ORNELA BREGU: SI DO RIKTHEHEM NË EKRAN ME NJË SHOW GJIGANT

Nga Dorjan
Shkruar ne 06 Maj 2012 ora 2:06pm

Në ambientet e “Vizion Plus” tashmë të gjithë i thonë me përkëdheli “mamasita”. Deri tani ka provuar të prezantojë dhe të këndojë, por të kërcejë është hera e parë. I rikthehet ekranit pas shumë vitesh, si për të dhënë një sinjal që në sezonin e ri televiziv këtë vjeshtë, Ornela Bregu, një VIP në garën e “Dancing with the stars”, do të shfaqet e kompletuar si një personazh televiziv “paketë”, që di të kërcejë në show-n televiziv që ka planifikuar. Kjo është po ashtu hera e saj e parë ku provon veten në garë, duke vendosur dhe ambicien në provë. Ornela tregon për bashkëshortin që e ka “pro” gjithmonë pasioneve të saj për televizionin, marrëdhënia me motrën ministre, Majlinda Bregu, dhe si e sheh veten në këtë sfidë kërcimi.
Ornela pas kaq kohësh rishfaqesh në ekran në një garë kërcimi si “DWS”. Të gjithë do të donin të dinin për këto vite larg kamerave…
Në fakt, për hir të së vërtetës s’ka qenë shumë e dukshme prania ime në ekran. Pasi vizualisht kam munguar, por kam qenë e pranishme në mediat e shkruara apo kopertina revistash dhe në organizime aktivitetesh private të miat. E vërtetë është që kjo dalje e imja është komentuar si rikthim pas kaq kohësh, për faktin se po shfaqem në ekran me diçka që s’kam provuar më parë, pra të dal të kërcej dhe për më tepër të konkurroj për këtë disiplinë. Kjo ishte një risi për mua, pasi në shumë vite televizion unë jam mësuar të konkurroj me këngë, dhe të prezantoj spektakle apo festivale me dy-tre prezantues të tjerë. Të jem në konkurrim për mua është një eksperiencë e re, dhe që besoj se ia kemi dalë, përderisa bashkë me partnerin tim Dion e kemi kaluar javën e gjashtë.
Ke hyrë për të fituar?
Jo, unë s’kam hyrë për trofe. Por meqë m’u dha rasti, thashë vërtet të mësoj disa kërcime të bukura që ia vlen t’i zotërosh me koreografi, dhe deri tani kam mësuar gjashtë disiplina. Kjo ka qenë dhe arsyeja që ne presim një bonsens nga juria. Ata duhet të mësojnë këtë pjesë, që ne s’jemi të gjithë aty për trofeun se ai një është. Por ne garojmë për t’u argëtuar dhe për të bërë së bashku një show të bukur.
Ka rënë në sy prania e bashkëshortit tuaj në sallë. Kaq pranë të qëndron në iniciativat artistike?
Shumë afër. E çuditshme, por në fakt im shoq ka qenë gjithmonë pro aktiviteteve që kam bërë. Asnjëherë s’ka qenë kundërshtar apo pak “patriarkal” në thonjëza me idenë që kjo s’është për ty, apo që të diskutojë veshjet. Në këtë pikë ne jemi marrë vesh, ose në fund të fund të fundit ashtu më ka njohur, që kur unë punoja në Telebingo. Madje, në shtëpi këto ditë ne bëjmë dhe prova bashkë, ku ai hiqet si partneri im, ku hyjnë dhe në lojë fëmijët, vajza 12 vjeç dhe djali 4 vjeç. Mendoj se kjo është e bukura e pjesëmarrjes për mua si Ornelë. Sepse aty janë të gjitha vajza të reja, që maksimumi mund të jenë të dashuruara, ndërsa mua këto ditë më kanë vënë emrin e artit “mamasita”, ndërsa  shfaqem me statusin e nënës.
Do ishte ky një moment i mirë për t’u rikthyer në televizion me një projekt tëndin?
Si fillim do bëj pak pushim. Kam dëshirë që në fillim të sezonit të vjeshtës të bëj një spektakël të bukur. Në dëshirë mbetet një show televiziv i madh, që vërtet t’ia vlejë. Të shpresojmë të bëjmë diçka të mirë. Kam përshtypjen se një lloj statusi televiziv tashmë e kam krijuar. Çdo gjë tek unë është parë me cakun e asaj që duhet të bëj, po absolutisht të kthehem si 20 vjeç, sepse vitet e mia kanë qenë të frytshme, absolutisht nuk i quaj të kaluara pa dashje. Përballem shpesh me pyetje të njerëzve që u kam mbetur në kujtesë nga punët e mia në televizion, që më japin kurajë për të bërë diçka tjetër në të ardhmen.
Je artiste dhe motra e një politikaneje si Majlinda Bregu. Ju kanë larguar rrugët profesionet? E ke fanse në këtë garë?
Ju thoni që jam motra e Majlindës, por ne kemi dhe një motër tjetër, Rovenën. Majlindën e kam fanse, e kam publik, e kam votuese shumë të mirë, stiliste dhe sigurisht, e kam dhe këshilltare. Telefonatat e mëngjesit janë për DWS, çfarë angazhimi kam dhe si do vishem. Në momentet kur ajo është paksa e lirë, pra që nuk mund të jetë në Parlament, mund të flasim. Këtë komunikim kemi pasur gjithmonë, sado që na largon puna, sidomos Majlinda e cila është shumë më e zënë se unë. Por momentet e takimit i kemi të vrullshme. Ndërsa fëmijët takohen me njëri-tjetrin, ne rendim t’i themi të gjitha çfarë kemi për të thënë.
Një vajzë spektakli, në vetvete sa serioze është për të mbajtur një martesë?
Kush më njeh, e di që unë e kam dhe këtë anë të medaljes dhe atë tjetrën të seriozitetit. Sigurisht që një tjetër komunikim është në shtëpi, tjetër me vajzën apo djalin dhe tjetër xhentilesë me bashkëshortin. Por në martesën tonë im shoq është vërtet afër, pasi edhe gatuan apo ma vendos para ushqimin, nëse s’kam kohë të shtroj tavolinën. Është thënë dikur një shprehje që përmendet rrallë: Çfarë është gjëja më e vështirë, po më e thjeshtë? Në të dyja kontekstet, me gjuhën e popullit është tërhiq dhe lësho, gjë që duhet ta bësh si me bashkëshortin, fëmijët, kolegët. Gjithmonë kur del jashtë shtëpisë, do kesh një përqafim apo një kompliment, por gjithmonë varet se sa je në gjendje t’i tërheqësh vetes veshin. Një kompliment të thërret diku gjithmonë, po aq është i mjaftueshëm për një person si unë që tashmë i ka disa plane të realizuara në jetë.