërës. Aty format shpesh mbivendosen, ose shtrihen mbi suport të vetme, si shenja vibruese primordiale të thjeshtuara e instiktive. Ashtu si në parimet e lëvizjes, qasja e artististes, evidenton në mënyrë të drejtpërdrejt gjestin dhe shenjën mbi materie, si kërkesë themeltare përbërse të veprës. Në këtë seri punimesh subjekti mbetet dytësor, ndërsa shikuesi hyn në lojë si shijues dhe përçues i emocionit të krijimit artistik.
I ndryshëm prezantohet Aymard Le Forestier De Quillien, i cili vjen nga një ekperiencë artistike e ndryshme. Ai i formuar fillimisht në Bordo dhe Angers, prek më pas teknikat e mozaikëve e vetrazheve. Mbi aventurën e tij artistike ai thotë se: “Unë kam shumë mënyra për të shprehur veten, por ngjyra, materiali dhe forma kanë për mua një efekt më të plotë. Gëzimi, më shumë se kënaqësi, vendoset në veprimin krijues. Unë e gjej të pasigurt, aventureske, zbulimet dhe transkriptet e botës time dhe bota më kthejnë lumturinë. Zbulimi i botës është emocionues, ndarja me të tjerët është edhe më e mrekullueshme për mua. Unë besoj se jeta ka një sens shumë të thellë nëpërmjet veprimit krijues, duke u rizbuluar pa mbarim në çdo qoshe. Njolla është e pa limit dhe aventura ime njerëzore një pjesëz në art. ‘’
Artisti vjen në këtë ekspozitë me dy cikle punimesh, njëri i viteve ’80, e tjetri i realizuar në vitet e fundit. Ndryshimet mes tyre janë të dukshme. Tek seria më e hershme, ndikimi i ekspresionizmit abstrakt, qartësohet nëpërmjet rolit të hapsirës, sipërfaqeve të qarta dydimensionale, apo shenjave kromatike, në tërsi të përkufizuara në dimensione të vogla. Të kontrolluara e larg gjestikulimit ekspresiv, tipik për shumë figura të rëndësishme të kësaj rryme, artisti prezantohet në këto vepra i përqëndruar në universin e tij estetik, sa të ngjashëm aq dhe personal. Më i “vyer” ai prezantohet në triptikun e punuar në teknikën e floririt mbi dru, ku vlera artistike e veprës mbivendoset dukshëm në një format të ri, rrezatues e provokues. Artisti përtej vlerës estetike të veprës, pashmëngmërisht duket sikur ironizon vlerat e qytetërimit modern, duke hequr paralele mes vlerës artistike, shpirtërore dhe asaj materiale. Më elokuent e estravagant ai prezantohet në ciklin e viteve të fundit, ku ngjyra dhe personazhet amorfë ndërtojnë habitate kromatik, drejt një forme abstrakte, më konkrete. Në këto dekada distancë ai duket se ka kërkuar dhe gjetur zërin e tij personal brenda kësaj aventure vizive, ku figuracioni abstrakt përdoret si gjuhë e zbërthimit emotiv, i dialogut të tij personal mes vetes dhe realitetit.
Artistët frances prezent me artin e tyre në Tiranë shoqërohen nga tre artistë shqiptar, Besim Tula, Stefan Taçi dhe Ledia Kostandini. Kjo e fundit, më e reja e grupit, prezantohet më një cikël punimesh realizuar mes viteve 2006 -2009. Bien në sy përzgjedhja e subjekteve urbane, apo ato të rrethit familjar, trajtuar shpesh vrullshëm, nën një tis melankolie. Aja e drejton vëmendjen e publikut drejt mikrobotës së saj, formës se si ajo i sheh objektet, ngjarjet, njerzit.
Tek piktura “stacion”, ajo prezanton një autobuz të stërzgjatur nën hijet e natës, që i ndalur, qoftë edhe për një moment, na tregon personazhet, historitë dhe karakteret që ajo mbart. Në lumin e rrëmbyer urban, ajo ndalon në vlersimin dhe shijimin e çdo personazhi, forme dhe emocioni që na rrethon. E ngjashme, nën një atmosferë sa mbytëse aq dhe mistike, prezantohet nga një pikë shikimi e lartë, një kishë gjatë celebrimit të një feste fetare. Skena e rrethuar nga një aureolë mistike, me qirinjtë e ndezur që evidentojnë personazhet e shumtë, sëbashku me veprën e sipërpërmendur ofrohen si skena të së përditshmes urbane në nevojë për evidentim vertikal, të brendshëm. Hapsirat rëndohen nga tisi i errët që rrethon skenat dhe personazhet e rrethuar nga soji i tyre, ku secili duket edhe më i izoluar në vetminë e vet. Kjo duket se krijon një ndjesi asfiksimi, si një moment rebelimi për më shumë dritë e hapsirë në realitetin që jetojmë. Në një moment të dytë disa prej këtyre personazheve shkëputen për tu ofruar të vetëm në habitatin e tyre familjar. Ato teksa evidentohen nga “aureola” e çuditshme spirituale, kërkojnë nën tisin e rrobës së zezë, vëmendje për prezencë.
