Një urë e tretë në Bosfor

Nga Dinejda
Shkruar ne 31 Maj 2012 ora 5:58pm

Lëvizjet demografike dhe shndërrimi i Stambollit në një qendër kryesore ekonomike, jo vetëm në Turqi e Ballkan, por në të gjithë botën, për shkak të pozicionimit si nyje lidhëse mes Azisë dhe Europës, kërkon infrastrukturë shtesë, sidomos në Ngushticën e Bosforit.

Dy anët e Ngushticës, aktualisht i lidhin dy ura, që për autoritetet turke konsiderohen mjaft pak. Për këtë është hartuar super projekti për ndërtimin e një ure të tretë mbi Bosfor e cila vijon më tej me një autostradë e cila lidh dy anët e Turqisë por më gjerë lidh Lindjen me Perëndimin. 

Turqia me një rritje ekonomike prej 8,5 % në vit, e krahasueshme vetëm me ritmet kineze, është përfshirë vitet e fundit në një aksion të fuqishëm ndërtimi të infrastrukturave të reja e moderne. Edhe pse ndërtimi i kësaj ure të tretë mbi Bosfor ka ngjallur reagimin e një pjese të shoqërisë, asaj më të ndjeshme ndaj kushteve ambientale, qeveria ka vendosur të cojë përpara projektin pa marrë aspak parasysh vërejtjet duke e konsideruar si shumë të rëndësishëm për zhvillimin e vendit.

Ura e re është një projekt italo-turk, e gjatë 1275 metra dhe që do të kushtojë 4.5 miliard dollarë. Do të jetë më e madhe nga ura e Bosforit dhe ajo e “Sulltan Mehmetit”, dy urat ekzistuese mbi Ngushticë.

Vendimi për ndërtimin e kësaj ure u bë publik nga ministri turk i transporteve, Binali Yildirim, i cili saktësoi se punimet për konkretizimin e saj pritet të nisin së shpejti.