Parada e gay-ve, Avokati i Popullit dhe LGBT: Ekrem Spahiu të kërkojë falje

Nga Dinejda
Shkruar ne 23 Mar 2012 ora 12:07pm

Zv.ministri: Ti kap në hu. Totozani:Deklaratat që nxisin dhunën përbëjnë vepër penale

Aktiviteti i paralajmëruar nga komuniteti LGBT, për zhvillimin e një parade të gay-ve në 17 maj, është shndërruar në “mollë sherri” dhe burim debatesh. Një ditë më parë kryetari i partisë Lëvizja e Legalitetit njëkohësisht edhe zv/ministër i mbrojtjes Ekrem Spahiu, ka deklaruar për një të përditshme shqiptare, se e vetmja deklaratë që ka për këtë komunitet është “ti kap në hu”. “Ne jemi parti konservatore shqiptare, vlerësojmë trashëgiminë shqiptare si vlera të rëndësishme për një komb. Unë s’kam ndonjë koment tjetër, vetëm t’i ‘kap në hu ato’. Hu është fjalë dialektore, por besoj se kuptohet, ose thënë ndryshe shkopinj gome”,- ka thënë Spahiu. Pas kësaj deklarate të publikuar sot në media ka reaguar institucioni i Avokatit të Popullit, i cili i ka kërkuar zyrtarit të qeverisë të deklarohet menjëherë mbi vërtetësinë e këtij citimi dhe të kërkojë në mënyrë urgjente ndjesë publike nëse kjo deklaratë fyese dhe denigruese është qoftë edhe pjesërisht e vërtetë. “Avokati i Popullit dënon fuqishëm çdo deklaratë dhe shprehje të këtij formati, që nuk ka asgjë të përbashkët me frymën e tolerancës, bashkëjetesës dhe diversitetit, si vlera tradicionale të shoqërisë shqiptare. Përveç kësaj deklarata të tilla nxisin dhunën dhe urrejtjen duke përbërë kështu edhe një vepër penale. Duke e konsideruar këtë mendësi, si krejtësisht të papranueshme, Avokati i Popullit apelon çdo zyrtar shtetëror të çdo niveli, mbi papajtueshmërinë flagrante të këtyre deklaratave me procesin e integrimit dhe vlerave europiane që mbart ky proces, vlera të cilat përjashtojnë kategorikisht sjellje dhe mendësi të tilla”, thuhet në reagimin e institucionit të Avokatit të Popullit. Ndërkaq Aleanca Kundër Diskriminimit dhe Pro LGBT, dy organizata që punojnë në mbrojtje të të drejtave të komunitetit homoseksualë kanë reaguar sot duke kërkuar shkarkimin urgjentisht të Ekrem Spahisë, nga posti që ai mban. “Deklarata e këtij personi me funksione të larta shtetërore përbën jo vetëm një fyerje të hapur ndaj komunitetit LGBT dhe ndaj kujtdo shqiptari që beson tek vlera e të drejtave të njeriut, por, për fatin e keq të vet zotërisë në fjalë, përbën edhe një shkelje të rëndë të Kushtetutës së Shqipërisë që e ndalon në mënyrë kategorike nxitjen e urrejtjes përmes shtypit të shkruar. Gjithashtu kërcënimet e hapura për të dhunuar individë të caktuar në Republikën e Shqipërisë përbën edhe vepër penale”, thuhet në reagimin e dy shoqatave. Madje ata kanë kërkuar që Spahiu të largohet përfundimisht nga politika, pasi një person që nuk bashkon, por ndan,  nuk i duhet politikës së një vendi që aspiron të integrohet në Bashkimin Europian.