Një milion shqiptarë emigrantë në BE

Nga Dorjan
Shkruar ne 08 Qer 2012 ora 8:07pm

Jetojnë rreth 20 milionë emigrantë në Europë, shifër e barabartë me  4% të popullsisë së 27 vendeve të BE-së

Komisioni Europian botoi raportin e tretë vjetor mbi azilin dhe emigracionin. Në të Shqipëria përmendet vetëm një herë: “Grupet me numrin më të lartë të rezidentëve në BE me kombësi nga vende të treta në 2009 ishin  Turqia (rreth 2,4 milionë), Maroku (përafërsisht 1,8 milionë) dhe Shqipëria (rreth 1 milion banorë)” lexohet në raportin e Brukselit, të paraqitur ditën e premte, më 1 qershor, nga Komisionerja për Punët e Brendshme në BE Cecilia Malmström.

Sipas këtij raporti në vitin 2011, gati 10% e emigrantëve të botës, rreth  20 milionë persona, shifër e barabartë me  4% të popullsisë së 27 vendeve të BE-së, banojnë rregullisht në këto vende.  Ndërsa në të gjithë botën numri i emigrantëve llogaritet të jetë 214 milionë.

Dokumenti thekson rëndësinë e fenomenit të emigracionit në zhvillimin e kontinentit të vjetër europian. “Edhe më një tregues papunësie rreth 10%, shkruhet në raport, shumë shtete anëtare kanë mangësi krahu pune në disa sektorë për arsye të ndryshme”. Nga një sondazh i Eurobarometrit, i paraqitur së bashku me raportin, 68% e europianëve mendojnë se emigrantët e rregullt duhet të gëzojnë të njëjtat të drejta të qytetarëve europianë. Por vetëm 42% e të anketuarve mendon se emigracioni duhet nxitur edhe për të përballuar plakjen e popullsisë dhe mungesën e krahut të punës. Shumica e personave të pyëtur, 53% mendojnë se emigrazioni pasuron ekonomikisht dhe kulturakisht vendet pritëse.

Emigracioni ilegal gjatë vitit 2011 ka shënuar këto shifra: 343.000 personave u është mohuar mundësia e hyrjes në një vend të bashkimit Europian (-13% në krahasim më një vit më parë); 468.500 persona janë ndaluar pasi kanë arritur të hyjnë në mënyrë të paligjshme në një vend anëtar (në vitin 2010 kanë qenë 505.000).