Më i konsoliduar në kërkimin e tij prezantohet me veprën e tij Besim Tula, i cili prej shumë vitesh tashmë, ripropozon tablotë e tij në dimensione të ndryshme, në një ndërthurje të qartësuar mes shenjave teknologjike të kontempornitetit me realitetin që na rrethon. Artisti në këtë ekspozitë mbledh punime të realizuara mes viteve 2009-2012, në të cilat prezantohen objekte të jetës së përditshme, frame të nxjerra nga masmedia, reklamat, bota teknologjike, ajo underground apo erotike, për tu riprezantuar të mbivendosura, apo ndërthurura, si gjuhë universale e kohës që jetojmë. Në disa prej tyre ai evidenton objekte tipike të natyrave të qeta, apo portrete personazhesh, të cilët duket sikur humbin identitetin e tyre në sfondin monokrom, për tu shënuar më pas me matricat përkatësë. Në tërësi mesazhi artistik i Tulës është një vështrim i “ftohtë” i realitetit të përditshëm, i ngritur si një vorbull imazhesh, simbolesh e gjuhësh, ku çdo element humb identitetin, për tu riprezantuar i ri paketuar në formatin kontemporan.
Artisti tjetër shqiptar, Stefan Taçi, piktor, skulptor dhe regjisor i filmit të animuar në këtë ekspozitë vjen me nje cikël të quajtur “”Bisedë me tingujt e Mesdheut”, mbi nisjen e të cilit shpjegon se: “Nuk besoj se ka një datë apo çast të caktuar, kur e si filloi të shfaqet ky cikël në krijimtarinë time, madje dyshoj nëse mund të flitet për fillesë. Mendoj se gjithçka ngjizet te ne që nga fëminia. Prej saj marrim me vete dritën e diellit, aromat e ngjyrat, tingujt e prehjen që natyra përreth të ofron, mbartim pa e ditur çdo copëz mozaiku kulturor që na rrethon, gjithçka që prekim realisht apo fantazojmë. Kështu, me kalimin e viteve, materiali ndjesor që pasurohet në vazhdimësi, merr formën e llavës, e cila në çaste të caktuara shpërthen jashtë, herë shtruar e herë më me vrull. Diçka e ngjashme ka ndodhur edhe me punimet e paraqitura këtu, përmes të cilave kam dashur të risjell sado pak misterin e shkëlqimin e një bote të humbur, qetësinë apo harenë e jetës, simbolikën e vazhdimësisë dhe nostalgjinë për harmonitë klasike, dialogun mes traditës e modernitetit. Ndodh të lëndohesh, të ndjehesh i lodhur nga dashuria për Mesdheun. Mjafton një kujtim, një re e vetmuar në qiell, befasitë e një udhëtimi, një fotografi e rastit apo leximi i një libri, e gjithçka rifillon përsëri.”
Në ciklin e sipërpërmendur ngjyrat, format e shenjat simbolike ndërthuren në qetësinë shpirtërore që vetë peizazhi mesdhetar ofron. Në shumllojshmërinë e tyre ato prezantohen romantike, të freskëta, e lozonjare. Gjuha e tij piktorike nuk përmblidhet në një stil të vetëm, por lodron në forma e nuanca kromatike të ndryshme, duke i qëndruar besnik një përsiatje instiktive që merr frymëzim nga një udhëtim vizionar, sa shpirtëror aq dhe realist.
Të servirur në një hapsirë të vetme, këta pesë artistë bashkohen nga dashuria për artin, dhe vlerën e saj shpirtërore në jetën e secilit. Shkëmbimi i eksperiencave të tyre të ekspozuara në ambjetet e galerisë Fap, ndërtojnë një urë komunikimi vlerash e kulturash për cilindo që do ti shijojë ato. Ekspozita do të vazhdojë të qëndrojë e hapur në ambjetet e Galerisë “Nikolet Vasia”, në Durrës, që prej datës 26 prill.